Mendimi i disa prej figurave politike botërore për referendumin britanik

Filloi sot referendumi mbi qëndrimin ose jo të Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian, një referendum që ka tërhequr vëmendjen e gjithë botës.

Mendimi i disa prej figurave politike botërore për referendumin britanik

Më poshtë janë qëndrimet e palëve kundërshtare:

PËR QËNDRIMIN NË BE

Jean Claude Juncker, president i Komisionit Evropian: “Dezertorët nuk do të priten krahë hapur”.

Donald Tusk, president i Këshillit Evropian: “Si historian, trembem se një Brexit nuk do të sjellë vetëm fillimin e shkatërrimit të BE-së por edhe të civilizimit perëndimor”.

David Cameron, kryeministri britanik: “Gjëja e mirë për të bërë, gjëja britanike për të bërë është që të luftojmë për një Britani të Madhe në BE dhe jo për opsionin e Anglisë së vogël të Nigel Farage”.

“Është në interes kombëtar të Britanisë së Madhe që të mbahet një objektiv i përbashkët në Evropë për të evituar konflikte të ardhshme mes vendeve evropiane”.

Barack Obama, president i SHBA-së: “Bashkimi Evropian nuk e zvogëlon influencën britanike por e amplifikon”.

Willem-Alexander, mbreti i Holandës: “Buqeta evropiane nuk është e plotë pa karafilin spanjoll, pa zambakun francez (…) dhe tulipanët holandezë dhe hungarezë. Si dhe nuk është e plotë edhe pa trëndafilin anglez”.

Wolfgang Schauble, ministri gjerman i Financave: “Brenda është brenda, jashtë është jashtë (…) Vendi duhet t’i qëndrojë rregullave të një klubi nga i cili ka kërkuar të dalë”.

PËR LARGIMIN NGA BE-ja

Boris Johnson, ish-kryebashkiak i Londrës: “Historia evropiane është e shënuar me tentativa për të arritur kohën e artë të paqes dhe prosperitetit të epokës romake. Napoleoni, Hitleri, shumë persona janë përpjekur ta bëjnë dhe kjo ka përfunduar në mënyrë tragjike. BE-ja është një tjetër prej këtyre tentativave por me metoda të tjera”.

Nigel Farage, shefi i partisë eurofobe dhe kundër imigracionit Ukip: “Ne jemi britanikë (…) ne nuk do të lejojmë të intimidohemi nga kushdo, mbi të gjitha nga një i pazgjedhur, sado sharmant të jetë ai, Jean Claude Juncker”.

“Britania e Madhe drejton BE-në? Presidenti Obama nuk paska dëgjuar asnjëherë të flitet për Merkel”.



Lajme të ngjashme