ShBA paralajmëron Rusinë për përballje me sulme terroriste

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë paralajmëruar se në rast të vazhdimit të luftës civile në Siri, sulmet e disa grupeve radikale mund të dalin jashtë kufijve dhe akte terroriste mund të ketë madje edhe në qytetet e Rusisë.

ShBA paralajmëron Rusinë për përballje me sulme terroriste

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby në konferencën ditore me gazetarët bëri vlerësime në lidhje me luftën civile që vazhdon në Siri dhe e paralajmëroi Rusinë për sulme të mundshme të grupeve radikale në Siri.

“Në rast se lufta civile në Siri do të vazhdojë, atëherë grupet radikale në Siri mund ta shfrytëzojnë këtë situatë dhe mund ti zgjerojnë operacionet. Nuk ka dyshim që një gjë e tillë mund të mos jetë në përshtatje me interesat e Rusisë dhe me këto sulme mund të përballen madje edhe qytetet ruse”, nënvizoi Kirby.

“Në qoftë se konflikti vazhdon, atëherë kjo do të dëmtonte edhe ushtarët rusë që luftojnë në Siri”, shtoi zëdhënësi Kirby, duke shtuar se “ushtarët rusë në vendin e tyre mund të kthehen në thasët e kufomave. Rusia mund të humbasë burimet e saj  dhe më shumë avionë luftarakë”.

Në lidhje me përfundimin e luftës civile në Siri, zëdhënësi Kirby përsëriti edhe një herë se kjo është në përgjegjësinë e Rusisë.

“Sekretari Kerry ka thënë se përgjegjësia (për mbarimin e luftës në Siri) vazhdon të jetë tek Rusia, ndërsa ka shtuar se duhet lejuar dërgimi i ndihmave humanitare në zonat e duhura”, u shpreh Kirby.

“Ne ndjejmë një shqetësim të thellë nga sulmet që Rusia dhe regjimi i Beshar Esadit kryejnë kundër civilëve dhe spitaleve në Siri. Sekretari Kerry i ka shprehur qartë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj për këtë ngarkojnë me përgjegjësi Rusinë”, nënvizoi Kirby.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry e kishte paralajmëruar Rusinë për t’u dhënë fund sulmeve në Halep, duke paralajmëruar për pezullimin e marrëveshjes dypalëshe në lidhje me rregullat e angazhimit në Siri në rast se këto sulme nuk do të ndërpriteshin.

Pas këtij reagimi të ashpër të Kerry, Rusia kishte hedhur hap prapa dhe kishte deklaruar se ishin gati për normalizimin e gjendjes në Halep.

Vetëm se këto deklarata të administratës amerikane ngjallën reagime në anën ruse.

Zv.ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Ryabkov, reagoi ashpër ndaj deklaratave të zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby se “terroristët mund të sulmojnë qytetet ruse”.

“është e pamundur të arrish diku me politika kërcënuese”, tha Ryabkov.

Ryabkov e cilësoi si “mbështetje ndaj terrorizmit” deklaratën e John Kirby-it, i cili kishte thënë se “qytetet ruse mund të përballeshin me sulme në rast se lufta civile në Siri do të zgjaste akoma”.

Zëvendësministri rus, Ryabkov rikujtoi se Moska kishte propozuar një armëpushim 48-orësh me qëllim shpërndarjen e ndihmave në qytetin e Halepit në Siri.

“Për zgjidhjen e çështjeve lidhur me ndihmat humanitare propozuam ndërprerje njerëzore (humaniare) 48-orëshe. Mirëpo partnerët tanë amerikanë janë fiksuar tek kërkesa e tyre për një armëpushim 7-ditor, për arsye që i dinë vetëm ata. Propozimi ynë për një ulje të armëve për 48 orë qëndron ende mbi tryezë, ndërsa afate 7-ditore (për armëpushim) për ne janë të papranueshme”, u shpreh Ryabkov.



Lajme të ngjashme