Abbas dhe Netanyahu debatojnë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së

Abbas thotë se vendbanimet hebreje minojnë përpjekjet për zgjidhjen e problemit ndërsa Netanyahu përgjigjet duke thënë se kjo nuk është çështja kryesore mes nesh.

Abbas dhe Netanyahu debatojnë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara u bë skenë e debatit mes Presidentit të Palestinës, Mahmud Abbas dhe Kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu.

Abbas tha se vendbanimet hebreje të ndërtuara në territoret e pushtuara janë duke minuar zgjidhjen e problemit me dy shtete.

“Më duhet të bëj një paralajmërim, planet e Izraelit për zgjerimin e vendbanimeve hebreje janë duke shkatërruar edhe ato pak shanse që kanë mbetur nga plani i bazuar në zgjidhjen e problemit me dy shtete sipas kufijve të vitit 1967. Kolonët hebrenj veprojnë pothuajse si një grup terrorist. Ata sulmojnë familjet palestineze. Ne do të luftojmë me të gjitha forcat tona që Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të marr një rezolutë në lidhje me terrorin e kolonëve hebrenj dhe vendbanimet hebreje”, ka thënë Abbas.

Në fjalimin e tij të mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme, Abbas akuzoi Izraelin për ndjekjen e një politike spastrimi ndaj palestinezëve, ndërsa shtoi se populli palestinez nuk do të pranoj zgjidhje të përkohshme.

Abbas, i cili akuzoi Izraelin për kolonializëm dhe ekspansionizëm, në mes tjerash tha: “A dëshiron Izraeli me të vërtet paqe? A është i gatshëm për të heq dorë nga mentaliteti i ekspansionizmit dhe kolonializmit?”

Duke thënë se “Izraeli luan me zjarr dhe se nuk dihet se cili do të jetë rezultati i kësaj”, Abbas bëri të ditur se prej Deklaratës së Balfourit, e cila i premtonte hebrenjve një shtet kanë kaluar pothuajse 100 vjet, ndërsa ftoi Anglinë të kërkoj falje nga populli palestinez për këtë çështje.

Ndërkaq Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ndaj akuzave të Abbasit se “Izraeli nuk dëshiron paqe, por zgjidhje me një shtet” i bëri thirrje liderit palestinez për të mbajtur një fjalim në Parlamentin e Izraelit.

Netanyahu gjithashtu tha se edhe ai do të mund të mbaj një fjalim në Parlamentin e Palestinës.

Ndërsa në përgjigje të akuzave në lidhje me vendbanimet hebreje Netanyahu i iku çështjes duke thënë se “Kjo nuk është çështja kryesore mes nesh”.



Lajme të ngjashme