Koment – Egjipt, kërkimi i stabilitetit antidemokratik krijon kaos

Një analizë në lidhje me zhvillimet e fundit në Egjipt dhe përpjekjet e regjimit ushtarak të Gjeneralit Abdel Fattah al-Sissi për të vendosur stabilitet me rrugë antidemokratike.

Koment – Egjipt, kërkimi i stabilitetit antidemokratik krijon kaos

Pikëpamja e qeverive amerikane në veçanti dhe e atyre perëndimore në përgjithësi për Egjiptin ka në fokus stabilitetin. Kjo pikëpamje e përqendruar tek stabiliteti është e tillë dhe s’ndryshon që prej pozicionimit të Egjiptit në kampin e aleancës perëndimore, gjatë presidencës së nobelistit të Paqes, Muhammad Anwar el-Sadat. Dëshira për të parë stabilitet në Egjipt ka sjellë me vete edhe një moskokëçarje ndaj zbatimeve apo praktikave autoritare dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut në vend. Prandaj dhe zgjodhën të qëndrojnë spektatorë kur Muhammad Mursi, presidenti i parë egjiptian i zgjedhur me vota të lira dhe demokratike, u rrëzua nga pushteti me një puç ushtarak të përgjakshëm në korrik të vitit 2013. Vrasja brenda një dite e qindra protestuesve, arrestimi i dhjetëra-mijëra njerëzve dhe ndëshkimi me dënim kapital apo me dënime të tjera të rënda i qindra të arrestuarve nuk ngjalli ndonjë reagim të madh në botën perëndimore. Për pasojë, edhe pse ka përvetësuar metodat demokratike, Lëvizja e Vëllezërve Myslimanë u shpall organizatë terroriste dhe u viktimizua nga politikat represive të regjimit ushtarak egjiptian, që synon zhdukjen e pranisë së saj.

Pasi shtypi arbitrarisht Vëllezërit Myslimanë, regjimi puçist i Gjeneralit Abdel Fattah al-Sissi vuri në shënjestër të gjitha organizatat demokratike të shoqërisë civile në Egjipt. Goditje nga politikat represive në emër të stabilitetit kanë filluar të pësojnë gjithashtu OJQ-të liberale dhe ato të majta. Burgimi i themeluesit të Lëvizjes 6 Prilli, Ahmed Maher, si dhe i aktivistit Alaa Abdelfattah, dy emra shumë aktivë në Revolucionin e 25 Janarit, tregon qartë se regjimi nuk toleron as opozitën më të vogël. Sa i përket politikave shtypëse, mund të thuhet lehtësisht se administrata Sissi ia ka kaluar madje dhe periudhës së ish-presidentit Husni Mubarak, i cili humbi pushtetin si pasojë e demonstratave të Pranverës Arabe në vitin 2011.

Mirëpo në vend që të prodhojë stabilitet, presioni vazhdimisht në rritje i administratës Sissi mbi shoqërinë civile po shkakton në realitet një ecuri krejt të kundërt. Paqëndrueshmëria, tensionimi dhe konflikti duken të pashmangshme në terma kohorë afatgjatë. Shtypja e dhunshme e opozitës konstruktive nuk do të sjellë vetëm margjinalizim e tjetërsim, por njëherësh kalimin e opozitës në ilegalitet dhe rrjedhimisht ashpërsimin e saj. Siç dihet, kjo është një situatë që fuqizon elementët ekstremistë në shoqëri. Një shembull konkret për këtë është rritja gjeometrike e akteve terroriste që pas rrëzimit të Mursit me grusht shteti, sidomos në zonën e Sinait. Po ashtu, rritje e konsiderueshme është parë edhe në numrin e akteve, edhe në atë të militantëve të grupit ekstremist Ansar Bait al-Maqdis (Mbështetësit e Shtëpisë së Shenjtë), që është shkëputur nga Al-Kaida dhe i ka premtuar besnikëri DAESH-it. Pretendohet se ky është edhe grupi, që ka marrë përsipër autorësinë e rrëzimit të avionit rus të pasagjerëve në tetor të vitit të kaluar.

Ç’është më e keqja, përditë e më tepër po ndihet një pakënaqësi e përgjithshme, që mund të shkaktojë një valë të re demonstratash si ato në rastin e kryengritjes së vitit 2011. Ushtrimi i dhunës dhe i presionit mbi shoqërinë civile pa bërë kurrfarë dallimi, për më tepër duke i justifikuar ato me kërcënimin e sigurisë kombëtare për shkak të akteve terroriste në rritje, po redukton gradualisht tek një pjesë e shoqërisë edhe kredibilitetin apo besueshmërinë e administratës Sissi. Tashmë kësaj të fundit po i kundërvihen edhe shumë OJQ, të cilat i dolën krah pas grushtit të shtetit. Rrjedhimisht, kjo situatë ngushton hapësirën operacionale të saj në aspektin e legjitimitetit. E drejta dhe liria e popullit egjiptian për t’u tubuar dhe për të protestuar është kufizuar jashtë mase përmes disa ligjeve të reja. Po ashtu, tashmë OJQ-të e kanë plotësisht të ndaluar me ligj që të pranojnë donacione nga jashtë shtetit, pa marrë parasysh se cili është burimi i tyre. Sot për sot, kjo praktikë përbën krim në Egjipt.

 Presidenti egjiptian, Abdel Fattah al-Sissi, politikat shtypëse ndaj opozitës i emërton si “luftë të gjeneratës së katër” (Fourth-generation warfare), që nënkupton se media dhe shoqëria civile komplotojnë bashkërisht kundër qeverisë për të tronditur besimin e popullit ndaj liderëve të vendit. Thënë ndryshe, çdo mendim i shprehur, që nuk përputhet me opinionin zyrtar, përbën një sulm ndaj shtetit egjiptian.

Sot, agjenda e administratës Sissi mbështetet mbi këto tri parime kryesore:

  1. Shtypja e “terrorit” dhe e opozitës;
  2. Prurja në Egjipt e likuiditeteve miliarda dollarëshe nga vendet e Gjirit;
  3. Dhënia e mesazheve pozitive qytetarëve për të ardhmen nëpërmjet reformave ekonomike.

Por, siç e cituam edhe më sipër, politika antiterror e Kajros ka prodhuar një rezultat të atillë, që i ka hedhur benzinë zjarrit. Kurse vartësia financiare ndaj vendeve të Gjirit ka bërë që Egjipti të mos jetë më qendër graviteti e rajonit. Në këtë aspekt, vendin e Egjiptit duket se po e merr Arabia Saudite. Përfshirja e një pakete ndihme prej 20 miliardë dollarësh në marrëveshjen për t’i kaluar Riadit administrimin e ishujve Sanafir dhe Tiran në Detin e Kuq, në pjesën më të mirë të popullit egjiptian ka krijuar perceptimin e shitjes së territoreve të atdheut shteteve të tjera duke shkaktuar protesta, që përfunduan me arrestimin e qindra personave.

Megjithatë ka pasur edhe zhvillime pozitive në aspektin ekonomik, ku ia vlen të përmenden vendosja nën kontroll e inflacionit, reduktimi sadopak i papunësisë dhe përshpejtimi i rritjes ekonomike. Që prej vitit 2015, në Egjipt kanë rënë ndjeshëm edhe ndërprerjet e energjisë elektrike. Mirëpo këto zhvillime pozitive nuk janë reflektuar në të gjitha shtresat e popullsisë, përkundrazi, bëhet fjalë për një përkeqësim të mëtejshëm të gjendjes ekonomike të qytetarëve me të ardhura të ulëta. Pjesa dërrmuese e egjiptianëve jetojnë me një nivel të ardhurash nën 2 dollarë në ditë. Një reagim masiv të shoqërisë egjiptiane pritet të shkaktojë edhe ndërprerja e subvencioneve për produktet e nevojave themelore, në kuadër të politikave strukturore të stabilizimit ekonomik.

Egjiptin e presin ditë të vështira dhe për t’i kapërcyer sa më lehtë këto ditë të vështira duhet që lidershipi politik egjiptian të bëjë paqe me shoqërinë, pra, duhet të bëjë me qytetarët një kontratë sociale të re. Në të kundërt, Egjipti do të përballet me trazira sociale dhe politike mjaft serioze, të cilat jo vetëm që mund të ndalin zhvillimin e vendit, por mund ta çojnë atë edhe shumë vite pas.

 

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme