SHBA: Përdorimi i bazës iraniane nga avionët rusë e bën më komplekse situatën në Siri

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë reaguar ndaj përdorimit të bazave ajrore në Iran nga Rusia me qëllim për të goditur objektivat në Siri, duke pretenduar se kjo i përkeqëson kushtet në terren dhe i bën gjërat më komplekse.

SHBA: Përdorimi i bazës iraniane nga avionët rusë e bën më komplekse situatën në Siri
Avionët rusë përdorin bazën iraniane për operacionet në Siri
Avionët rusë përdorin bazën iraniane për operacionet në Siri

Amerika reagon ndaj përdorimit të bazave ajrore iraniane nga avionët rusë për kryer operacione në Siri.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) kanë reaguar ndaj përdorimit të bazave ajrore në Iran nga Rusia me qëllim për të goditur objektivat në Siri.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mark Toner në konferencën ditore për mediat në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve në lidhje me këtë çështje, përdorimin e bazave ajrore e vlerësoi kështu: “Një gjendje për të ardhur keq. Por jo diçka e papritur apo surprizë për ne”.

Mark Toner u shpreh se kjo situatë (përdorimi i bazës ajrore) i vështirëson edhe më shumë kushtet në Siri dhe i bën gjërat atje më komplekse.

Vazhdojnë hulumtimet lidhur me atë se Rusia e ka përdorur vetëm një herë bazën ushtarake iraniane, apo kemi të bëjmë me një leje që do të vazhdojë, sqaroi Toner, duke rikujtuar se ekziston edhe një rezolutë e OKB-së që ndalon përdorimin e hapësirës ajrore iraniane nga avionët luftarakë.

“Në qoftë se më herët nuk është marrë leje nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së, atëherë kjo (përdorimi i bazave ajrore) përbën shkelje të rezolutës numër 2231, e cila ndalon mbështetjen, shitjen dhe transferimin e avionëve luftarakë në Iran”,- nënvizoi Toner, duke sqaruar se juristët janë duke punuar mbi këtë çështje dhe po hulumtojnë detajet. 

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit tha se Sekretari John Kerry kishte realizuar në lidhje me këtë çështje një bisedë telefonike me homologun rus Sergey Lavrov. Në këtë bashkëbisedim Kerry i kishte përcjellë Lavrovit shqetësimet e palës amerikane.

Vetëm se përdorimi i bazës ajrore iraniane nga Rusia nuk do të jetë pengesë për bashkëpunimin ushtarak ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Rusisë në Siri, tha Toner duke shtuar se “situata nuk kishte arritur ende në atë pikë”.

Nga ana tjetër sipas shtypit rus, Rusia ka aplikuar për të marrë leje për të përdorur hapësirën ajrore të Iranit dhe Irakut. Këtë leje Rusia e do për raketat e tipit “Cruise”, që planifikon të lëshojë nga flota që ka në Detin Kaspik me destinacion objektivat e parapërcaktuara në Siri, pasi këtyre raketave u duhet të kalojnë në hapësirën ajrore iraniane dhe irakiane.

Analistët thonë se përdorimi i bazës ajrore në Iran ua ka lehtësuar punën avionëve luftarakë rusë dhe konfirmojnë edhe atë që Rusia është tashmë një aktor kryesor në Lindjen e Mesme.

Avionët luftarakë rusë të tipit Tupolev, duke qenë se janë shumë të mëdhenj nuk mund të mbahen në bazën ajrore Hmeymim në Siri. Për të kryer operacione në Siri këtyre avionëve u duhej të ngriheshin nga bazat ajrore në jug të Rusisë.



Lajme të ngjashme