NATO nuk do një tjetër “Luftë të Ftohtë”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg në deklaratën që bëri para fillimit të samitit të Varshavës tha se “Aleanca nuk do një tjetër Luftë të Ftohtë, pasi kjo ka mbetur në të kaluarën".

NATO nuk do një tjetër “Luftë të Ftohtë”

Në deklaratën para hapjes zyrtare të Samitit të NATO-s të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive që po organizohet në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë, i cili ka mbledhur krerët e shteteve dhe qeverive të 28 vendeve anëtare të NATO-s dhe vendeve partnere, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg tha se në samit do të diskutohet e ardhmja e NATO-s si pjesë e vlerave të përbashkëta.

Duke u shprehur se në samit do të merren vendime për përforcimin e mëtutjeshëm të mbrojtjes së përbashkët, Stoltenberg theksoi se do të pozicionohen njësitë shumëkombëshe të NATO-s në Estoni, Letoni, Lituani dhe Poloni.

Ndërkaq, duke vënë në pah se NATO ka marrë masa parandaluese ndaj rreziqeve në krahun jugor të saj, Stoltenberg tha se “E kemi forcuar mbrojtjen ajrore të Turqisë me anë të avionëve të NATO-s të tipit AWACS, që sigurojnë paralajmërim të hershëm dhe kontroll efektiv të hapësirës ajrore, si dhe me anë të sistemit të mbrojtjes raketore.”

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s theksoi se të gjitha këto masa kanë qëllim mbrojtës, ndërsa shtoi se Aleanca nuk do një tjetër Luftë të Ftohtë, pasi kjo ka mbetur në të kaluarën. Jemi në kërkim të një dialogu konstruktiv dhe domethënës me Rusinë, shtoi ai.

Stoltenberg gjithashtu tërhoqi vëmendjen se do të forcohet edhe mbrojtja kundër sulmeve kibernetike dhe atyre me raketa balistike, duke thënë se çdo veprim është në të mirë të mbrojtjes, është proporcional, transparent dhe në përputhshmëri me ligjet ndërkombëtare.

Stoltenberg tha se në samitin e Varshavës do të merret vendim edhe për ndarjen me koalicionin ndërkombëtar që është krijuar kundër DAESH të informacioneve që do të sigurohen nga avionët zbulues AWACS.

“Në Irak do të fillojmë me trajnimin e ushtarëve. Do të vazhdojmë të mbështesim Jordaninë dhe Tunizinë dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë edhe Libinë”, tha Stoltenberg.



Lajme të ngjashme