Siri - Vazhdon rritja e numrit të vdekjeve civile

Si pasojë e bombardimeve të sotme të një avioni luftarak të regjimit sirian në zonën Han-Sibil, në juglindje të provincës Idlib, 8 civilë kanë gjetur vdekjen, mes tyre gra e fëmijë.

Siri - Vazhdon rritja e numrit të vdekjeve civile

Vazhdon rritja e numrit të vdekjeve civile për shkak të luftës në Siri.

Si pasojë e bombardimeve të sotme të një avioni luftarak të regjimit sirian në zonën Han-Sibil, në juglindje të provincës Idlib, 8 civilë kanë gjetur vdekjen, mes tyre gra e fëmijë.

Kurse 9 persona të plagosur në këtë sulm, që shkaktoi gjithashtu dëme materiale të mëdha në vendbanimin në fjalë, u dërguan për kurim në spitalet fushore përreth.

Një tjetër sulm ajror i regjimit të Esadit me bombë vakumi ndaj një vendbanimi në Hula, qytezë e kontrolluar nga opozitarët në provincën siriane të Humusit, u mori jetën mëngjesin e sotëm 11 civilëve, mes tyre edhe 4 fëmijë.

Si pasojë e këtij sulmi të avionëve luftarakë të ushtrisë së rregullt siriane u plagosën gjithashtu me dhjetëra persona dhe u shkaktuan dëme të mëdha materiale.

Të plagosurit u dërguan urgjentisht në spitalin fushor të zonës.

Elektriciteti dhe uji i rrjedhshëm në rubinetet e banesave të Hulas mungojnë prej një kohe të gjatë, saktësisht që kur qyteza është nën rrethimin e forcave besnike të Esadit.

Infrastruktura e Hulas është shkatërruar thuajse plotësisht për shkak të bombardimeve intensive.

Ndërsa të enjten, në shënjestër të sulmeve ajrore të regjimit të Esadit ishte qyteti Ar-Rastan, 25 km në veri të qendrës administrative të Humusit dhe 22 km nga Hama. Bilanci i këtyre sulmeve fliste për 7 civilë të vrarë, mes të cilëve 3 fëmijë, si dhe për të paktën 20 të plagosur.

Lufta civile 5-vjeçare në Siri ka shkaktuar deri tani rreth 270 mijë viktima vetëm në radhët e civilëve dhe të paktën 450 mijë në total.



Lajme të ngjashme