Ende nuk dihet fati i avionit të Linjave Ajrore të Egjiptit

Kreu i Komitetit grek të Sigurisë Ajrore, Athanassios Binis bëri të ditur se pjesët e gjetura nuk i takojnë një avioni.

Ende nuk dihet fati i avionit të Linjave Ajrore të Egjiptit

Fati i avionit të pasagjerëve të llojit A320 të Linjave Ajrore të Egjiptit, me të cilin është ndërprerë kontakti në radar më 19 maj deri sa ishte duke fluturuar në linjën Paris-Kajro, ende nuk dihet.

Kreu i Komitetit grek të Sigurisë Ajrore, Athanassios Binis bëri të ditur se pjesët e gjetura në det në afërsi të ishullit Karpatos në lindje të Kretës nuk i takojnë një avioni.

Ministria e Aviacionit Civil e Egjiptit më herët kishte deklaruar se në mesin e pjesëve të gjetura në afërsi të ishullit Karpatos ndodhen edhe jelek të shpëtimit dhe pjesë plastike të avionit.

Punimet e kërkim-shpëtimit të avionit të humbur me 66 persona në bord vazhdojnë në jug të ishullit grek të Kretës.

Fregata greke që ndodhej në këtë rajon është tërhequr, por avioni transportues ushtarak vazhdon me kërkim në det.

Në punimet e kërkim-shpëtimit marrin pjesë edhe avionët dhe anijet angleze dhe franceze që ndodhen në këtë zonë.

Sipas informatave të dhëna nga zyrtarët grek, kontakti i fundit me avionin e Linjave Ajrore të Egjiptit ishte vendosur më 19 maj në orën 02.45 të natës.

Pas hyrjes 10 mile në hapësirën ajrore të Egjiptit, avioni në fjalë me shpejtësi filloi të ulet, ndryshoi drejtimin dhe humbi nga radari.

Ministri i Aviacionit Civil i Egjiptit deklaroi se mundësia që avioni të jetë rrëzuar me sulm terrorist është më e madhe se sa ajo e rrëzimit për shkaqe teknike.

Edhe zyrtarët rus mbrojnë qëndrimin se mundësia e sulmit të terrorit është më e madhe.

Ndërkohë Turqia u shprehu ngushëllime popullit të Egjiptit dhe të gjitha vendeve shtetasit e të cilëve ndodheshin në bordin e avionit.

Në deklaratën e bërë nga Ministria e Jashtme turke thuhet se “Mësuam me dhimbje të madhe për humbjen e jetëve të pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit të avionit të Linjave Ajrore të Egjiptit në Mesdheun Lindor”, ndërsa ngjarja u cilësua si “tragjike”.

Edhe Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry në një konferencë për shtyp të organizuar në Bruksel ku ndodhet për mbledhjen e Ministrave të Jashtëm të NATO-s, tha se përkrahin punimet e kërkim-shpëtimit të avionit, i cili humbi nga radari mbi Detin Mesdhe.

Duke shprehur ngushëllime të gjitha vendeve qytetarët e të cilëve ndodheshin në bordin e avionit me në krye Egjiptit, Sekretari Kerry tha se bën lutje për të humburit.

Ndërkaq zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest gjatë mbledhjes ditore për shtyp tha se është ende shumë herët për të bërë të ditur arsyet e rrëzimit të avionit të Linjave Ajrore të Egjiptit i cili fluturonte në linjën Paris-Kajro.

Earnest tha se grupet e dhunshme ekstremiste në Lindjen e Mesme kanë prirje për sulme që si objektiv kanë sistemin ndërkombëtar të aviacionit, ndërsa shtoi se “Natyrisht kjo ngjarje mbetet në kujtimet tona”.

Në avion ndodheshin 56 pasagjerë në mesin e të cilëve 3 ishin fëmijë dhe 10 anëtarë të ekuipazhit, ku 7 prej tyre ishin stjuardese. Në mesin e pasagjerëve 30 ishin egjiptianë, 15 francezë, 2 irakianë dhe të tjerët anglezë, belgë, kuvajtianë, sudanezë, sauditë, shtetas të Çadit, portugezë, algjerianë dhe kanadezë.



Lajme të ngjashme