Bota i bën apel Esadit të lejojë hyrjen e ndihmave humanitare

Nën hijen e bombardimeve të forcave të regjimit dhe avionëve rusë nga OKB dhe SHBA vazhdojnë të vijnë thirrje drejtuar regjimit të Esadit të lejojë hyrjen dhe dërgimin e ndihmave humanitare personave në nevojë në zonat në rrethim.

506792
Bota i bën apel Esadit të lejojë hyrjen e ndihmave humanitare

Sipas përcaktimeve të para në sulmet ajrore me bomba fuçi në një treg afër spitalit “Beyan” në provincën e Halepit në Siri kanë humbur jetën 15 vetë dhe janë plagosur 20 të tjerë.

Sulmi u krye me 3 bomba fuçi dhe në mesin e viktimave përveç grave dhe fëmijëve ka edhe 5 punonjës të mbrojtjes civile.

Gjatë bombardimeve në fjalë spitali i kësaj zone është bërë i papërdorshëm, ndërsa janë djegur shumë automjete dhe godina.

Kurse në operacionet ajrore që gjuajtësit rusë bënë me bomba me fosfor dhe thërrmuese në Halep dhe Idlib të Sirisë kanë humbur jetën 2 fëmijë.

Sulmet ajrore ruse kishin në shënjestër qytezat dhe provincat që ndodhen nën kontrollin e kundërshtarëve të regjimit. Në këto bombardime janë plagosur edhe shumë civilë. Pas bombardimeve në disa automjete dhe vendbanime ra zjarr.

Nga ana tjetër Zëdhënësi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara (OKB), Stephane Dujarric, tha se regjimi sirian ka lejuar kalimin e një pjese të ndihmave të dërguara për në Deraya dhe përsëriti edhe një herë kërkesën për një qasje të plotë.

Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve Dujarric tha se më 5 qershor OKB-ja ishte drejtuar me një shkresë zyrtare Ministrisë së Punëve të Jashtme të Sirisë dhe kishte kërkuar nga Damasku zyrtar që të lejonte kalimin e ndihmave humanitare për në lagje Deraya, Duma dhe Mudamiye të Damaskut, si dhe në fshatin el-Vaer të provincës së Humusit.

Zëdhënësi Dujarric sqaroi se kërkesa përmban edhe alternativën e transportimit të ndihmave me helikopterë, duke shtuar se nuk planifikohet hedhja e ndihmave humanitare me avion nga ajri.

“Transportimi i ndihmave nga ajroi me helikopter do të mendohet në ato raste kur hyrja nga toka do të jetë absolutisht e pamundur”, sqaroi Dujarric.

Ndërsa Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Mark Toner në konferencën ditore të informimit për mediat foli për problemet e rëndësishme që ekzistojnë në dërgimin dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare në zonat që mbahen të rrethuara nga forcat e regjimit në Siri.

“Nuk jemi në pikën e duhur në kuptimin e ndihmave humanitare dhe qasjes ndaj tyre”, nënvizoi Toner.

Kurse Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest në konferencën ditore të shtypit tha se Beshar Esadi pengon dërgimin e ndihmave humanitare në zonat e rrethuara.

“Dhe pikërisht për këtë arsye është e pamundur të realizohet retorika e Esadit për bashkimin e vendit nën lidershipin e tij”, tha Earnest.

Ndërkaq Qeverisja Rajonale Kurde e Irakut njoftoi se Pika e Kalimit Kufittar Peshhabur do të qëndrojë e hapur vetëm për një kohë të shkurtër me kushtin që përmes saj të kalojnë ndihmat humanitare themelore, si janë ato ushqimore dhe ilaçet.

Sipas komunikatës së publikuar në uebsajtin e partisë KDP të Mesut Barzanit vendimi do të fillojë të zbatohet që nga dita e sotme dhe porta do të hapet për të lejuar kalimin e ndihmave.

Pikat e Kalimit Kufitar, ajo “Peshhabur” në anën e zonës kurde të Irakut dhe “Semalka” në anën siriane mbahen të mbyllura për shkak të konflikteve politike dhe mosmarrëveshjeve ndërmjet KDP-së dhe PYD-së, që është zgjatimi i organizatës terroriste PKK në Siri.



Lajme të ngjashme