Siri - Sulme të regjimit në Hula, 11 viktima civile, mes tyre 4 fëmijë

Një sulm ajror i regjimit të Esadit me bombë vakumi ndaj një vendbanimi në Hula, qytezë e kontrolluar nga opozitarët në provincën siriane të Humusit, u mori jetën mëngjesin e sotëm 11 civilëve, mes tyre edhe 4 fëmijë.

Siri - Sulme të regjimit në Hula, 11 viktima civile, mes tyre 4 fëmijë

Një sulm ajror i regjimit të Esadit me bombë vakumi ndaj një vendbanimi në Hula, qytezë e kontrolluar nga opozitarët në provincën siriane të Humusit, u mori jetën mëngjesin e sotëm 11 civilëve, mes tyre edhe 4 fëmijë.

Si pasojë e këtij sulmi të avionëve luftarakë të ushtrisë së rregullt siriane u plagosën gjithashtu me dhjetëra persona dhe u shkaktuan dëme të mëdha materiale.

Të plagosurit u dërguan urgjentisht në spitalin fushor të zonës.

Elektriciteti dhe uji i rrjedhshëm në rubinetet e banesave të Hulas mungojnë prej një kohe të gjatë, saktësisht që kur qyteza është nën rrethimin e forcave besnike të Esadit.

Infrastruktura e Hulas është shkatërruar thuajse plotësisht për shkak të bombardimeve intensive.

Ndërsa të enjten, në shënjestër të sulmeve ajrore të regjimit të Esadit ishte qyteti Ar-Rastan, 25 km në veri të qendrës administrative të Humusit dhe 22 km nga Hama. Bilanci i këtyre sulmeve fliste për 7 civilë të vrarë, mes të cilëve 3 fëmijë, si dhe për të paktën 20 të plagosur.

Sakaq, vijojnë ende sot luftimet, që shpërthyen pas sulmeve të djeshme të regjimit të Esadit ndaj fshatrave të kontrolluara nga opozitarët në Malin Turkmen, në zonën rurale të Latakias.

Luftimet sporadike në fshatrat Kelez dhe Karaman, ndërmjet opozitarëve dhe forcave besnike të Damaskut, po ashpërsohen gjithnjë e më shumë pas goditjeve të këtyre të fundit me predha mortaje dhe raketa ajër-tokë.

Bëhet e ditur se ushtria e rregullt siriane nuk po shënon dot përparim në këtë zonë dhe se në luftime ka humbje nga të dyja palët.

Lufta civile 5-vjeçare në Siri ka shkaktuar deri tani rreth 270 mijë viktima vetëm në radhët e civilëve dhe të paktën 450 mijë në total.



Lajme të ngjashme