Obama-Merkel dënojnë sulmet “barbare” ruse dhe të regjimit në Halep

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA), Barak Obama dhe Kancelarja gjermane, Angela Merkel kanë dënuar fuqishëm sulmet “barbare” të Rusisë dhe regjimit sirian në Halep.

putin-merkel.jpg

Në një komunikatë me shkrim të Shtëpisë së Bardhë thuhet se Obama me Merkelin kanë realizuar një bisedë telefonike, me theks të veçantë zhvillimet e fundit në Siri dhe situatën aktuale në Ukrainë.

Në këtë bisedë telefonike Obama dhe Merkel “kanë dënuar në formë të fuqishme sulmet barbare që Rusia bashkë me regjimin sirian kanë bërë në Halep, ku jetojnë me qindramijëra civilë, gjysma e të cilëve janë fëmijë”, vijon komunikata.

Liderët janë të një mendimi për sa i takon “dhënies fund të luftimeve në Siri” dhe që Rusia me regjimin sirian kanë një përgjegjësi të veçantë “në dërgimin e ndihmave humanitare të OKB-së në zonat nën rrethim”, bën të ditur Shtëpia e Bardhë përmes komunikatës në fjalë.

Ndërsa në lidhje me çështjen e Ukrainës, gjithnjë sipas komunikatës, Obama mbështet fuqishëm përpjekjet aktuale të Katërshes së Normandisë (të kryesuar nga Gjermania me Francën dhe ku bëjnë pjesë dhe Rusia me Ukrainën) për të vënë në jetë në mënyrë të gjithanshme marrëveshjen e arritur më 2014-n në Minsk.

Të dy liderët u kanë bërë apel të gjitha palëve në Ukrainë për të respektuar vazhdimin e armëpushimit të arritur, ndërsa kanë theksuar rëndësinë që ka dërgimi i vëzhguesve ndërkombëtarë në rajonet e prekura nga konflikti.

Ndërkaq kancelarja gjermane Angela Merkel ka realizuar një bisedë telefonike me Kryetarin e Shtetit të Rusisë, Vladimir Putin, me të cilin ka biseduar për çështjet e Ukrainës dhe Sirisë.

Sipas një komunikate të zyrës së shtypit të Kremlinit Putin dhe Merkel në këtë bisedë telefonike kanë folur për situatën e fundit në lindje të Ukrainës dhe për procesin që vazhdon në kuadër të marrëveshjes së Minskut, dhe në lidhje me këtë çështje është përcaktuar edhe një kalendar takimesh të nivele të ndryshme.

Putin dhe Merkel kanë shkëmbyer mendime edhe në lidhje me çështjen e Sirisë, duke nënvizuar se shoqëria ndërkombëtare duhet të bëjë përpjekje për ndalimin e luftimeve në këtë vend.

Putin nga ana e tij vuri theksin në rëndësinë që ka mbajtja e premtimit të ShBA-së për të siguruar dallimin e “opozitarëve të moderuar” nga grupet terroriste në Siri, njofton ndër të tjera komunikata e Kremlinit.



Lajme të ngjashme