Royal: BE-ja të përshpejtojë ratifikimin e marrëveshjes mbi klimën

Presidentja e konferencës së OKB-së për klimën (COP21), Segolene Royal, u bëri thirrje vendeve të BE-së të përshpejtojnë ratifikimin e marrëveshjes së Parisit kundër ngrohjes globale duke filluar procesin para takimit të Këshillit Evropian në qershor.

492791
Royal: BE-ja të përshpejtojë ratifikimin e marrëveshjes mbi klimën

“Ka ardhur momenti të mobilizohet Evropa që të mos ketë asnjë vonesë në procesin e ratifikimit”, deklaroi Royal për median, pas një takimi me ambasadorët e vendeve të BE-së.

Marrëveshja, nëpërmjet të cilës komuniteti ndërkombëtar është angazhuar në dhjetor që të kufizojë ngrohjen në më pak se 2 gradë, afërsisht 1,5 gradë, në raport me nivelin paraindustrial, është firmosur nga 177 shtete.

Vendet duhet ta ratifikojnë që të hyjë në fuqi sikurse parashikohet, në vitin 2020. Për këtë qëllim duhet që të paktën 55 vende, që përfaqësojnë 55% të prodhimit botëror të gazit me efekt serë, ta ratifikojnë.

Sipas ministres franceze të Ekologjisë, Zhvillimit të Qëndrueshëm dhe Energjetikës, Segolene Royal, ky objektiv nuk është i pamundur deri në mbledhjen COP22.

“Nuk jemi larg, kemi arritur në gati 38%-40% ose më shumë të prodhimit të gazrave me efekt serë. Madje dy ndotësit më të mëdhenj, Kina dhe SHBA-të, kanë shpallur qëllimin e tyre që ta ratifikojnë këtë deri në fund të vitit”, shtoi ajo.

Të deleguarit e 195 vendeve janë mbledhur në Bon (Gjermani) për të filluar konkretizimin e marrëveshjes së Parisit.



Lajme të ngjashme