Koment – Qeveria e Paktit Kombëtar dhe paqartësitë në Libi

Një analizë në lidhje me Qeverinë e Paktit Kombëtar, situatën e përgjithshme dhe paqartësitë në Libi.

Koment – Qeveria e Paktit Kombëtar dhe paqartësitë në Libi

Libia ka hyrë që prej muajit prill 2016 në një periudhë të tretë, me tri qeveri. Dialogu Politik i Libisë u zhvillua me pjesëmarrjen edhe të anëtarëve të kuvendeve në Tobruk e Tripoli. Në përfundim të bisedimeve u themelua Qeveria e Paktit Kombëtar. Megjithatë nuk janë shpërbërë ende as Qeveria e Tripolit, që është emëruar nga Kongresi i Përgjithshëm Kombëtar (GNC), as edhe Qeveria e Tobrukut, e cila është organi ekzekutiv i Dhomës Libiane të Përfaqësuesve. Ekzistenca e problemeve kronike e bën edhe më të paqartë situatën e re me tri qeveri. Megjithatë kjo periudhë e re bart në vetvete edhe disa kontraste, që mund t’i hapin rrugën politikës konstruktive.

Korridori drejt periudhës së tretë u ndërtua falë terrenit të përshtatshëm për aleancë në negociatat dhe në dialogun e realizuar nën drejtimin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Gjatë bashkëbisedimeve në fjalë, kreu i Kongresit të Përgjithshëm Kombëtar dhe ai i Dhomës së Përfaqësuesve të Libisë ishin shprehur kundër këtij procesi. Po ashtu, anëtarët pjesëmarrës në dialog kishin theksuar se nuk përfaqësonin kuvendet përkatëse. Edhe pse kështu, negociatat vijuan dhe në to ishin të pranishëm përfaqësues nga qytetet, klanet dhe forcat e milicisë së zonave të kontrolluara nga të dyja qeveritë. Pavarësisht barrierave të shumta, negociatat nën drejtimin e OKB-së nuk u ndërprenë dhe më 17 dhjetor 2015 u nënshkrua drafti i Marrëveshjes Politike Libiane (LPA).

Akordi në fjalë u mundësua falë mbështetjes ndërkombëtare, që kishte një rol edhe më përcaktues pas mbërritjes në Tripoli të Qeverisë së Paktit Kombëtar.

Fayez al-Sarraj, kryeministër i Qeverisë së Paktit Kombëtar dhe njëherësh kryetar i Këshillit Presidencial, që u themelua me një dispozitë të posaçme të Marrëveshjes Politike Libiane, nënshkruar më 17 dhjetor 2015 në qytetin Sahirat të Marokut (Skhirat Agreement), më 30 mars të këtij viti nisi udhëtimin e tij drejt kryeqytetit të Libisë. Kjo u pasua nga manovra e Qeverisë së Tripolit dhe e përkrahësve të paktit brenda Kongresit të Përgjithshëm Kombëtar. Plot 73 anëtarë të Kongresit të Përgjithshëm Kombëtar, nga gjithsej 135 prej tyre, njoftuan se ky organ ishte transformuar në Këshillin Shtetëror, sipas dispozitave të Marrëveshjes Politike Libiane. Këshilli Shtetëror i sapoformuar mori kontrollin e vendmbledhjes së Kongresit të Përgjithshëm Kombëtar pa u përballur me kurrfarë rezistence. Në 9 ministri të qeverisë së emëruar nga Kongresi i Përgjithshëm Kombëtar u bë dorëzimmarrja e detyrës me Qeverinë e Paktit Kombëtar.

Të njëjtën ditë mbërriti në Tripoli edhe diplomati gjerman, Martin Kobler, emisar i posaçëm i Kombeve të Bashkuara në Libi dhe njëkohësisht shef i Misionit Mbështetës të OKB-së në Libi (UNSMIL). Kobler bëri me dije se misioni i larguar në 2014-n do të rikthehej në qytet. Në datat 12-16 prill, menjëherë pas vizitës së Martin Koblerit, Tripoli priti ministrat e Punëve të Jashtme të Italisë, Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, të cilët premtuan ndihmë në aspektin financiar dhe në çështjet e sigurisë. Po ashtu, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Katari, Italia dhe Gjermania u angazhuan për donacione në Fondin e OKB-së për Libinë. Të gjitha këto shtete deklaruan se organi i vetëm zyrtar, me të cilin do të kontaktojnë në Libi, është Qeveria e Paktit Kombëtar.

Kjo e fundit fitoi mbështetje edhe në shkallë vendi. Plot 10 bashki të kontrolluara nga Këshilli i Përgjithshëm Kombëtar shpallën besnikërinë e tyre ndaj Qeverisë së Paktit Kombëtar duke e dobësuar edhe më shumë koalicionin e Tripolit. Për më tepër, disa institucione tepër të rëndësishme të vendit, ku ia vlen të përmenden sidomos Autoriteti Libian i Investimeve (LIA), Banka Qendrore (CBL) dhe Korporata Kombëtare e Naftës (NOC), deklaruan se do të njohin dhe mbështesin deri në fund Qeverinë e Paktit Kombëtar. Mbështetja e Bankës Qendrore të Libisë ishte vërtet me peshë jetike, pasi ajo është organi kontrollues fuqiplotë i burimeve financiare.

Rritja brenda një kohe të shkurtër e ndikimit të Qeverisë së Paktit Kombëtar në Tripoli mbërtheu në darë Dhomën e Përfaqësuesve me seli në Tobruk, e cila po vononte votëbesimin e qeverisë së re me pretekstin e mungesës së kuorumit për votim. U parashikua që shumica dërrmuese e anëtarëve të Dhomës së Përfaqësuesve do të votonin në favor të Qeverisë së Paktit Kombëtar në votëbesimin, që duhej të bëhej sipas dispozitave të Marrëveshjes Politike Libiane. Megjithatë votëbesimi nuk është realizuar ende sot e kësaj dite falë përpjekjeve të Kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Aguila Saleh Issa, një kundërshtar i përbetuar i Marrëveshjes Politike Libiane. Si pasojë e presioneve dhe pengesave të shumta gjatë muajit të kaluar, u pasivizuan përkrahësit e Marrëveshjes Politike Libiane brenda Dhomës së Përfaqësuesve dhe më datë 20 prill, ditë e mërkurë, plot 102 anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve kërkuan fshirjen e nenit 8. të Marrëveshjes Politike Libiane përpara se të votojnë pro Qeverisë së Paktit Kombëtar. Heqja e këtij neni do t’i mundësonte Gjeneralit Khalifa Belqasim Haftar, i shpallur person i padëshiruar (persona non grata) në zonat perëndimore të Libisë, që të ruante postin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm edhe gjatë mandatit të Qeverisë së Paktit Kombëtar.

Deklaratat e lëshuara nga përfaqësuesi special i OKB-së në Libi, Martin Kobler, por edhe nga mjaft shtete perëndimore me peshë, tregojnë qartë se Qeveria e Paktit Kombëtar pranohet si organi ekzekutiv zyrtar në këtë vend. Tashmë Bashkimi Evropian kontakton vetëm me Qeverinë e Paktit Kombëtar për sa i takon masave kundër trafikimit të emigrantëve në brigjet libiane. Kurse SHBA-të dhe disa vende të tjera paralajmëruar prerazi se nuk do të njohin as Bankën Qendrore dhe as Korporatën Kombëtare të Naftës në Libi, në rast se Qeveria e Tobrukut arrin të shkëpusë nga qendra qoftë edhe një filial të vetëm të këtyre institucioneve.

Mirëpo të njëjtat shtete kanë pranuar njëherësh si organ legjislativ të Libisë edhe Dhomën e Përfaqësuesve. Rrjedhimisht, vlefshmëria mbi baza ligjore e Qeverisë së Paktit Kombëtar do të mbetet e diskutueshme për sa kohë që Dhoma e Përfaqësuesve nuk jep miratimin e saj për Marrëveshjen Politike Libiane dhe për vetë Qeverinë e Paktit Kombëtar. Shefi i Misionit Mbështetës të OKB-së në Libi deklaroi pak ditë më parë se votimi për t’u dhënë fund përfundimisht barrierave, nëse do të paraqitej nevoja, mund të realizohet në një qytet tjetër, por me kushtin e vetëm që të arrihet kuorumi. Por qëndrimi i ri, që anëtarët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë nisur të mbajnë prej të paktën një muaji, demonstron qartë se tani për tani kjo nuk do të jetë e mundur.

Sakaq, “Problemi Haftar” duhet të zgjidhet me doemos për dy arsye. Së pari, sepse Gjenerali Khalifa Belqasim Haftar gëzon mbështetje të jashtme. Franca, Egjipti, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe janë aktorë të rëndësishëm, që mbështesin gjeneralin e padëshiruar në Libinë Perëndimore. Së dyti, sepse ai ka përkrahjen e një pjese të rëndësishme të klaneve në zonat lindore të vendit.

Shoqëria ndërkombëtare prej një kohe të gjatë vlerësonte si të domosdoshme një ndërhyrje të jashtme të re në Libi dhe mendohej se ftesa e një qeverie pajtimi, që do të formohej me pjesëmarrje të gjerë mbi një bazë ligjore, do ta përligjte këtë ndërhyrje. Prania e organizatës terroriste, DAESH, në Libi dhe problemi i trafikimit të qenieve njerëzore/emigrantëve pranohen si kërcënime ndaj Evropës dhe sigurisë ndërkombëtare.

Edhe pse të pakta në numër, aktualisht në territoret libiane ndodhen disa njësi të forcave speciale amerikane, britanike dhe franceze. Por këto nuk mjaftojnë për një ndërhyrje tërësore. Sipas shërbimeve sekrete më të fuqishme në botë, DAESH-i pritet të dërgojë luftëtarë në Libi pas humbjeve serioze, që ka pësuar në Siri dhe në Irak. Ndërsa fuqitë perëndimore kanë në plan që të ndërmarrin një operacion të shkallës së gjerë kundër organizatës terroriste në fjalë përpara se ajo të realizojë transferimin e luftëtarëve. Kjo tregon qartë se shtetet në fjalë kanë filluar përgatitjet pa pritur një ftesë nga pala libiane si kusht të domosdoshëm për ndërhyrjen e jashtme.

Flitet se kjo ndërhyrje ka shumë gjasa që të realizohet përpara se Qeveria e Paktit Kombëtar të shpalosë një institucionalizim serioz. Në këtë proces nuk do të përjashtohen komponentët vendorë libianë dhe në operacion do të përfshihen gjithashtu forcat e milicisë, të cilat njohin dhe pranojnë autoritetin e Qeverisë së Paktit Kombëtar. Por kreu i kësaj qeverie, Fayez al-Sarraj, ka tendencën për të luftuar kundër DAESH-it përmes një aleance të formuar nga forcat libiane dhe jo nëpërmjet ndërhyrjes së huaj. Megjithatë duket qartë se dhe kjo nuk është fort e mundur. Pak ditë më parë, Gjenerali Haftar u shpreh haptazi se nuk do të hyjë nën urdhrat e Qeverisë së Paktit Kombëtar për sa kohë që nuk ndalohet edhe aktiviteti i forcave të tjera të milicisë. Tani për tani, trupat e milicisë së të tria qeverive libiane janë nisur drejt Sirtes me pretendimin për të luftuar kundër DAESH-it. Ç’është më e çuditshmja, forcat besnike të Haftarit dhe milicët misuratas të Qeverisë së Paktit Kombëtar kanë filluar të përleshen me njëri-tjetrin ende pa nisur lufta kundër organizatës terroriste, DAESH. Për më tepër, brenda një kohe fare të shkurtër njësitë e Misuratës janë bërë pre e dy sulmeve vetëvrasëse të DAESH-it.

Si përfundim, periudha e re, që nisi me aktivizimin e Qeverisë së Paktit Kombëtar në Tripoli, rrezikon të provokojë shumë shpejt një kaos të ri në Libi. Nga ana tjetër, kjo periudhë e re mund të shndërrohet gjithashtu në një shans të papërsëritshëm. Hapja e rrugës së shansit në fjalë kalon nga venitja e shpresave të kampit pengues në Tobruk për të gjetur mbështetje të jashtme.

 

 

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme