Koment – Ramazani i vuajtur në Jemen; lufta dhe dinamikat

Një analizë në lidhje me konfliktin e armatosur në Jemen, dinamikat që formojnë bazën e kësaj lufte 14-mujore dhe krizën humanitare të shkaktuar prej saj.

Koment – Ramazani i vuajtur në Jemen; lufta dhe dinamikat

Jemeni është shteti më i varfër i Lindjes së Mesme arabe dhe prej 14 muajsh skenë e një lufte me pasoja sociale mjaft serioze. Gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, që sapo lamë pas, jemenasit janë viktimizuar nga vuajte me përmasa të papërshkrueshme. Armëpushimi, që nisi në prill dhe vijoi për gati 2 muaj, kishte paraqitur një shans të vogël për eliminimin e trajtimeve të padrejta dhe viktimizimit. Por në planin e veprimit, që është propozuar nga emisari i posaçëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Jemenin, ka pasur një mosmarrëveshje në lidhje me renditjen dhe përparësinë e fazave përbërëse të tij.

Realisht palët i pritën në mënyrë pozitive propozimet e të dërguarit special të OKB-së në Jemen, Ismail Ould Cheikh Ahmed. Në mesin e propozimeve radhiteshin disa kushte, më të rëndësishmet prej tyre ishin tërheqja e rebelëve (huthitët dhe njësitë ushtarake besnike të ish-presidentit Ali Abdullah Saleh, aleatë të tyre) nga të gjitha territoret e pushtuara që prej vitit 2014, përfshi kryeqytetin Sanë; dorëzimi i armëve të rënda nën kontrollin e milicisë dhe formimi i qeverisë së unitetit. Mirëpo rebelët huthi kërkuan që si hap i parë të emërohet një president konsensual në krye të qeverisë së përkohshme të unitetit. Ata ngulën këmbë në kushtin që Abd Rabbuh Mansur Hadi, lideri i qeverisë jemenase të njohur nga komuniteti ndërkombëtar, të qëndrojë edhe në drejtimin e qeverisë së tranzicionit; ndërkohë që mandati i tij 2-vjeçar kishte marrë fund dhe, ç’është më e rëndësishmja, një rol me peshë madhore në shpërthimin e krizës aktuale ka luajtur pikërisht qeverisja dështake e tij në periudhën e tranzicionit të mëparshëm.

Për më tepër, pala e Presidentit Hadi theksoi edhe se tërheqja e huthitëve dhe e aleatëve të tyre nga qytetet e pushtuara, si dhe çarmatimi i tyre, përbën një çështje shumë më prioritare sesa vetë formomi i qeverisë së unitetit. Rrjedhimisht, përleshjet e armatosura rinisën pas një pauze gati dymujore.

Lufta, që vazhdon prej 14 muajsh në Jemen, është kthyer aktualisht në një krizë humanitare serioze, ndërkohë që pjesa dërrmuese e popullatës së këtij vendi jetonte në kushte tepër të vështira madje edhe përpara shpërthimit të konfliktit të armatosur. Tani situata është rënduar akoma më shumë. Ndërprerjet e gjata të energjisë elektrike, mungesa e ujit, temperaturat e larta mbi 40o celsius në mjaft zona të Jemenit, si dhe varfëria e përgjithshme që mbizotëron në vend, e bënë jashtëzakonisht të vështirë për jemenasit muajin e shenjtë të Ramazanit, që lamë pas vetëm pak ditë më parë. Sëmundjet epidemike, të cilat rezultojnë me vdekjen e fëmijëve, janë bërë pjesë e jetës së përditshme në Jemen.

Si pasojë e operacioneve, që koalicioni arab nën udhëheqjen e Riadit ndërmori në këtë vend gjatë periudhës prill 2015 – maj 2016, humbën jetën të paktën 9.136 civilë; 18 për qind e të cilëve ishin gra dhe 24 për qind fëmijë. Ndërsa numri i të plagosurve llogaritet në mbi 16.000 persona.

Mjaft rrugë, ura, aeroporte, spitale dhe shkolla janë tashmë jashtë përdorimit për shkak të operacioneve. Strehimi dhe jetesa është e pamundur në mbi 325.000 banesa. Rreth 2,8 milionë njerëz janë shpërngulur nga vendlindja e tyre si pasojë e këtyre bombardimeve dhe luftimeve intensive. Shumë OJQ lokale dhe globale, ku ia vlen të përmendet Organizata Ndërkombëtare e Amnistisë (Amnesty International - AI), pretendojnë se koalicioni arab ka përdorur bomba thërrmuese, të ndaluara me Konventën mbi Municionet Thërrmuese (CCM).

Afro 15 milionë qytetarë të Jemenit përballen me problemin dhe shqetësimin e pasigurisë ushqimore, ndërkohë që më se gjysma e tyre e jetojnë këtë makth në fazat më të avancuara.

Sipas koordinatorit të OKB-së për Ndihmat Humanitare në Jemen, situata në këtë vend përbën një nga krizat aktuale më të rënda në botë. Shkaqe të tjera të rëndësishme të vdekshmërisë foshnjore në Jemen janë gjithashtu kequshqyerja dhe uria. Përveç mungesës dhe pamjaftueshmërisë së asortimenteve ushqimore, shtrenjtësia është një tjetër problem madhor. Shumë familje nuk janë në gjendje të blejnë as produktet ushqimore, që mund të gjenden në treg, për shkak të mungesës së fuqisë blerëse apo fuqisë së ulët kundërvepruese blerëse. Rreth 80 për qind e popullsisë jemenase ka nevojë për ndihma humanitare në përmasa të ndryshme.

Kombet e Bashkuara u bënë thirrje vendeve anëtare që të japin për Jemenin ndihma me vlerë 1,8 miliardë dollarë amerikanë deri në fund të vitit 2016. Por aktualisht është plotësuar vetëm 17 për qind e kësaj shume.

Mirë, po përse luftohet në Jemen?

Arsyeja, që lakohet shpeshherë në media, është lufta me prokurë, që milicët huthi, të cilët pushtuan kryeqytetin Sanë në shtator të 2014-s, bëjnë në Jemen për llogari të Iranit. Rrjedhimisht, ata janë nxitur nga Irani kundër Arabisë Saudite.

Por kush janë huthitët?

Milicët huthi, që veten e quajnë “Ansar Allah”, përbëhen nga shiitët zaidistë dhe rrjedhin nga zona malore kufitare me Arabinë Saudite. Ata formojnë një të tretën e popullsisë së Jemenit. Irani i mbështet fuqishëm huthitët dhe kjo nuk është sekrete.

Megjithatë influenca iraniane në Jemen nuk duhet hiperbolizuar edhe aq shumë, pasi huthitët nuk gëzojnë mbështetjen e të gjithë zaidistëve. Po ashtu, jo të tërë zaidistët janë simpatizantë të Iranit. Ndjekës i zaidizmit është edhe vetë ish-presidenti jemenas, Ali Abdullah Saleh, i cili për momentin duket një bashkëpunëtor i rebelëve huthi. Por gjatë presidencës së Salehut marrëdhënie të ngushta u ndërtuan përgjithësisht me sauditët. Falë ndihmës së konsiderueshme të Arabisë Saudite, Salehu ka luftuar plot 6 herë kundër huthitëve në të kaluarën. Arsyeja e bashkërendimit të sotëm të huthitëve me Salehun nuk është përkatësia e tyre sektare e njëjtë. I çaktivizuar politikisht, ish-presidenti jemenas i shikon milicët huthi si një instrument, që mund ta rikthejnë atë efektiv në politikën e vendit. As pushtimi i Sanës nga huthitët, që ishin viktimë e shtypjeve të vazhdueshme të qeverisë qendrore, nuk erdhi për shkak të direktivave të Teheranit. Pasi ç’është e vërteta rebelët huthi s’kanë as fuqi të mjaftueshme për të sunduar të gjitha territoret e Jemenit. Si një grup, që më parë ka luftuar plot 6 herë kundër Salehut, realisht ata nuk kanë besim tek ky i fundit. Vetëm se huthitët e vlerësuan situatën si një koniunkturë të përshtatshme për të demonstruar se ata janë tashmë një nga faktorët themelorë të pushtetit.

Çështja thelbësore e shqetësimit të Arabisë Saudite nuk ishte shfaqja e një regjimi proiranian në Jemen. Kush më mirë sesa vetë sauditët mund ta dijë që ish-presidenti Saleh, i cili kishte dalë tashmë jashtë kontrollit të tyre, nuk kishte marrëdhënie edhe aq të ngushta me Iranin?! Arsyeja e reagimit të ashpër të Riadit ndaj rrëzimit të administratës Hadi në Sanë ishte rreziku i paraqitur për daljen e Jemenit jashtë zonës së kontrollit saudit për shkak të bashkëpunimit ndërmjet rebelëve huthitë dhe ish-presidentit Ali Abdullah Saleh. Duke u nisur nga rëndësia strategjike e Jemenit, mbajtja e këtij vendi nën kontrollin e vazhdueshëm të Riadit është një domosdoshmëri dhe një nga pikat e pacenueshme të politikës së jashtme saudite.

Nga ana tjetër, shqyrtimi i këtij problemi në kontekstin e luftës për pushtet dhe influencë ndërmjet Iranit dhe Arabisë Saudite i ofron kësaj të fundit shansin për të tërhequr rreth vetes edhe mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar. Prandaj sauditët kanë zgjedhur që ta trajtojnë ndërhyrjen e tyre në Jemen në kontekstin e zgjerimit të fushës së influencës iraniane në rajon dhe ta paraqesin atë si një luftë, që do të neutralizojë pikërisht këtë efekt. Ndërsa në thelb problemi është më tepër një nxitje dhe stimulim i dinamikave lokale.

 

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme