Koment – Mos vallë po vjen një valë e dytë e Pranverës Arabe?

Një analizë në lidhje me mundësinë e një vale të dytë të Pranverës Arabe pas demonstratave të javës së fundit në Marok, të cilat shpërthyen për shkak të vdekjes së një peshkatari, që forcat e rendit i konfiskuan peshqit...

Koment – Mos vallë po vjen një valë e dytë e Pranverës Arabe?

Ngjarja e 28 tetorit (e premte) në qytetin Al-Hoceima të Marokut dhe protestat, të cilat u mbajtën pas saj në zona të ndryshme të këtij vendi, na rikujtuan zhvillimet e fundvitit 2010 në Tunizi, që më pas u përhapën anembanë botës arabe.

Në dhjetor të 2010-s, policia tuniziane sekuestroi tezgën e Mohamed Bouazizit, një shitës ambulant në qytetin Sidi Bouzid, duke u sjellë gjithashtu në mënyrë arrogante dhe poshtëruese ndaj tij. Si reagim ndaj këtij keqtrajtimi, Bouazizi i vuri flakën vetes përpara autoriteteve. Trazirat sociale, që nisën në Tunizi pas kësaj ngjarjeje, u përhapën me shpejtësi në shumë vende arabe. Masat popullore vërshuan në rrugë e sheshe me sloganet “Bukë, drejtësi, liri” dhe “Ky rend duhet të rrëzohet”, duke reaguar kështu ndaj regjimeve autoritare ekzistuese. Këto zhvillime të rëndësishme, që në opinionin publik botëror u cilësuan si “Pranvera Arabe”, çuan në ndryshimin e regjimeve dhe qeverive në disa shtete.

Zhvillimet e javës së fundit në Marok ngritën pyetjen: “Mos vallë po vjen një valë e dytë e Pranverës Arabe?” Ditën e premte, më 28 tetor, forcat e sigurisë konfiskuan produktet e detit të peshkatarit Mouhcine Fikri. Ky i fundit u përpoq menjëherë për të marrë peshqit dhe produktet e tjera të detit nga kamioni i plehrave, por humbi jetën duke u shtypur nga makineria presuese e kamionit. Qarkullimi në median sociale i fotografisë së trupit të shtypur të peshkatarit bëri që pothuajse anembanë Marokut të organizohen demonstrata me pjesëmarrjen e dhjetëra-mijëra njerëzve. Kurse në Rabat, përpara ndërtesës së Parlamentit, masat protestuese kërkuan dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme.

Precedentët e peshkatarit maroken, Mouhcine Fikri dhe e shitësit ambulant tunizian, Mohamed Bouazizi, paraqesin ngjashmëri të rëndësishme. Që të dy ata vinin nga zonat e varfra dhe të shmangura të dy vendeve në fjalë. Që të dy ata u keqtrajtuan dhe u poshtëruan nga autoritetet shtetërore. Në këndvështrimin e masave, që të dyja vdekjet, e peshkatarit maroken dhe e frutashitësit tunizian, janë një rezultat i padrejtësisë, korrupsionit dhe pabarazisë, të konsoliduara nga regjimet politike aktuale.

Edhe pse kanë kaq shumë të përbashkëta, është e gabuar të pritet që protestat në Marok të shkaktojnë brenda një kohe të shkurtër përfundime të ngjashme me ato të viteve 2010-2011, qoftë në rajon, qoftë dhe në një shkallë më të ngushtë brenda vendit.

Mbi të gjitha, koniunktura politike arabe paraqet sot dallime mjaft të rëndësishme në krahasim me 6 vite më parë. Një tjetër faktor, mbi të cilin duhet qëndruar patjetër, është edhe ajo se kryengritjet arabe kanë marrë fund me përvoja të hidhura, me përjashtimin e vetëm të Tunizisë. Kërkesat shoqërore në shumicën e vendeve të Pranverës Arabe kanë përfunduar me zhgënjim. Jemeni, Libia dhe Siria po jetojnë ende sot luftëra civile të përgjakshme. Ndërsa Egjipti ka rënë nga shiu në breshër, pasi në këtë vend është shfaqur një regjim ushtarak i atillë, që po i bën njerëzit të luten për rikthimin e pushteteve represive të së kaluarës. Pra, duke parë gjithë këta shembuj të hidhur, shoqëria marokene do të jetë e para që s’do të dojë të jetojë një eksperiencë të ngjashme.

Gjithashtu regjimet politike rajonale kanë marrë tashmë masat më ekstreme për të penguar dhe neutralizuar çdolloj opozite politike. Me pretekstin e sigurisë, këto regjime po zbatojnë masat më të skajshme, të cilat konsiderojnë manifestimet si vepra kriminale, kufizojnë median, censurojnë internetin dhe pasivizojnë shoqërinë civile. Pikërisht këto masa janë kaq të efektshme, saqë për një kohë të shkurtër mund të luajnë rolin e dallgëthyeses për të pritur valën e dytë të Pranverës Arabe.

E parë nga dritarja e Marokut, vlen të theksojmë edhe se Rabati zyrtar ka përvojë të mjaftueshme për të menaxhuar kësisoj demonstratash në një hark kohor afatshkurtër. Aftësitë e saj në lidhje me këtë çështje qeveria marokene i kishte shpalosur qartazi përmes masave të marra gjatë kryengritjeve arabe në vitet 2010-2011. Në atë kohë, regjimi kishte arritur të qetësonte situatën duke iu përgjigjur pozitivisht një pjese të kërkesave popullore. Po ashtu shteti maroken tradicionalisht nuk është aq mosbesues sa regjimet e tjera të Afrikës Veriore ndaj protestave, përkundrazi, ai i shikon ato si një mekanizëm për të ulur presionin.

Rabati zyrtar ruajti qëndrimin e tij tradicional edhe kundër valës së re të protestave. Ai nuk bëri as ndërhyrjen më të vogël ndaj tyre dhe iu shmang hapave, që mund të shkaktonin humbjen e kontrollit. Mbreti urdhëroi që ngjarja të hetohet me urgjencë, publikoi një komunikatë me shkrim, ku shprehej solidarizim me protestuesit, si dhe dërgoi ministrin e Punëve të Brendshme, si përfaqësues të posaçëm, që të vizitojë familjen e peshkatarit Fikri për të shprehur ngushëllimet e sovranit dhe për të plotësuar nevojat emergjente të saj.

Sikurse në të kaluarën, Mbreti Muhamed VI arriti me sukses edhe këtë herë që të pozicionohet mbi palët e konfliktit ndërmjet shtetit dhe shoqërisë. Një kontribut të rëndësishëm në këtë sukses ka dhënë padyshim legjitimiteti tradicional, që institucioni mbretëror vazhdon të gëzojë në këndvështrimin e shoqërisë marokene. Përveç këtyre, sovrani maroken ruan ende forcën e tij influencuese mbi një masë mjaft të gjerë dhe besnike përmes aleancave, që ndërton falë një sistemi patronazhi monarkocentrik.

Pavarësisht se demonstratat e fundit në Marok s’kanë potencial për të krijuar një valë të dytë të Pranverës Arabe, ato duhet të merren seriozisht në konsideratë. Nuk duhet harruar që ankesat, të cilat u bënë shkak i rebelimit të popujve arabë në vitin 2011, s’janë eliminuar ende. Sistemi vijon të mbartë ende dobësitë dhe mangësitë e dikurshme. Amendamentet kushtetuese të kufizuara, që u bënë në 2011-n, nuk ishin të mjaftueshme për të ndryshuar në mënyrë radikale karakterin dhe natyrën e sistemit. Rrjedhimisht, shoqëria vazhdon ende të kacafytet me probleme të mëdha politike, ekonomike dhe sociale. Prandaj masat e çastit, që regjimi merr kundër çdo proteste, nuk janë gjë tjetër veçse një leukoplast i ri mbi plagën e vjetër, ndërkohë që vazhdojnë ende problemet themelore dhe shkaktare të protestave, siç janë margjinalizimi ekonomik, korrupsioni dhe dhuna policore. Në rast se dështimi në zgjidhjen e këtyre problemeve bëhet i qëndrueshëm, atëherë në të ardhmen s’do të jenë të mjaftueshme as masat për uljen e presionit.

 

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme