Koment – Jemeni, në prag të fatkeqësisë së madhe

Një analizë në lidhje me situatën e rrezikshme humanitare si pasojë e luftës civile në Jemen, ku, brenda një kohe të shkurtër, bota mund të bëhet dëshmitare e fatkeqësisë së parë të madhe të shekullit XXI me burim urinë dhe zinë...

566191
Koment – Jemeni, në prag të fatkeqësisë së madhe

Jemeni, vend ky që muajin e shenjtë të Ramazanit e kaloi plot vuajtje, gjatë këtyre pak ditëve, që na ndajnë nga Kurban Bajrami, po rrokulliset tashmë drejt një katastrofe. Sot, në këtë vend, po vazhdohet një luftë civile, që shkakton vështirësi e probleme të panumërta për shumicën dërmuese të popullit. Dhe çdo palë aktive e kësaj lufte është përgjegjëse në lidhje me këto vështirësi e probleme të vendit. Në pjesët qendrore, ato veriore dhe në kryeqytetin Sanë të Jemenit dominojnë rebelët huthi dhe shtresat përkrahëse të aleatit të këtyre të fundit, ish-presidenti Ali Abdullah Saleh. I rrethuar nga rebelët e armatosur  huthitë, në qytetin Taiz jetojnë rreth 90 mijë gra shtatzëna, sipas shifrave të muajit gusht. Por rreth 4 mijë e 500 prej tyre bëjnë pjesë në grupin e shtatzënisë me rrezik të lartë për shkak të luftës. Përpara se të niste kjo luftë civile, në Taiz, qyteti i tretë më i madh jemenas, kishte gati 20 spitale të një niveli të kënaqshëm, ndërsa sot ato numërohen me gishtat e vetëm një dore dhe kushtet e tyre janë për faqe të zezë.

Sakaq, e pranishme në Jemen që prej fillimit të viteve 2000, Al-Kaida duket se është fuqizuar edhe më shumë. Palë e luftimeve aktuale në vend u bë edhe Al-Kaida, e cila i shikon huthitët shiitë si armikun e saj natyror. Kjo situatë nuk shkaktoi as reagimin e qeverisë, që 18 muaj më parë u dëbua nga Sana prej rebelëve huthi, por që ende njihet ndërkombëtarisht, as edhe të aleatëve të saj të brendshëm e të jashtëm. Gjithashtu situata i hapi rrugën Al-Kaidës që të marrë nën kontroll direkt autoritetin në qendrat e disa vendbanimeve. Por, kohët e fundit, shohim se dëmet e gjendjes në fjalë janë vërejtur nga fronti antihuthi, që është hedhur në veprim kundër Al-Kaidës.

Tjetër strukturë, që ka përfituar nga kaosi në Jemen, është edhe DAESH-i. Më 28 gusht, kjo organizatë bëri një sulm-atentat në Aden, qyteti i dytë më i madh i vendit dhe seli e përkohshme e qeverisë legjitime, duke shkaktuar vdekjen e 71 personave. Sulmet e ngjashme me këtë të fundit të DAESH-it nuk kanë munguar as më parë.

Koordinatori i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ndihmat Humanitare, Jamie McGoldrick, njoftoi më datë 30 gusht se të paktën 10 mijë persona kanë humbur jetën si pasojë e luftës civile 18-mujore në Jemen. Ndërsa për ata, që i ndjekin nga afër zhvillimet në këtë vend, ky s’është veçse një parashikim konservator; sepse përfshin vetëm humbjen e regjistruara. Shumë vëzhgues rajonalë dhe ndërkombëtarë theksojnë se mbi 10 mijë është vetëm numri i të vrarëve në radhët e civilëve.

Sipas deklaratës së koordinatorit McGoldrick, rreth 3 milionë jemenas janë detyruar të shpërngulen dhe 200 mijë prej tyre kanë emigruar jashtë shtetit, ndërkohë që më tepër se gjysma e popullsisë 26-milionëshe të këtij vendi ka nevojë urgjente për ndihma ushqimore. Gjithashtu afro 7 milionë banorë të Jemenit përballen çdo ditë me atë që quhet pasiguri ushqimore. Por, siç bëjnë të ditur organizata të ndryshme të shoqërisë civile, nevojë urgjente për ndihma ushqimore ka rreth 80% e popullsisë së vendit, ndërkohë që numri i të kërcënuarve nga pasiguria ushqimore është 15 milionë.

Madje situata në Jemen ka marrë përmasa të atilla, që po shtyn miliona njerëz drejt fatkeqësisë së urisë dhe zisë. Në kushtet aktuale, mbi 320 mijë fëmijë vuajnë nga kequshqyerja ekstreme. Edhe pse nuk ka shifra të sakta, shumë burime njoftojnë se një numër i madh fëmijësh të porsalindur vdesin për shkak të kequshqyerjes dhe sistemit shëndetësor të rrënuar për shkak të luftës. Siç parashikojnë shumë vëzhgues rajonalë dhe ndërkombëtarë, në një të ardhme të afërt Jemeni do të bëhet skenë e vdekjeve masive si pasojë e mungesës së ujit dhe barnave.

Realisht, problemi i urisë në Jemen nuk është një situatë e re. Prej një kohe të gjatë, ky vend renditet pothuajse në fund të klasifikimit të Indeksit të Zhvillimit Njerëzor (HDI). Megjithatë zhvillimet pas vitit 2011, krahas keqqeverisjes së vendit prej vitesh të tëra, bënë që problemi në fjalë të marrë përmasat e sotme të papara ndonjëherë më herët. Lufta civile, që nisi pas destabilitetit politik të viteve 2011-2014, solli me vete rrezikshmëri të lartë për këtë situatë. Mungesa e karburantit dhe kufizimet e importit, pasoja direkte të luftimeve, shfaqen si një problem jashtëzakonisht serioz në një vend që plotëson nga jashtë 90% të nevojës për mallrat bazë të konsumit.

Ajo çka duhet theksuar mbi të gjitha është se faktori më i madh, që rëndon akoma më shumë problemin ekzistues të urisë dhe zisë në Jemen, rezulton shfrytëzimi i artikujve ushqimorë si të ishin armë apo mjete lufte. E parë nga ky aspekt, duket qartë se palët e përfshira në konflikt kanë përgjegjësi dhe rol të drejtpërdrejtë në këtë problem.

Koalicioni rajonal, që mbështet qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të Presidentit Abd Rabbuh Mansur Hadi, ka vënë nën bllokadë të gjitha portet kryesore të Jemenit dhe, për pasojë, qytetarët nuk furnizohen dot në kohë dhe rregullisht me artikuj ushqimorë, ilaçe, karburant e shumë mallra të tjera me peshë jetike. Në anën tjetër, edhe kur në treg mund të gjendet ndonjë produkt, shumica dërrmuese e popullsisë e ka të pamundur për ta blerë me ato çmime stratosferike, që janë rritur për shkak të luftës. Sipas të dhënave zyrtare të vitit 2010, nën kufirin e varfërisë jetonte një e treta e popullsisë jemenase. Sot, nën këtë kufi jeton 80% e qytetarëve të vendit. Përveç bllokadës, vihet re se forcat përkrahëse të administratës Hadi pengojnë gjithashtu organizatat humanitare, qofshin ato vendore, rajonale apo ndërkombëtare, që të dërgojnë ndihma në zonat e kontrolluara nga huthitët. Por edhe nëse sigurohet leja për këtë gjë, një tjetër problem janë urat mbi itinerarin rrugor për dërgimin e ndihmave humanitare, pasi 90% e tyre rezultojnë jashtëpërdorimit për shkak të luftës.

Rol dhe përgjegjësi të madhe në këtë problem jetik ka gjithashtu koalicioni i formuar nga rebelët huthi dhe ish-presidenti Saleh. Në Aden, përpara se të dëboheshin nga ndërhyrja saudite e korrikut 2015, si dhe sot në Taizin e rrethuar aktualisht prej tyre, është pothuajse e pamundur që populli të furnizohet me ujë, ushqime dhe karburant.

Në rast se luftimet s’marrin fund një orë e më parë dhe nuk plotësohen urgjentisht nevojat bazë të jemenasve për ushqime dhe shërbime shëndetësore, atëherë le të dihet se njerëzimit i ka mbetur vetëm pak kohë për të dëshmuar fatkeqësinë e parë të madhe të shekullit XXI me burim urinë dhe zinë. Prandaj komuniteti ndërkombëtar duhet t’i përcaktojë vetes një pozicion ndryshe nga ai i tanishëm në lidhje me këtë problem, ku mbështet njërën palë luftuese dhe i kundërvihet tjetrës. Duhen gjetur pa humbur kohë emëruesit e përbashkët, të cilët do të mundësonin terrenin e përshtatshëm për të mbledhur palët luftuese rreth një tavoline bisedimesh në lidhje me zgjidhjen e çështjes.

 

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme