Britani - Rritet shkalla e krimit pas referendumit për "Brexit"

Pas referendumit të muajit të kaluar për përcaktimin e të ardhmes së vendit në raport me BE-në vihet re një rritje e ndjeshme e krimeve me bazë urrejtjen në Britaninë e Madhe.

Britani - Rritet shkalla e krimit pas referendumit për "Brexit"

Krimet që për bazë kanë urrejtjen shënojnë rritje të konsiderueshme në Mbretërinë e Bashkuar pas referendumit për statusin e ardhshëm të vendit në Bashkimin Evropian që u mbajt muajin e kaluar.

Të dhënat e publikuara të premten nga Këshilli i Shefave të Policisë Kombëtare tregojnë se 3.076 krime me bazë urrejtjen janë denoncuar në polici mes datave 16 dhe 30 qershor, shifër kjo që tregon një rritje prej 42 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Incidentet e raportuara përfshijnë raste të dhunës kundër individëve si dhe ngacmim dhe abuzim verbal.

Shifrat duket të kenë konfirmuar shqetësimet se pakicat etnike dhe fetare gjithnjë e më shumë po vihen në shënjestër të sulmeve në Britani pas referendumit të 23 qershorit, në të cilin u votua për daljen  nga BE-ja.

Kulmi i incidenteve ka ndodhur më 25 qershor, një ditë pas referendumit, ku anembanë vendit u regjistruan 289 shkelje të ligjit.



Lajme të ngjashme