Operacioni “Burimi i Paqes”

Qëllimi ynë është paqja
objektivi është terrorizmi

Koment – Zgjedhjet në Marok: Fitorja e dytë e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim

Një analizë në lidhje me rezultatet e zgjedhjeve parlamentare të 7 tetorit në Marok, të cilat sollën fitoren e dytë të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (PJD)...

Koment – Zgjedhjet në Marok: Fitorja e dytë e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim

Më datë 7 tetor 2016, në Marok u mbajtën zgjedhjet parlamentare. Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (PJD), një forcë politike me karakter mysliman-demokratik dhe partnere kryesore e koalicionit qeveritar në pushtet, rriti ndjeshëm votat dhe numrin e deputetëve të saj në parlament duke rezultuar partia fituese e zgjedhjeve me gjithsej 125 mandate. Ndërsa tri partneret e tjera të koalicionit qeverisës në Marok pësuan rënie të lehta të nivelit të popullaritetit, që rrjedhimisht sollën më pak përfaqësim në parlament. Të para nga aspekti procedural, zgjedhjet e përgjithshme në Marok u zhvilluan në një klimë relativisht transparente dhe në përputhje me standardet demokratike. Megjithatë shkalla e pjesëmarrjes në zgjedhje ra me 2 pikë përqindje në krahasim me ato të mëparshmet, pasi vetëm 43 për qind e votuesve kryen detyrën dhe përgjegjësinë shoqërore.

Bumin më të madh e regjistroi Partia për Dinjitet dhe Modernizëm (PAM), e cila doli e dyta nga zgjedhjet e përgjithshme në Marok. Ajo fitoi 102 mandate parlamentare, ndërkohë që më parë kishte vetëm 47 deputetë. Lideri i PAM-it, Ilyas el-Omari, më herët ka qenë këshilltar i mbretit maroken dhe njëherësh shok fëmijërie i tij. Strategjia elektorale e kësaj partie bazohej krejtësisht mbi një platformë anti-PJD, ndërsa retorika politike e saj i ka themelet në vijën e thyerjes shekullarizëm-islamizim. Një tjetër synim i Partisë për Dinjitet dhe Modernizëm është të shtyjë Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim jashtë qendrës.

Për të vlerësuar rezultatet e zgjedhjeve, çështja që duhet të shikojmë në fazë të parë është niveli i ulët i pjesëmarrjes. Po ashtu rreth 5 milionë zgjedhës nuk kanë marrë mundin as që të regjistrohen për të votuar. Kështu, të drejtën për të votuar e ka ushtruar vetëm 1/3 e popullsisë marokene, që kishte cilësinë e zgjedhësit.

Ky konkluzion shpalos realisht dështimin e partive marokene për të mobilizuar masat që të marrin pjesë në procesin politik dhe njëherësh dëshmon mosbesimin e shumicës dërrmuese të qytetarëve të Mbretërisë së Marokut ndaj politikanëve vendas. Sipas sondazheve jo të pakta në numër, mbi 55 për qind e marokenëve mendojnë se zgjedhjet nuk do të ndryshonin asgjë në jetën e tyre.

Në anën tjetër, zgjedhjet e fundit parlamentare në Marok treguan se pritma optimiste, që sundonte anembanë Afrikës së Veriut dhe Lindjes së Mesme në fazat e para të Pranverës Arabe, ishte jetëshkurtër. Gjatë kryengritjeve arabe të vitit 2011 demonstratat kapluan edhe Marokun, por mbreti arriti ta qetësonte situatën duke premtuar një sërë reformash. Në vijim, sovrani maroken i transferoi parlamentit disa nga kompetencat e tij duke dekretuar pa humbur kohë amendamentet e nevojshme ligjore. Ai pranoi gjithashtu që kryeministrin ta zgjedhë nga grupi parlamentar i asaj force politike, që do të fitonte zgjedhjet e përgjithshme, duke hequr dorë në këtë mënyrë nga e drejta e tij për të emëruar direkt një deputet të çfarëdoshëm me detyrën e formimit të qeverisë. Mes të tjerash, mbreti i caktoi kryeministrit edhe kompetencën për të shpërndarë parlamentin, një reformë kjo jashtëzakonisht e rëndësishme. Megjithatë ndryshimet e konsiderueshme në fjalë nuk mjaftuan për të eliminuar apo qoftë dhe për të zbutur sadopak perceptimin e shoqërisë marokene se “mbreti thotë fjalën e fundit për çdo zhvillim në vend”. Ideja se rezolutat e parlamentit janë realisht vendime të Pallatit Mbretëror vazhdoi të mbizotërojë. Për shumicën e marokenëve mbeti i qëndrueshëm gjykimi se parlamenti është një sallë, ku forcat politike s’bëjnë gjë tjetër veçse debatojnë në lidhje me disa tema të caktuara.

Mirëpo si arriti PJD-ja të marrë më shumë vota dhe të nxjerrë më tepër deputetë kur partnerët e vegjël të koalicionit qeverisës humbën pikë?

Ndërmjet viteve 2011-2016, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim në Marok ka udhëhequr dy koalicione qeveritare me kryeministër liderin e saj, Abdelillah Benkirane. Këto qeveri nuk rezultuan fort të suksesshme në lidhje me përmbushjen e premtimeve elektorale. E parashikuar të shkonte në mbi 7 për qind, rritja ekonomike e vendit mbeti nën nivelin 2 për qind. Qeveritë e drejtuara nga PJD-ja u detyruan të zbatojnë politika shtrënguese, jo shumë popullore në Marok; ndërkohë që papunësia dhe korrupsioni mbijetuan si probleme strukturore.

Megjithatë është pak e vështirë të argumentosh me performancën e dobët të ekzekutivit rënien e votave të partnerëve të vegjël të koalicionit qeveritar në Marok, ndërkohë që partnerja kryesore e tij, PJD-ja, ka shënuar rritje të dukshme.

Vlerësimi mund të bëhet vetëm duke përjashtuar dy forcat politike fituese të zgjedhjeve dhe duke klasifikuar në dy grupe partitë, që humbën vota apo që nuk arritën rezultatet e dëshiruara. Duket qartë që partitë e majta në skenën politike marokene po vuajnë përgjithësisht një rënie të popullaritetit. Madje as Partia e Federatës së Majtë Demokratike, një formacion i ri politik që u krijua përpara këtyre zgjedhjeve me bashkimin e tri partive të majta dhe që lakua jo pak në media, nuk arriti të fitojë dot më shumë se dy mandate parlamentare.

Kurse në kategorinë e dytë grupohen partitë më të qëndrueshme në skenën politike marokene, të cilat njihen si forca politike që ushtrojnë aktivitet nën tutelën mbretërore. Dështimin e këtyre partive në zgjedhjet e fundit mund ta shpjegojmë përmes dy faktorëve.

Së pari, këto parti kanë humbur besueshmërinë e zgjedhësve për shkak të politikanëve të vjetër, të konsumuar dhe pa vizion në radhët e tyre. Së dyti, tutela mbretërore kishte përcaktuar tashmë një adresë të re për veten e saj në radhët e forcave politike dhe kjo ishte Partia për Dinjitet dhe Modernizëm. Rrjedhimisht, një pjesë e rëndësishme e votave besnike të monarkut shkuan për PAM-in. Mirëpo, duke qenë se kjo e fundit e ka ndërtuar platformën e saj zgjedhore qëllimisht mbi vijën e thyerjes shekullarizëm-islamizëm, ajo arriti suksesshëm të marrë edhe jo pak vota të zgjedhësve laikë të partive të tjera. Kësaj kategorie i përkasin tri forca politike partnere të koalicioneve qeveritare me në krye Partinë për Drejtësi dhe Zhvillim.

Për hir të së vërtetës, fatura e performancës së dobët të qeverisë nga aspekti ekzekutiv i është prerë në përgjithësi sistemit në Marok. Opinioni se premtimet e bëra nga Pallati Mbretëror në kuadër të Pranverës Arabe nuk kanë rezultuar gjë tjetër veçse një fasadë apo makijazh për sistemin e vjetër, u bë një faktor shtytës që zgjedhësit të mos reagojnë.

Dakord, por si mund të shpjegohen votat plus të PJD-së dhe pozita aktuale e kësaj force politike sipas rezultateve të zgjedhjeve?

Ajo çfarë duhet të theksojmë që në fillim është se një gabim i madh do të ishte që rritja e numrit të votave të PJD-së sa të nxjerrë 18 deputetë më shumë të vlerësohej si ndikim i jashtëzakonshëm i islamit politik në shtetin maroken. Sepse rreth 32 për qind e totalit të votave të vlefshme, rezultat i arritur nga kjo parti në zgjedhjet e 7 tetorit, është e barasvlershme me gati 10 për qind të elektoratit të përgjithshëm.

Ndonëse kështu, lehtësisht mund të themi që Partia për Drejtësi dhe Zhvillim në Marok ka tashmë një bazë sociale të qëndrueshme. PJD-ja ia ka dalë me sukses të bëhet një parti e identifikuar me një pjesë të rëndësishme të shoqërisë marokene.

Sakaq, vlen të theksohet se kjo parti ka luajtur gjithashtu rolin e një aktori politik, që reflekton në qendër forcat sociale përreth, fenomen që e kemi vërejtur edhe shtetet e tjera myslimane. PJD-ja transferon shtresat margjinale të shoqërisë në qarkun e mbyllur të politikës monarkocentrike dhe këtë e bën pa tronditur ekuilibrat e brishta politike. Partia për Drejtësi dhe Zhvillim është përfaqësuesja e sotme e misionit, që kishte e majta demokratike mes viteve 1998-2007. Domethënëse në këtë pikëpamje është sidomos ajo që e gjithë strategjia zgjedhore e Partisë për Dinjitet dhe Modernizëm, njohur gjerësisht si forca politike e mbretit, bazohej krejtësisht mbi një platformë anti-PJD.

 Pavarësisht reformave, pushteti politik në Marok vazhdon të mbahet nga mbreti dhe rrethi i ngushtë i familjes mbretërore. Meqenëse pesha e sovranit mbi sistemin vazhdon të ndihet ende, atëherë kemi të bëjmë me praninë e një regjimi autoritar konkurrues. Sipas një sondazhi publik të kohëve të fundit, 82 për qind e marokenëve mendojnë se shteti është i korruptuar nga koka deri te këmbët, ndërsa 91 për qind e tyre besojnë se në Marok është e pamundur të gjesh punë pa pasur një mik të fortë.

 

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme