Koment – Synimi duhet të jetë fitimi, jo çlirimi i Falluxhës!

Një analizë në lidhje me operacionet e ushtrisë irakiane për çlirimin e Falluxhës nga organizata terroriste, DAESH, si dhe zhvillimet e tjera me peshë përreth kësaj çështjeje.

Koment – Synimi duhet të jetë fitimi, jo çlirimi i Falluxhës!

Si një organizatë terroriste transnacionale, DAESH-i është formuar në kushtet e klimës kaotike, që doli në pah pas pushtimit të Irakut nga koalicioni ndërkombëtar nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Politikat dhe praktikat, që sunduan skenën politike irakiane gjatë dhe në vijim të pushtimit, së pari mundësuan rrënjosjen e DAESH-it dhe pastaj sollën trupëzimin e tij. Ndërsa kaosi pas 2011-s në Siri shkaktoi shtrirjen territoriale të DAESH-it jashtë kufijve të Irakut.

Mirëpo një pikëkthesë të vërtetë për DAESH-in shënuan muajt e parë të vitit 2014, kur organizata terroriste vendosi dominimin e saj në zonat perëndimore të Irakut dhe në Mosul, një nga qytetet më të rëndësishme të vendit. Kjo organizatë terroriste u vetëshpall kalifat dhe shtet, ndërkohë që kontrollin e saj e shtriu gjithashtu në qytetet Tikrit e Samarra. Pa kaluar shumë, ajo filloi të kërcënojë edhe udhëheqjen rajonale kurde në veri të Irakut, edhe qytetin e Kirkukut.

Paaftësia e Bagdadit për të vendosur një mur përballë DAESH-it rivuri në lëvizje administratën amerikane. Një koalicion ndërkombëtar, që u formua kundër organizatës terroriste nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në muajt e verës së 2014-s nisi operacionet kundër DAESH-it. Në janar të vitit 2016, kjo organizatë terroriste ishte tërhequr nga rreth 40% e territoreve të kontrolluara prej saj në Irak. Pas sulmeve të njëpasnjëshme me bomba në kryeqytetin irakian, autorësinë e të cilave e mori përsipër DAESH-i, operacionet kundër organizatës terroriste u fokusuan në qytetin Falluxha. Dhe, zyrtarisht, operacionet për çlirimin e Falluxhës morën start pas deklaratës, që Kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi, bëri më datë 23 maj. Krahas trupave të ushtrisë irakiane, në këto operacione morën pjesë gjithashtu forcat e milicisë shiite, “Hashd al-Shaabi” (Njësitë e Mobilizimit Popullor), policia irakiane dhe disa grupe luftarake të formuara nga fiset sunite. Më 18 qershor, Kryeministri Al-Abadi njoftoi se forcat qeveritare kishin hyrë në qendër të Falluxhës dhe se qyteti ishte çliruar. Por luftimet vijojnë ende sot e kësaj dite në disa lagje veriore të qytetit.

Çka e bënte problemin të koklavitur ishte fakti që përpara operacionit vetëm shumë pak banorë të Falluxhës kishin gjetur shansin për t’u larguar nga qyteti. Hendeqet e hapura, eksplozivët e panumërt të kurthuar, mundësia e përdorimit të civilëve si mburoja njerëzore nga DAESH-i dhe situata të tjera të ngjashme me këto e bënin gjithashtu shumë kompleks dhe të ndërlikuar këtë operacion.

Deri një javë më parë, numri i civilëve të arratisur nga qyteti ishte i kufizuar vetëm me disa mijë. Por vazhdimi i luftimeve të nxehta, pavarësisht thyerjes së rezistencës së DAESH-it, solli me vete largimin e më shumë civilëve nga Falluxha dhe vendbanimet e tjera përreth. Sipas një komunikate të Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), më datë 18 qershor numri i civilëve të arratisurve nga zona në fjalë kishte arritur në 83 mijë persona.

Në fakt çështja më e rëndësishme për Bagdadin pas pastrimit të plotë të Falluxhës nga mbeturinat e DAESH-it do të jetë trajta e marrëdhënieve, që do të ndërtohen me popullatën e kësaj krahine, viktimë e përhershme e zhvillimeve të kobshme që prej vitit 2003 e në vijim.

Sakaq, vëmendjes nuk i kanë shpëtuar as sulmet, që elementët ekstremistë në radhët e milicëve shii të Njësive të Mobilizimit Popullor kanë ndërmarrë ditëve të fundit ndaj civilëve, të cilët arratiseshin nga Falluxha. Bazuar tek një deklaratë e guvernatorit të Provincës Anbar, Suhaib al-Rawi, rreth 50 civilë janë vrarë dhe 650 të tjerë rezultojnë të humbur. Me sa duket ushtria irakiane i ka marrë seriozisht këto akuza. Ajo ka bërë disa arrestime dhe ka nisur hetimet e nevojshme. Megjithatë dihet që qeveria zyrtare dhe ushtria nuk kanë ndonjë influencë të madhe mbi grupet ekstremiste të milicëve. Situatat e ngjashme, me të cilat banorët e Falluxhës janë përballuar edhe në të shkuarën, e kishin bërë qytetin qendrën më të rëndësishme të rezistencës në vitet e para të pushtimit amerikan. Po ashtu, një klimë të përshtatshme në këtë qytet kishte gjetur edhe krahu irakian i organizatës terroriste, Al-Kaida, që konsiderohet si paraardhëse e DAESH-it. Banorët e zonës kishte luajtur një rol me peshë edhe në luftën kundër zullumeve të Al-Kaidës duke çuar deri në tretjen e organizatës dhe aktivitetit të saj në këtë qytet. Por neglizhenca dhe politikat diskriminuese të shfaqura nga qeveria qendrore ndaj kësaj zone dhe banorëve të saj rezultuan një zhvillim, që i hapi rrugën rrënjosjes në këtë zonë të ndikimit të DAESH-it në vitin 2014.

Banorët e Falluxhës, qytet ky që ushtria irakiane po përpiqet ta çlirojë nga DAESH-i, me të drejtë nuk duan të kenë të bëjnë me milicinë. Prandaj autoritetet e Provincës Anbar i kërkojnë Bagdadit zyrtar që të garantojë se banorët e Falluxhës nuk do të kenë asnjë lloj kontakti me milicët Hashd al-Shaabi. Po ashtu, qeverisë qendrore i kërkohet që të ndalojë rreptësisht hyrjen e milicisë në qytet pas çlirimit të tij nga DAESH-i. Një tjetër çështje shqetësuese është edhe fakti që nuk po lejohet ende rikthimi i popullsisë, e cila ishte larguar nga qyteti përpara luftimeve, në vendbanimet sunite të çliruara nga pushtimi i organizatës terroriste, si në shembullin e Tikritit. Kjo situatë ka ngjallur jo pak shqetësim mbi mundësinë e “lojërave” për ndryshimin e demografisë së qyteteve.

E parë nga këndvështrimi i banorëve të Falluxhës, përpjekjet e qeverisë qendrore për të çliruar qytetin nga DAESH-i nuk nënkuptojnë një çlirim në kuptimin e plotë të fjalës. Prandaj dhe synimi i Bagdadit duhet të jetë jo vetëm çlirimi i Falluxhës, por njëherësh edhe fitimi i saj. Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme nga shumë aspekte.

Pikë së pari, qyteti gëzon një pozicion strategjik për Bagdadin dhe është vetëm 70 km larg tij. Duke qenë se popullsia e qytetit formohet nga irakianë sunitë, të cilët janë armiqësuar me regjimin nga vetë Bagdadi zyrtar, elementët kundërshtarë të regjimit gjejnë atje një vendstrehim të mirë, edhe pse ndoshta jo mbështetje. Rrjedhimisht, siguria e Bagdadit kalon nga instalimi i paqes së vërtetë në Falluxha. Në këtë kontekst, pas çlirimit të qytetit nga zgjedha terroriste e DAESH-it, nuk ka asnjë alternativë tjetër veç dorëzimit të përgjegjësisë së rendit dhe të sigurisë njësive vendore; sepse banorët e Falluxhës vetëm kështu mund të ndihen të sigurt.

Së dyti, duhet të nisin urgjentisht përpjekjet për rindërtimin e shpejtë të qytetit. Rëndësi madhore në këtë kuadër bart edhe fillimi i projekteve, që do të reduktonin papunësinë e lartë të zonës në fjalë.

Dhe në fund, nevojitet bashkëpunimi i klerikëve sunitë vendorë për të luftuar kundër ideologjisë së organizatave ekstremiste të dhunshme. Nuk duhet hedhur poshtë në asnjë mënyrë ndikimi pozitiv i klerikëve, të cilët respektohen nga masa të gjera popullore dhe kanë dalë nga vetë gjiri i tyre, në lidhje me luftën kundër retorikës manipuluese të fesë, që shfrytëzohet nga DAESH-i apo grupe të tjera të ngjashme.

Thënë shkurt, sfida përpara qeverisë qendrore të Irakut nuk është sërish çlirimi i Falluxhës. E rëndësishme është të shënojë sukses në atë pikë, që dështon rregullisht prej vitit 2003 e këtej. Bagdadi duhet të fitojë zemrën dhe besimin e banorëve të Falluxhës.

 

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme