Clinton: Trump është kukull e Putinit

Kandidati republikan për president, Donald Trump deklaroi dje në mbrëmje vonë , në debatin e tretë presidencial, se rivalja e tij, Hillary Clinton, nuk gëzon respekt nga ana e presidentit rus, Vladimir Putin.

Clinton: Trump është kukull e Putinit

Clinton, nga ana tjetër, sugjeroi se Trump është kukulla e Kremlinit.

Në debatin e tretë, Clinton u pyet në lidhje me publikimin e email-ve, të  cilat vënë dyshim pozicionin e saj lidhur me emigracionin dhe kufijtë.

Këto dokumente elektronike janë vjedhur nga hakerat, që qeveria amerikane thotë se janë të lidhura ngushtë me qeverinë e Putinit, dhe të publikuara nga faqja e internetit “WikiLeaks”.

“Kjo vjen nga nivelet më të larta të qeverisë ruse, në mënyrë të qartë, nga vetë Putin, në një përpjekje për të ndikuar në zgjedhje, pas konfirmimit nga 17 agjencitë tona të inteligjencës”, deklaroi Clinton.

“Unë nuk e njoh Putinin”, tha manjati i Nju Jorkut, i cili dikur kishte deklaruar se njihej me liderin rus.

“Ai tha gjëra të këndshme për mua. Nëse ne do të shkonim mirë, kjo do të ishte diçka e mirë. Nëse Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë marrëdhënie të mira dhe së bashku luftojnë DAESH-in, kjo do të ishte në të mirë të të gjithëve”, deklaroi Trump.

“Por , lideri rus nuk ka respekt për Clinton”, pohoi ai.

“E pra, kjo për shkak se ai kërkon të ketë një kukull si president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, pohoi Clinton.

“Jo kukull!… Ti je kukull!”, ia ktheu Trump.

Clinton replikoi duke thënë se “është shumë e qartë se nuk do të pranosh se rusët kanë lidhje me sulmet kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, se ti inkurajove spiunazhin kundër popullit tonë, se jeni i gatshëm të ndiqni linjën e Putinit, të nënshkruari për listën e tij të dëshirave, të shpërbësh NATO-n, të bësh çfarëdo që Putin kërkon të bëjë dhe që ju të vazhdoni të merrni ndihmë nga ai, sepse ai ka një të preferuar shumë të qartë në këtë garë”.

Pavarësisht nga pohimet e qeverisë amerikane për përfshirje të nivelit të lartë nga Moska, Trump këmbënguli se “Clinton nuk ka asnjë ide nëse kjo është Rusia, Kina, apo dikush tjetër”.

“E pra, ai do të besojë më shumë, Vladimir Putinin se profesionistët ushtarake dhe civile të inteligjencës, të cilët janë betuar për të na mbrojtur”, përfundoi Clinton.



Lajme të ngjashme