Operacioni i Mosullit vazhdon, çlirohen fshatra të reja

Vazhdon me gjithë shpejtësinë në ditën e dytë të saj ofensiva e filluar për çlirimin e qytetit Mosul të Irakut nga organizata terroriste DAESH.

Operacioni i Mosullit vazhdon, çlirohen fshatra të reja

Në kuadër të operacionit, 9 fshatra përreth qytetit janë çliruar nga forcat Peshmerge, me të cilat luftojnë edhe Gardistët e Ninovas, të cilët janë stërvitur nga ushtarë turq.

Kurse ushtarët irakianë kanë siguruar kontrollin në 13 fshatra të tjera të zonës.

Në fshatrat e spastruara deri më tani nga organizata terroriste DAESH nuk është rastisur në popullatë civile.

Ndërsa 5 zona që ndodhen në pjesën veriore të qytetit të Mosullit, që supozohet të ketë 2 milionë banorë, janë rrethuar plotësisht nga forca të ndryshme të armatosura.

Kurse pjesa jugore e Mosullit është çliruar plotësisht nga elementët e organizatës terroriste DAESH.

Qyteza al-Kajara, e cila ndodhet në zonën juglindore dhe 60 km larg nga qendra e qytetit, kontrollohet nga ushtria irakiane.

Në rajon janë prezentë reparte të ushtrisë së Irakut, ku një vend të rëndësishëm zënë forcat e armatosura Peshmerge, të varura nga Qeverisja Rajonale Kurde në veri të Irakut, grupi shiit Hashdi Shabi, Gardistet e Ninovas, të stërvitur këta nga ushtarët turq, njësi të Komandës së Forcave Speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe forcat e fiseve lokale.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes (Pentagoni) deklaroi se ushtria irakiane në ditën e parë të operacionit të Mosullit ka përparuar më shumë se parashikimet.

Zëdhënësi i Pentagonit, Peter Cook, tha para gazetarëve se në operacion (për çlirimin e Mosullit) në frontin e parë luftojnë ushtria irakiane me forcat Pershmerge, kurse trupat amerikane ofrojmë mbështetje nga prapa.

Në lidhje me pjesëmarrjen e ushtarëve turq në Operacionin e Mosullit, Cook theksoi se kjo është një çështje që duhet zgjidhur ndërmjet dy vendeve (Turqi-Irak).

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) i stimulojnë të dyja vendet (Turqinë dhe Irakun) për të zgjidhur problemet që kanë, u shpreh zëdhënësi i Pentagonit duke shtuar se armiku i përbashkët është organizata terroriste DAESH.

Kurse Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnes në mbledhjen ditore me gazetarët tha se Amerika nuk ka një kalendar në lidhje me afatin e mbarimit të Ofensivës së Mosullit.

“Mendojmë se operacioni do të marrë pak kohë. Për të mbajtur deri në fund në dorë qytetin terroristët e DAESH-it nuk do të hezitojnë të rrezikojnë as jetët e njerëzve të pafajshëm”, cilësoi Josh Earnest.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë tha se operacioni nuk udhëhiqet nga forcat amerikane. “Trupat tona atje janë pajisur për të luftuar, por roli i tyre është të këshillojnë forcat irakiane që marrin pjesë në këtë operacion dhe të ofrojnë ndihmën e tyre”, shtoi ai.

Ndërsa Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mark Toner, bëri të ditur se në Irak ka një qeveri të zgjedhur dhe në operacionin e Mosullit forcat amerikane janë atje vetëm për të trajnuar dhe këshilluar forcat irakiane.

Gjenerali Stephen Townsend, një nga komandantët e koalicionit ndërkombëtar që është krijuar nën udhëheqjen e ShBA-së kundër DAESH-it, tha se rimarrja e Mosullit nga duart e organizatës terroriste DAESH mund të zgjasë disa javë, ose më shumë.

“Situata tregon se operacioni do të jetë një luftë e gjatë dhe e ashpër, vetëm se irakianët janë përgatitur për këtë (operacionin) dhe ne si koalicion do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë tyre”, tha Townsend.

Ndërkaq shtatmadhoria franceze deklaroi se në jug të Mosullit është shkatërruar një depo municioni.

4 avionë luftarakë francezë janë ngritur nga baza ajrore në Jordani, kurse 3 të tjerë nga aeroplanmbajtëse “Charles de Gaulle” në Mesdhe.

Nga ana tjetër më 25 tetor në Paris do të mbahet një takim ndërkombëtar për operacionin e Mosullit.

Takimi do të organizohet nga Ministria franceze e Mbrojtjes me pjesëmarrjen e ministrave të 12 vendeve.

Në këtë mbledhje do të vlerësohet situata e deritanishme lidhur me operacionin e përbashkët.



Lajme të ngjashme