OBSH: Rrezik për përhapjen në Evropë të virusit Zika gjatë verës

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi sot mbi rrezikun e përhapjes në Evropë të virusit Zika gjatë muajve të verës.

OBSH: Rrezik për përhapjen në Evropë të virusit Zika gjatë verës

Sipas OBSH-së, rreziku mund të ndryshojë në varësi të vendit dhe se ai është mjaft më i lartë në ato zona, ku jeton mushkonja e gjinisë “Aedes Aegypti”, që përveç virusit Zika mbart gjithashtu ethet tropikale dhe verdhëzën.

“Nëse nuk merret asnjë masë, niveli i rrezikut të transmetimit të virusit është mesatar në 18 vende të rajonit të Evropës dhe i lartë në ishullin portugez të Madeiras dhe në brigjet verilindore të Detit të Zi”, theksohet në komunikatën e OBSH-së.

Krahas pickimit të mushkonjës, virusi në fjalë transmetohet gjithashtu nëpërmjet gjakut dhe marrëdhënieve seksuale.

Ai u zbulua së pari te një klan majmunësh në pyjet Zika të Ugandës, në vitin 1947.

Në maj të 2015-s, virusi Zika u rishfaq pas një kohe të gjatë në Brazil.

Sëmundja e shkaktuar prej tij nuk ka ende një kurë të mirëfilltë apo një vaksinë parandaluese, ndërkohë që disa nga simptomat më të njohura janë temperatura e lartë, skuqja e syve, të vjellat, ekzantema, si dhe dhimbjet e muskujve, nyjave e kokës.

Bazuar tek të dhënat e fundit të OBSH-së, raste me virusin Zika janë regjistruar në gjithsej 44 shtete mes viteve 2007-2016, ndërkohë që në 33 prej tyre ka pasur formën e epidemisë.

Kurse sipas Organizatës Panamerikane të Shëndetësisë (PAHO), pacientë të infektuar me këtë virus janë diagnostikuar në 21 vende amerikanojugore deri më sot dhe Brazili me Kolumbinë renditen në krye të tyre.



Lajme të ngjashme