Riadi: Ligji për 11 shtatorin do të prekë të gjitha vendet, përfshi SHBA-në

Ministria e Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite reagoi përmes një komunikate ndaj miratimit në SHBA të projektligjit “për drejtësi kundër sponsorëve të terrorizmit”, që njihet ndryshe edhe si drafti për 11 shtatorin...

suudi arabistan 11 eylül yasası tepki.jpg

Ministria e Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite reagoi përmes një komunikate ndaj miratimit në SHBA të projektligjit “për drejtësi kundër sponsorëve të terrorizmit”, që njihet ndryshe edhe si drafti për 11 shtatorin.

Në këtë komunikatë të Riadit zyrtar bëhen vlerësime në lidhje me ligjësimin e projektrezolutës, që lejon të afërmit e viktimave të sulmeve të 11 shtatorit 2001 të padisin Arabinë Saudite, pasi ishte miratuar fillimisht në Senat e pak ditë më parë me 2/3 e votave edhe në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Miratimi i kësaj projektrezolute është bërë një burim shqetësimi madhor në prezencën e vendeve kundërshtuese të parimit ‘për dobësimin e pacenueshmërisë së sovranitetit’, një traditë efektive në marrëdhëniet ndërkombëtare prej qindra vitesh”, thuhet në deklaratën e MPJ saudite.

Kjo situatë – thekson komunikata në fjalë – do të ketë efekte negative te Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe te të gjitha vendet.

“Drafti ‘për drejtësi kundër sponsorëve të terrorizmit’ është kundërshtuar dhe denoncuar nga vetë Presidenti i SHBA-së, Barack Obama, por edhe nga sekretari i Mbrojtjes, shefi i Shtabit të Përgjithshëm dhe kreu i CIA-s”, rikujtohet në deklaratën e MPJ saudite, që nënvizon gjithashtu se ajo (projektrezoluta për 11 shtatorin) është kritikuar ashpër edhe nga shumë vende të botës.

Pretendohet se terroristët e sulmeve të 11 shtatorit mund të jenë ndihmuar nga autoritete dhe agjentë të inteligjencës saudite.

Arabia Saudite ka mohuar çdo lloj përfshirjeje në sulmet më të rënda terroriste, që janë kryer ndonjëherë në SHBA; ndërkohë që 15 nga gjithsej 19 anëtarët e organizatës terroriste Al-Kaida, të cilët morën pjesë në sulmet e 11 shtatorit, u identifikuan si shtetas sauditë.

Sipas pretendimeve të shumë mediave, Arabia Saudite kishte kërcënuar më herët se do të tërhiqte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës të gjitha investimet e saj, që kapin një vlerë totale rreth 750 miliardë dollarë, në rast se projektrezoluta do të miratohej.

Vetë Obama, i cili sqaroi se arsyeja përse kishte vendosur veton ishte ajo se ligji “për drejtësi kundër sponsorëve të terrorizmit” do të minimizonte rolin e presidentit për të realizuar politikën e jashtme, argumenton se ky ligj do të krijojë probleme ligjore për amerikanët, që jetojnë jashtë vendit, si dhe do të dëmtojë interesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me vendet e tjera.



Lajme të ngjashme