Analizë – A mund të jetë paqësore ushtria?

Një analizë nga gazetari Erdal Simsek në lidhje me konceptet “luftë për paqe” dhe “luftë parandaluese”, që po shkaktojnë çdo ditë vdekjen e qindra njerëzve në botë, sidomos në rajonin e Lindjes së Mesme dhe në Siri.

Analizë – A mund të jetë paqësore ushtria?

Militarizmi dhe forcat ushtarake ndjekin politikën “luftë për paqe”. Njerëzimi vazhdon t’i dëgjojë këto fjalë që prej fillimit të shekullit të 20-të. Veçanërisht pas regjimeve komuniste, kjo frazë kapërceu të gjithë kufijtë dhe zuri vend në fjalorin e përditshëm të njerëzve anembanë rruzullit përmes mjeteve të komunikimit masiv (masmedia).

Duke qenë se “luftë për paqe” ishte bërë tashmë filozofia bazë e shteteve ekspansioniste, ushtritë i dizajnuan konceptet e tyre të reja të mbrojtjes pikërisht sipas kësaj fraze. Si forcat e armatosura të vendeve komuniste ashtu edhe ato të botës perëndimore, veçuan për shpenzimet ushtarake një pjesë të rëndësishme të kursimeve ekonomike të shoqërive të tyre për të mbajtur gjallë vazhdueshëm këto strategji. Mjerisht, shtetet harxhonin për konceptet e mbrojtjes ushtarake mbi dhjetëfishin e buxhetit të shëndetësisë dhe kërkimeve mjekësore madje edhe në periudhat kur virusi më i thjeshtë gripal shkaktonte vdekje masive të njerëzve.

Filozofia “luftë për paqe” nuk i ka dhënë njerëzimit aspak lumturi e qetësi deri më sot. Trashëgimia më e madhe, që kjo mendësi i ka lënë njerëzimit, ka qenë përherë vdekja dhe shkatërrimi.

Ndërsa tani, konkurrenca afro qindvjeçare “luftë për paqe” ka arritur përmasat e çmendurisë duke u transformuar në “luftë parandaluese” (luftë preventive). Vendet ushtarakisht të fuqishme nisën të pushtojnë dhe të kolonizojnë shtetet apo zonat e pafuqishme, të cilat kanë resurse ekonomike, nën pretekstin e “luftës parandaluese”.

Çuditërisht, koncepti “luftë preventive” është shfaqur po atë vit që ra edhe blloku sovjetik. Pra, menjëherë pasi Bashkimi Sovjetik jetësoi politikën e Perestrojkës (ristrukturimi) dhe shpalli botërisht humbjen në konkurrencën ushtarake, Shtetet e Bashkuara të Amerikës vunë në zbatim konceptin “luftë parandaluese” duke pushtuar Irakun nën pretekstin se ish-presidenti i këtij vendi, Saddam Husein, të cilin më parë e mbështesnin fuqishëm politikisht dhe me armatime, ushtronte aktivitete në kundërshtim me interesat e tyre.

Përpara Irakut, gjithnjë me të njëjtat motivime, SHBA-ja kishte pushtuar me rreth 30 mijë trupa Panamanë, shtet i vogël me jo më shumë se 3-5 mijë ushtarë. Dhe e gjithë kjo luftë ishte për të rrëzuar, arrestuar dhe çuar në SHBA Gjeneralin Manuel Antonio Noriega, i cili kishte punuar për vite të tëra për CIA dhe ishte ngjitur në pushtet me ndihmën e vetë asaj.

Si të mos mjaftonin Panamaja dhe Iraku, Shtetet e Bashkuara të Amerikës pushtuan gjithashtu Afganistanin, këtë herë duke nxjerrë si justifikim regjimin e Talebanit, kur në fakt Uashingtoni ishte i pari që e njohu themelimin e tij në Afganistan.

Koncepti i luftës parandaluese vazhdon sot me gjithë vrazhdësinë e tij në Afrikën Veriore, Irak dhe Siri, ku çdo ditë masakrohen me dhjetëra fëmijë, gra, të moshuar e civilë. I vetmi motivacion është vijimësia e konceptit “luftë preventive”, pjellë e llastuar e pararendësit “luftë për paqe”, ndërkohë që justifikimi për këto masakra, të cilat vijnë si pasojë e pushtimit, është instalimi i demokracisë.

Shteti i Republikës së Turqisë pozicionohet mu në qendër të këtij rajoni, ku përditë masakrohen qindra njerëz dhe bombardohen shtëpi, lagje e qytete të tëra për instalimin e demokracisë. Dhe autoritetet shtetërore turke u përpoqën me këmbëngulje të shpjegojnë politikat e tyre kundër luftës. Nuk u bënë pjesë e lojërave gjakpirëse të aleatëve të tyre. Kjo politikë nuk ndiqet vetëm nga politikanët civilë turq, por edhe nga Forcat e Armatosura të Turqisë.

Ushtria turke ka një të kaluar 5-mijëveçare dhe është një nga dy ushtritë më të vjetra në botë. Historia e Forcave Tokësore Turke është më e hershme se sa Mbretëria e Bashkuar. Nëse shikojmë agresivitetin e ushtrive aleate të saj në NATO, atëherë vakumi pushtetar dhe ushtarak që ishte formuar përreth ushtrisë turke, e cila gëzon një akumulim historik dhe kulturë perandorake kolosale, duhej të ishte mbushur me metodën e pushtimit.

Por ushtria turke nuk i la terren të lirë këtij oportunizmi. Madje hapi të gjitha akademitë e saj për rimëkëmbjen e ushtrive të shpartalluara të fqinjëve të saj. Ajo trajnon kadetët dhe studentët ushtarakë të dhjetëra shteteve, nga Pakistani deri në Algjeri dhe nga Sudani deri në Somali.

Një nga veçoritë më të spikatura dhe më humanitare të ushtrisë turke është ndalja e gjakderdhjes në vendet ku ajo ndërhyn me armë. Pra, në vendet, ku ndërhyn ushtari turk, vjen paqja dhe qetësia.

Të dyja ndërhyrjet, që ushtria turke ka realizuar gjatë shekullit të fundit, kanë parandaluar masakra të mëdha dhe kanë vendosur armëpushim absolut në ato zona. E para prej këtyre ndërhyrjeve ushtarake është zbarkimi në Qipro, ndërsa e dyta është ajo në Manbij.

Ishulli i Qipros u bë skenë e masakrave masive për 14 vite me radhë përpara se Forcat e Armatosura të Turqisë të zbarkonin në atje. EOKA, një organizatë terroriste grekoqipriote, ka vrarë barbarisht mijëra turq qipriotë, por edhe shumë grekoqipriotë në favor të paqes. Ushtria e Mbretërisë së Bashkuar, shtet garantues në ishull, qëndroi spektatore ndaj një gjenocidi të mundshëm ndaj turqve në Qipro duke përsëritur heshtjen e saj të viteve 1940, teksa çifutët bënin gjenocid kundër palestinezëve në Palestinë.

Organizata terroriste grekoqipriote EOKA, udhëhequr nga lideri i saj Nikos Sampson dhe inkurajuar nga kjo heshtje e trupave britanike, bëri grusht shteti dhe rrëzoi qeverinë legjitime në Qipro. Kur nuk kishte më një regjim dhe një sistem të ligjshëm, ushtria turke zbarkoi në Qipro duke garantuar sigurinë e jetës së turqve dhe grekëve qipriotë.

Që nga zbarkimi i ushtrisë turke në vitin 1974 e këtej, Qiproja është kthyer në një ishull paqeje dhe qetësie, ndërkohë që turqit dhe grekët qipriotë jetojnë të sigurt, larg terrorit dhe kaosit.

Po ashtu, paqja nuk ka mbërritur ende as në Siri, ku, si të mos mjaftonte lufta civile që prej vitit 2011, avionët luftarakë të dhjetëra shteteve – me në krye SHBA-në, Rusinë dhe Mbretërinë e Bashkuar – lëshojnë me qindra tonë bomba. Të paktën 500 mijë sirianë kanë humbur jetën dhe rreth 10 milionë të tjerë janë bërë refugjatë. Aleatët e Turqisë, të cilët injorojnë prej vitesh tezën e Ankarasë zyrtare për një zonë të sigurt, janë njëherësh bashkautorë dhe shkaktarë të kësaj masakre.

Gati dy javë më parë (24 gusht 2016), ushtria turke filloi një operacion në zonën veriore të Sirisë. Terroristët e DAESH-it, që forcat tokësore dhe ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë, Rusisë, Mbretërisë së Bashkuara, Iranit dhe Sirisë nuk kanë arritur dot t’i shkulin vendit prej tashmë 5 vitesh, nuk rezistuan dot as 2 orë përballë një regjimenti tankesh dhe gati 1.500 trupave të ushtrisë turke. Vetëm Forcat Ajrore të SHBA-së kanë bërë 2.000 sulme në Siri. Ndërsa avionët turq kryen 12 sulme ajrore dhe kjo mjaftoi që ushtria turke të vendoste sigurinë në veri të lumit Eufrat. Nga ajo ditë e deri më sot, mijëra sirianë janë kthyer në atdheun e tyre.

Ushtria turke, e cila nuk beson në konceptet “luftë për paqe” dhe “luftë preventive”, i ka dhënë përsëri një mësim të mirë të gjithë botës, që duhet t’i vijë turp. Dhe ai mësim është ky: Nëse dëshirojnë, ushtritë mund të sjellin paqen; mjafton që fjalën paqe të provojnë ta jetësojnë pa e shfrytëzuar dhe lakuar atë.

 

Autor: Erdal Simsek - Gazetar i pavarur

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme