Lajçak: Samiti i Bratislavës duhet të diskutojë rigjallërimin e BE

Samiti i Bratislavës duhet të diskutojë rigjallërimin dhe jo mbijetesën e Bashkimit Evropian, thuhet në një editorial të ministrit të Jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak, një kopje e të cilit iu dërgua ATSh-së.

Lajçak: Samiti i Bratislavës duhet të diskutojë rigjallërimin e BE

”Këtë javë, gjithë vëmendja është drejtuar nga Bratislava. Liderët e 27 vendeve anëtare do të takohen në kryeqytetin sllovak për të diskutuar të ardhmen e projektit evropian. BE është goditur nga një numër krizash”, shkruan Lajçak.

”Pres dhe jam i bindur që samiti jozyrtar i Bratislavës do të fillojë procesin e identifikimit se çfarë shkoi keq në BE dhe se çfarë unioni duam të kemi dhe të ndërtojmë pas largimit të Britanisë së Madhe. Unë shpresoj se samiti do të fillojë një proces për rigjallërimin e Evropës, përndryshe ne duhet të luftojmë për mbijetesën e saj”, thekson kryeministri sllovak.

”Fokusi i këtij samiti duhet të përqëndrohet te gjërat që shqetësojnë më shumë evropianët. Siguria në të gjitha format e saj, siguria ekonomike, siguria në punë, siguria sociale, siguria e brendshme dhe terrorizmi si edhe siguria klimatike”, shton Lajçak.

”Jam i bindur se, nëse shohim dështimet e së kaluarës si një mundësi për t’i bërë gjërat më mirë, atëhere suksesi do të vijë. Me të vërtetë besoj se Bratislava do të fillojë një proces nëpërmjet të cilit një Bashkim Evropian i ri, entuziast, i qartë, i kuptueshëm dhe më i bashkuar do të marrë jetë”, përfundon editorialin e tij ministri i Jashtëm sllovak, Miroslav Lajçak, vendi i të cilit mban presidencën e radhës të Bashkimit Evropian.



Lajme të ngjashme