Koment – Përse Lëvizja an-Nahda në Tunizi u bë “mysliman-demokrate”?

Një analizë në lidhje me arsyen pse Nahda vendosi që të shndërrohet nga një lëvizje politike islamike, në një forcë politike mysliman-demokrate.

505933
Koment – Përse Lëvizja an-Nahda në Tunizi u bë “mysliman-demokrate”?

Lëvizja tuniziane an-Nahda (Partia e Rilindjes), e themeluar dhe e drejtuar nga 75-vjeçari Rashid al-Gannushi, mbajti javën e kaluar kongresin e saj të 10-të. I parë qoftë nga aspekti i historisë së vetë lëvizjes, qoftë nga këndvështrimi i historisë politike të Tunizisë, kongresi në fjalë kishte rëndësi madhore. Në këtë kongres u vendos që Nahda të shndërrohet nga një lëvizje politike islamike, në një forcë politike mysliman-demokrate.

Vendimi në fjalë i Lëvizjes an-Nahda shkaktoi reagime të ndryshme. Mediat dhe institutet politike (think tank) perëndimore e vlerësuan atë si “dokumentim nga vetë islamikët i rraskapitjes së islamizmit”. Ndërsa kolumnisët islamikë të rrymës qendrore e kritikuan këtë vendim të Nahdas. Sipas tyre, domethënia e këtij lajmi ishte “dalje e lëvizjes nga kursi”.

Mirëpo analizimi i kësaj situate të detyron që të shikohet më parë koniunktura, në të cilën është marrë vendimi i lartpërmendur. Përndryshe analizat në lidhje me shndërrimin e Lëvizjes an-Nahda në një parti politike mysliman-demokrate s’do të ishin veçse spekulime.

Një vlerësim realist i këtij zhvillimi të imponon që çështjen ta kundrosh nga tri aspekte:

  1. Perceptimi i islamit politik në sistemin ndërkombëtar.
  2. Këndvështrimi ndaj islamit politik në ekuilibrat e Lindjes së Mesme.
  3. Dinamikat e brendshme në Tunizi.

Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe rënies së sistemit sovjetik, në vend të komunizmit u vendos islami politik, pra, islamizmi. Thënë ndryshe, bota perëndimore pa tek islamizmi kundërshtarin e ri të vetes së saj, në vend të komunizmit. “Kërcënimi i Kuq” u zëvendësua nga “Rreziku i Gjelbër”. Kjo situatë u bë edhe më e theksuar sidomos pas sulmeve të 11 shtatorit 2001. Edhe pse vëmendja në këto ngjarje ishte përqendruar mbi lëvizjet, që kishin përvetësuar dhunën si metodë; islami politik ishte një formacion përgjithësisht i margjinalizuar. Kjo situatë shkaktoi një pandjeshmëri dhe një moskokëçarje të skajshme ndaj politikave shtypëse kundër të gjitha partive apo lëvizjeve të islamit politik.

Disfatat e dhimbshme të Egjiptit(asokohe Republika e Bashkuar Arabe) dhe Sirisë në Luftën Arabo-Izraelite të 1967-s (Lufta e Gjashtë Ditëve) shkaktoi krizën e legjitimitetit të nacionalizimit socialist arab në rajon. Zbrazëtinë e krijuar nga kjo krizë e mbushën lëvizjet islamike, të cilat formuan një potencial opozitar mjaft serioz në Lindjen e Mesme, duke i shtyrë regjimet autoritare të rajonit që të ushtrojnë politika represive ndaj këtyre lëvizjeve.

Në të njëjtën kohë, zëvendësimi i komunizmit me islamizmin në perceptimin perëndimor të kërcënimit solli me vete një përfitim politik të konsiderueshëm për regjimet autoritare në rajon. U paraqit dhe u trajtua vazhdimisht teza se ekzistenca e regjimeve autoritare në Lindjen e Mesme ishte një domosdoshmëri nga aspekti i interesave kombëtare të shteteve perëndimore. Efektet politike dhe psikologjike të Revolucionit Iranian të 1979-s e konsoliduan akoma më shumë këtë përfitim politik. Revolucioni Iranian pruri klimën e një Lufte të Ftohtë të re brenda kufijve të rajonit. Tensionimi ndërmjet Iranit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës bëri që regjimet autoritare konservatore të Lindjes së Mesme të ashpërsojnë edhe më tepër qëndrimet e tyre kundër islamit politik.

Situata u bë edhe më komplekse nga performanca e lartë e partive islamike si rezultat i zgjedhjeve të lira, që u organizuan në rajon pas Pranverës Arabe. Ardhja në pushtet e Vëllezërve Myslimanë në Egjipt, për herë të parë me zgjedhje të lira dhe demokratike, nga pikëpamja e regjimeve autoritare krijoi problemin e legjitimitetit ideologjik dhe popullor. Puçi ushtarak në Egjipt dhe lufta civile në Libi janë pasoja të drejtpërdrejta të ndërhyrjeve, që kanë ardhur si rezultat i këtij perceptimi të kërcënimit. Në këto rrethana, receptorët e lëvizjes tuniziane an-Nahda padyshim që duhet të kenë nuhatur ndonjë kërcënim ndaj ekzistencës së saj.

Për sa i përket kontekstit rajonal, një situatë të veçantë për t’u marrë në konsideratë përbëjnë edhe përfitimet e organizatave të dhunshme nga mungesa e stabilitetit në rajon. Në vendet e destabilizuara, organizatat terroriste DAESH dhe Al-Kaida kanë arritur që të sundojnë në një fushë të caktuar. Prania dhe efektet e këtyre organizatave radikale të dhunshme ka formuar edhe koniunkturën e përshtatshme për t’ua vështirësuar jetën lëvizjeve islame të rrymës qendrore. E parë në këtë suazë, Tunizia në veçanti kanë një pozicion shumë delikat. Shfrytëzimi i vakumit autoritar në Libi nga DAESH-i dhe Al-Kaida është me rëndësi pikërisht nga kjo pikëpamje: Numri i të rinjve tunizianë, që i bashkohen radhëve të DAESH-it, nuk është aspak i vogël.

Tunizia ishte përpara Pranverës Arabe një vend me praktika laike radikale të theksuara. Lëvizja an-Nahda fitoi zgjedhjet e para të lira pas arratisjes jashtë shtetit të presidentit të rrëzuar, Zayn al-Abidin bin Ali, duke marrë pushtetin përmes një koalicioni me dy forca politike laike. Ajo tregoi kujdes maksimal ndaj ndjeshmërisë së shtresave shoqërore laike gjatë procesit të hartimit të kushtetutës së re të vendit. Megjithatë, duke nxjerrë si pretekst klimën e dhunës në rritje brenda vendit, rrethet laike në Tunizi kurdisën ndaj Lëvizjes an-Nahda skenarë të ngjashëm me ata në Egjipt. Në zgjedhjet e përgjithshme, që u mbajtën në fund të vitit 2014, Nahda humbi shumicën parlamentare dhe u rendit e dyta. Por qëndrimi jashtë koalicionit qeverisës nuk u dha fund kërcënimeve ndaj saj. Ende pa kaluar shumë nga zgjedhjet, një grup i madh u shkëput nga partia në pushtet si pasojë e konfliktit të brendshëm të interesit duke e shndërruar Nahdan sërish në grupin parlamentar më të madh në Tunizi. Por ajo zgjodhi të jetë partnere e vogël e koalicionit.

Lëvizja An-Nahdah, pavarësisht se përpara vitit 2011 ishte një forcë politike e ndaluar dhe liderin e kishte në mërgim, ndryshe nga partitë islamike në vendet e tjera arabe, është e aftë dhe e ka për traditë që të ndërtojë dialog dhe të veprojë mbi një terren të përbashkët me forcat e tjera politike në vend. Kjo situatë ka lehtësuar shumë formimin e koalicionit ndërmjet lëvizjes islamike në fjalë dhe dy partive laike, në përfundim të zgjedhjeve të para pas periudhës së Bin Aliut. Ndërsa pas zgjedhjeve parlamentare të humbura në 2014-n, ajo ka pranuar rezultatet dhe ka ruajtur kontakte të vazhdueshme me forcën politike fituese të zgjedhjeve.

Tunizia gjendet sot përballë një sërë problemesh ekonomike tepër serioze dhe kjo situatë përbën një faktor të paneglizhueshëm destabiliteti. Protestat sociale, që shkaktohen nga vështirësitë ekonomike, ofrojnë një shans të artë për ato rrethe, që kërkojnë rikthimin e regjimit autoritar. Në rast se arrihet rivendosja e një regjimi autoritar në Tunizi, atëherë s’ka asnjë pikë dyshimi se Lëvizja an-Nahda do të jetë viktima e tij e parë dhe më e madhe. E pra, në këto rrethana prioritet i Nahdas nuk është dhe s’ka sesi të jetë pushteti.

Prania e organizatave terroriste në Afrikën Veriore dhe pjesëmarrja e shumë të rinjve tunizianë në këto grupe të ekstremizmit të dhunshëm rezulton një kërcënim madhor për sigurinë e vendit. Ekzistenca e vetë këtij kërcimi për sigurinë e vendit dhe problemet strukturore ekonomike e bëjnë mjaft të brishtë tranzicionin në Tunizi, proces ky që deri tani ishte relativisht i suksesshëm.

Vendimi i nxjerrë nga Lëvizja an-Nahda në kongresin e saj të 10-të duhet të vlerësohet në këto tri kontekste. Nahda është e mendimit se të bëhesh kapiten i anijes së quajtur Tunizi, e cila përpiqet të lundrojë përpara duke u lëkundur në oqeanin e trazuar të Lindjes së Mesme, nuk është gjë tjetër veçse aventurë. Sepse shtresat shoqërore tuniziane, që janë të bindura se Nahda duhet hedhur nga anija për t’u dhënë fund lëkundjeve, janë ende shumë të fuqishme. Dhe, nëse merret një vendim i tillë, nuk ka një koniunkturë ndërkombëtare që mund ta pengojë atë. Përmes manovrave të fundit në lojën politike, Lëvizja an-Nahda po orvatet që të demonstrojë se është një komponent i domosdoshëm për shpëtimin e anijes. Ajo është duke u përpjekur që të tregojë se kjo anije nuk mund të ekzistojë pa Nahdan. Pikërisht kjo është edhe arsyeja që braktisi misionet e saj si një lëvizje sociale dhe fetare për t’iu përveshur politikës profesioniste. Në kushtet e sotme të Tunizisë, Lëvizja an-Nahda ka vendosur që politika profesionale do të jetë e mundur në fund të procesit të shekullarizimit të partisë.

 

 

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme