Koment – Vështirësitë përballë qeverisë së re në Tunizi

Një analizë në lidhje me vështirësitë e shumta dhe të mëdha, me të cilat duhet të përballet qeveria e re bashkimit kombëtar në Tunizi...

573930
Koment – Vështirësitë përballë qeverisë së re në Tunizi

Tunizia, vendi i vetëm që vazhdon të qëndrojë në këmbë pas transformimit demokratik të Pranverës Arabe, po përballet me probleme mjaft serioze në lidhje me ekonominë dhe sigurinë. Qeveria e bashkimit kombëtar e Kryeministrit Youssef Chahed, i cili u ngarkua nga Presidenti Mohamed Beji Caid Essebsi me detyrën e formimit të kabinetit të ri, më datë 26 gusht 2016 mori votëbesimin e Parlamentit me 127 vota “pro”  dhe 22 “kundër”. Kabineti Chahed është qeveria e 7-të që pas revolucionit të vitit 2011. Rreth një muaj më herët, më 31 korrik, 118 deputetë të Parlamentit të Tunizisë votuan në favor të një mocioni mosbesimi ndaj qeverisë pararendëse të drejtuar nga teknokrati i pavarur Habib Essid, sidomos për shkak të performancës së dobët në fushën e ekonomisë, duke sjellë kështu fundin e mandatit të saj.

Qeveria e bashkimit kombëtar, që u formua rishtazi nga Kryeministri Chahed, paraqet një veçori të rrallë duke qenë se është ajo me pjesëmarrjen më të gjerë dhe më gjithëpërfshirëse në historinë e Tunizisë. Edhe pse një koalicion i mundshëm ndërmjet Partisë Thirrja e Tunizisë (Nidaa Tounes) dhe Lëvizjes an-Nahda do të kishte një shumicë dërrmuese në Parlament, Youssef Chahed preferoi të ndërtojë një qeveri të bashkimit kombëtar, ku përfshihen të gjitha formacionet politike dhe shtresat shoqërore të vendit. Arsyet e kësaj zgjedhjeje të shefit të ri të qeverisë tuniziane janë problemet mjaft serioze, me të cilat vendi është i detyruar të përballet, si dhe një sërë vendimesh radikale që duhet të merren. Vetëm se vendi nuk ka shumë kohë për të humbur me fërkime dhe luftë politike. Rrjedhimisht, formimi i një qeverie me pjesëmarrje të gjerë, ku të marrin përgjegjësi të gjitha grupet politike dhe shtresat shoqërore të vendit, dukej se ishte pothuajse zgjidhja e vetme.

Kabineti i ri, që u formua si rezultat i përpjekjeve për të bashkuar dhe përfshirë gati-gati çdo forcë politike, spikat njëherësh jo vetëm për moshën e tij relativisht të re, por edhe për emërimin e 8 grave në poste ministrore.

Gjatë fjalimit të tij në Parlament përpara votimit të mocionit të besimit më 26 gusht, Kryeministri Chahed u zotua për këto çështje:

  • Transparencë dhe përgjegjësi karshi popullit tunizian.
  • Masa të rrepta ekonomike dhe sigurie për kapërcimin e krizës aktuale.
  • Synimi parësor i masave të rrepta është sigurimi i stabilitetit politik.
  • Besnikëri të përhershme ndaj frymës demokratike të revolucionit të 2011-s.

Një tjetër pikë e rëndësishme, që bie në sy te kabineti i ri në Tunizi, është konfirmimi i ministrit të Mbrojtjes, i atij të Punëve Brendshme dhe i ministrit të Punëve të Jashtme të qeverisë së mëparshme në postet e tyre edhe në administratën Chahed. Kjo nënkupton gjithashtu miratimin e progresit të shënuar nga qeveria pararendëse në fushën e sigurisë. Megjithatë aktet e dhunës së shkaktuar nga Al-Kaida, veçanërisht në zonat e varfra të vendit, tregojnë se situata e rëndë nuk është eliminuar plotësisht dhe vijon të mbetet një kërcënim serioz. Tunizia ka rreth 11,5 milionë banorë; por nga atje është pjesëmarrja më e lartë e luftëtarëve në radhët e DAESH-it midis vendeve të Afrikës Veriore.

Lehtësisht mund të themi se ndër treguesit më të fuqishëm të vështirësive ekonomike, me të cilat po përballet Tunizia, janë pikërisht emërimet në këto poste ministrore. Lamia Zeribi, të cilës Kryeministri Chahed i dorëzoi Ministrinë e Ekonomisë dhe Financës, është një emër i rëndësishëm me karrierë të suksesshme në sektorin bankar; ndërkohë që të njëjtin post në qeverinë e mëparshme të drejtuar nga Habib Essid e mbante ekonomisti Slim Chaker, një ish-këshilltar i Bankës Botërore.

Ekonomia tuniziane është kryesisht e varur nga turizmi; por destabiliteti politik, që vijon prej vitit 2011 e këtej, si dhe aktet terroriste, të cilat kanë shënuar rritje sidomos në 2-3 vitet e fundit, i kanë dhënë një goditje shumë të rëndë këtij sektori jetik për Tunizinë. Peshë mjaft të madhe për këtë vend kanë gjithashtu garancitë kreditore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe partneriteti ekonomik me Bashkimin Evropian. Përmes masave të rrepta për kapërcimin e krizës ekonomike, qeveria e re synon të rrisë të ardhurat dhe të reduktojë shpenzimet publike. Natyrisht që kjo situatë do të ketë efekte negative veçanërisht në sigurimet shoqërore dhe në sektorin shtetëror të shëndetësisë. E qartë është edhe se më të prekurit nga ky zhvillim do të jenë shtresat me të ardhura të mesme dhe të ulëta. Po ashtu të paevitueshme do të jenë edhe shkurtimet në sektorin publik. Nëse marrim parasysh dimensionet serioze të krizës së papunësisë në Tunizi, s’ka asnjë dyshim se do të rezultojë një recetë mjaft e hidhur. Kjo gjendje shpalos qartë edhe nevojën e padiskutueshme për një qeveri të bashkimit kombëtar.

Në muajin qershor, FMN-ja miratoi një kredi me vlerë 2,9 miliardë dollarë për Tunizinë, që po vuan probleme ekonomike tepër të rënda. Në të njëjtën kohë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i premtuan këtij shteti afrikanoverior një kredi prej rreth 500 milionë dollarësh. Mes prioriteteve të Tunizisë ia vlen të përmendet edhe plani për të realizuar një rritje ekonomike, që krijon punësim. Shkalla e papunësisë, e cila në radhët e të rinjve shkon deri në 25%, vlerësohet si një nga shkaqet më të rëndësishme, që i shtyn të rinjtë drejt radikalizmit. Rritja ekonomike e ngadaltë në Tunizi, jo më shumë 2% gjatë disa viteve të fundit, nuk shërben për asgjë tjetër veçse për thellimin e krizës në vend.

Qeveria e Kryeministrit Youssef Chahed duhet të ndërtojë dhe të ruajë një ekuilibër tepër delikat: Të përballojë vështirësitë ekonomiko-financiare, të bindë një popull të lodhur dhe të irrituar në lidhje me recetën e hidhur të politikës së stabilitetit, si dhe të garantojë respektimin e të drejtave dhe lirive demokratike në rast të një shpërthimi social të mundshëm.

Realiteti më i qartë i Tunizisë së sotme formohet nga një klimë sigurie e tensionuar dhe një rend politik i brishtë. Kjo situatë paraqet një cilësi shqetësuese në aspektin e hapave, që qeveria tuniziane do të bëjë për rritjen ekonomike të vendit. Megjithatë, pavarësisht të gjitha këtyre problemeve, ky vend ka siguruar përfitime të rëndësishme në kuadër të demokratizimit që nga revolucioni i vitit 2011 e këtej. Produkt i një vullneti popullor, i cili nuk dëshiron të humbasë asnjë prej këtyre përfitimeve, është edhe vetë qeveria e bashkimit kombëtar, që u formua pak javë më parë nga Kryeministri Chahed dhe që përfshin spektrin e gjerë politik dhe shoqëror të Tunizisë.

 

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme