Analizë – Zonat e sigurta në Siri do të shpëtojnë jetët, njerëzimin tonë

Nëse 5 vitet e fundit të luftës në Siri na kanë mësuar diçka, ajo është se zonat e sigurta janë i vetmi opsion i zbatueshëm për të ndalur vrasjet masive të çmendura, shkatërrimin e qyteteve dhe fluksin e qindra-mijëra refugjatëve...

Analizë – Zonat e sigurta në Siri do të shpëtojnë jetët, njerëzimin tonë

Halepi po digjet nën sytë spektatorë të botës. Thirrja e bërë nga Turqia për formimin e zonave të sigurta në Siri është urgjente dhe jetike sa kurrë ndonjëherë. Mosveprimi i komunitetit ndërkombëtar shërben vetëm për të përgatitur terrenin e barbarizmit të regjimit të Esadit, për të përhapur kërcënimin e DAESH-it dhe për të shkaktuar zhdukjen e më shumë jetëve të pafajshme.

Që nga falimentimi i armëpushimit të brishtë, arritur së bashku nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusia më 9 shtator, qindra njerëz kanë vdekur në sulmet ajrore të forcave të regjimit të Beshar Esadit. Vetëm më 25 shtator, 60 persona, shumica e tyre gra dhe fëmijë, u vranë në Halep. Qyteti historik, një simbol i kulturës, artit dhe tregtisë, si dhe një mozaik njerëzor, ka parë disa nga sulmet më të rënda ajrore që nga fillimi i konfliktit sirian në vitin 2011.

Duket qartë se qëllimi i regjimit të Esadit është të zhdukë nga faqja e dheut të gjithë qytetin dhe banorët e tij në mënyrë që të shkatërrojë një nga bastionet e forcave opozitare. Kapaciteti i këtij regjimi për të bërë mizori dhe masakra, që shkojnë deri në gjenocid, është provuar me dhjetëra herë. Ai ka manipuluar çdo përpjekje për një armëpushim, ndërprerje të armiqësive dhe/ose negociata politike vetëm për të fituar kohë e për të vazhduar me strategjinë e tij tronditëse dhe tmerruese. Me mbështetje ushtarake nga Rusia, Irani, Hizbullahu dhe grupet e tjera të milicisë, regjimi po zhurit tokën në Halep çdo ditë me dhjetëra sulme ajrore dhe bomba fuçi vdekjeprurëse. Masakrat e tij nuk kursyen as autokolonat me ndihma të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Dhe të gjitha këto barbarizma regjimi i ka bërë gjatë javës së sesionit 71. të  Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së duke tallur paturpësisht dhe sfiduar haptazi komunitetin ndërkombëtar.

Siç e kam thënë edhe më parë, Rezoluta 2254 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, adoptuar më 18 dhjetor 2015, është dashur të vizatojë një kornizë të re dhe të caktojë një kalendar për t'i dhënë fund luftës, të sjellë ndihma humanitare dhe të fillojë procesin e tranzicionit politik për një qeveri legjitime, demokratike dhe gjithëpërfshirëse në Siri. Ajo është menduar gjithashtu për të ndihmuar në luftën kundër DAESH-it.

Marrëveshja Mynihut për “Ndërprerjen e Armiqësive”, miratuar më 11 shkurt 2016, duhej të përgatiste terrenin për bisedimet e udhëhequra nga Kombet e Bashkuara në Gjenevë. Jo çuditërisht, regjimi ka shfrytëzuar përsëri bisedimet për të përparuar duke shkelur të gjitha marrëveshjet. Siç konfirmojnë edhe zyrtarë të OKB-së, regjimi i Esadit ka shkelur vazhdimisht Rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Marrëveshjen e Mynihut për “Ndërprerjen e Armiqësive”, si dhe armëpushimin e 9 shtatorit në mënyrë sistematike. Ai ka bombarduar zonat civile dhe ato të kontrolluara nga opozita në Idlib, në veri të Latakias dhe në Halep duke vrarë qindra civilë e penguar ndihmat humanitare që të mbërrijnë te personat në nevojë.

Nuk është e nevojshme dhe s’ka kurrfarë kuptimi që regjimit të Esadit t’i jepet një tjetër “justifikim paqeje”. Bandës kriminale në Halep nuk i intereson as paqja dhe as tranzicioni politik. Ajo nuk mund të tolerojë as që ndihmat humanitare t’u dorëzohen civilëve. Është marrëzi të presësh mëshirë nga një përbindësh.

Çfarëdo që të jetë e ardhmja e këtij konflikti ushtarak, komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë për të mbrojtur civilët në Halep dhe në pjesën tjetër të vendit. Mënyra më e mirë për të bërë këtë është krijimi i zonave të sigurta për popullsinë civile. Nëse pesë vitet e fundit të kësaj lufte të pamëshirshme na kanë mësuar diçka, ajo është se krijimi i zonave të sigurta rezulton i vetmi opsion i zbatueshëm për të ndalur këto vrasje masive të çmendura, shkatërrimin e qyteteve dhe dyndjen e mijëra refugjatëve drejt Turqisë dhe pjesës tjetër të botës.

Zonat e sigurta do të ndihmojnë për të mbrojtur civilët nga masakrat pa dallim të regjimit të Esadit dhe të DAESH-it, dy përbindësha binjakë të luftës në Siri. Kjo do të ulë numrin e refugjatëve dhe do të mundësojë një strehë për popullin e zhvendosur brenda vendit. Do t’u japë Kombeve të Bashkuara dhe institucioneve të tjera shans e kohë të vyer për të koordinuar punën e tyre në lidhje me ndihmat humanitare. Gjithashtu do t'i japë popullit sirian një fije shpresë se ai nuk është vetëm dhe se komuniteti ndërkombëtar është atje për të mbrojtur atë. Kjo është në interesin e të gjitha palëve të interesuara, përfshi SHBA-në dhe Evropën.

Ky nuk është një synim i pamundur të arrihet. Kostoja politike dhe ushtarake, nëse ka, është mjaft më e zbehtë në krahasim me vuajtjet njerëzore të sirianëve dhe dështimin e plotë të çdo procesi politik gjatë pesë viteve të fundit. Të ashtuquajturat “komplikime” në krijimin dhe mbrojtjen e zonave të sigurta në Siri duket se janë më tepër justifikime, sesa shqetësime reale. Lufta kundër DAESH-it, për aq sa ka pasur sukses, ka qenë jo më pak e rrezikshme ushtarakisht.

Përfitimet e formimit të zonave të sigurta do të jenë kolosale: Ato do të mbrojnë civilët, do të detyrojnë regjimin e Esadit që të ulet në tavolinën e bisedimeve, do të zvogëlojë numrin e refugjatëve, do të fuqizojë grupet e opozitës siriane të moderuar kundër regjimit dhe DAESH-it në zonat e mbrojtura, si dhe do të sjellin deri diku një farë ekuilibri në konfliktin sirian.

Është shumë herë më domethënëse, si politikisht ashtu edhe moralisht, të kërkosh rrugët e krijimit të zonave të sigurta në Siri, sesa t’i lutesh regjimit kriminal të Esadit për armëpushim ose paqe. Komuniteti ndërkombëtar zotëron mjetet e nevojshme për realizimin e këtij objektivi. Kësaj, megjithatë, i mungon vullneti politik dhe vizionin moral që është zhdukur nga politikat globale në një mënyrë të ardhur keq dhe skandaloze. Nëpërkëmbja më e madhe morale e kohës sonë nuk mund të tolerohet më gjatë, sidomos nëse marrim parasysh që njerëzimi ynë po vdes së bashku me popullin sirian.

 

Autor: Ibrahim Kalin - Zëdhënës dhe zv/sekretar i përgjithshëm i Presidencës së Republikës së Turqisë

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme