Japoni – Perandori Akihito shpreh publikisht dëshirën për t’u tërhequr

Me një fjalim të rrallë në televizion, Perandori Akihito i Japonisë njoftoi sot dëshirën e tij për t’u tërhequr vullnetarisht nga froni...

Japoni – Perandori Akihito shpreh publikisht dëshirën për t’u tërhequr

Perandori Akihito i Japonisë njoftoi sot dëshirën e tij për t’u tërhequr vullnetarisht nga froni.

Sovrani japonez, 82 vjeç, u shpreh i shqetësuar në lidhje me aftësinë e tij për t’u marrë me detyrimet që i takojnë, gjatë një fjalimi drejtuar kombit nga televizioni.

Duke sugjeruar modifikime të ligjeve që e detyrojnë atë të qëndrojë në fron deri në fund të jetës së tij, Akihito e arsyetoi vendimin në fjalë me moshën e avancuar dhe përkeqësimin e vazhdueshëm të shëndetit të tij.

“Fatmirësisht gëzoj ende shëndet relativisht të mirë. Megjithatë, kur shoh shëndetin tim të përkeqësohet me kalimin e kohës, shqetësohem mbi vështirësitë për të përmbushur funksionet e mia si simbol i shtetit”, deklaroi ai në një fjalim të rrallë në televizion.

Nga ana tjetër, Perandori Akihito nuk ka përmendur fjalën abdikim, pasi Kushtetuta e Japonisë nuk ia lejon. Një term i tillë do të konsiderohej si një veprim politik, që karta themelore e ndalon.

Sakaq, ai kritikon vakumin në sistemin e mbretërimit duke u shprehur se “mendon që është e pamundur të vazhdohen politikat lehtësuese të detyrave të perandorit, sepse kjo do të linte në detyrë një perandor, roli i të cilit është bosh në thelb”.

Akihito, i cili mbretëron prej më shumë se 27 vitesh në emër të përmbushjes së paqes, sugjeroi në një mënyrë të fshehur dëshirën e tij për të modifikuar regjimin perandorak për t’i mundësuar transferimin e funksioneve, teksa është ende në jetë, tek djali i tij i madh, Naruhito, Princi i Kurorës së Japonisë.

Kryeministri japonez, Shinzo Abe, deklaroi se qeveria do të shqyrtojë me seriozitet maksimal vullnetin e Perandorit Akihito për t’u larguar nga froni.

Lindur më 23 dhjetor 1933, Akihito është perandori i 125-të i Japonisë. Ai u kurorëzua më datë 7 janar 1989, pas vdekjes së babait të tij, Hirohito. I renditur në vendin e 20-të në listën e liderëve më jetëgjatë, Akihito është sundimtari i vetëm botëror me titull “Perandor”.

Princi Trashëgimtar, 56-vjeçari Naruhito, pritet të ulet në fronin japonez në rast se i ati abdikon.

Naruhito ka vetëm një vajzë, Aiko – Princesha Toshi, me gruan e tij Masako, Princeshën e Kurorës së Japonisë, e cila nuk ka të drejtë mbi fronin sipas ligjit aktual të trashëgimisë.

Kjo do të jetë tërheqja e parë nga froni në 200 vitet e kaluara. I fundit që abdikoi ishte Perandori Kokaku, në 1817-n.



Lajme të ngjashme