"Sky News" publikon dokumente të bashkëpunimit të Esadit me DAESH-in

Një sërë dokumentesh të siguruara nga terroristët e larguar nga DAESH-i shpalosin lakuriqësisht bashkëpunimin në Siri ndërmjet regjimit të Beshar Esadit dhe organizatës terroriste, DAESH.

483864
"Sky News" publikon dokumente të bashkëpunimit të Esadit me DAESH-in

Siç pretendohet, në dijeni të këtij bashkëpunimi është edhe Rusia, aleatja më e madhe e Esadit.

Dokumentet e siguruara nga Steward Ramsay, korrespondent në Turqi i rrjetit britanik të transmetimeve, “Sky News”, prej luftëtarëve të penduar dhe të larguar nga radhët e DAESH-it, nxjerrin në pah bashkëpunimin ndërmjet regjimit të Esadit dhe organizatës terroriste, si dhe një marrëveshje sekrete.

Përmes dokumenteve në fjalë, të cilat vërtetojnë se terroristët e DAESH-it dhe armët e rënda të tyre, si kundërajrorët dhe bateritë e artilerisë së kalibrit të lartë, janë transferuar në mënyrë të sigurt në qytetin Raka; tërhiqet vëmendja se marrëveshja sekrete e lartpërmendur është bërë përpara se ushtria e rregullt siriane të rimerrte kontrollin e Palmirës në fund të marsit.

Sipas këtyre dokumenteve, DAESH-i ka marrë nga regjimit i Esadit prodhime bujqësore në këmbim të naftës dhe ka reduktuar numrin e luftëtarëve në disa zona të Sirisë duke lehtësuar kështu rivendosjen në to të kontrollit nga ana e forcave besnike të regjimit.

Një nga shembujt më të rëndësishëm që spikat në këto dokumente, të cilat vërtetojnë se regjimi i Esadit bashkëpunon me grupet radikale që kanë marrë kontrollin e pothuajse gjysmës së territoreve siriane që prej vitit 2012; është tërheqja e DAESH-it nga Tedmuri dhe dorëzimi i kësaj zone te forcat e Damaskut.

Dokumentet përmbajnë informacione të rëndësishme gjithashtu mbi aktivitetet dhe sulmet terroriste në vendet perëndimore. Sipas tyre, DAESH-i ka trajnuar terroristë të huaj për të organizuar sulme në shtetet perëndimore dhe veçanërisht në Evropë.

Në këto dokumente, që theksojnë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë thellësisht të shqetësuara nga rritja e numrit të grupeve radikale të fshehta në Evropë, të cilësuara si celula të fjetura; thuhet se celulat ekzistuese janë maksimalisht të suksesshme në shmangien e forcave të sigurisë, edhe pse dihet që ato kanë planifikuar sulme të reja pas atyre në Paris dhe në Bruksel.

Siç bën të ditur kanali televiziv, “Sky News”, burim i këtyre informacioneve jashtëzakonisht të bujshme janë një grup luftëtarësh, të cilët fillimisht kanë luftuar përkrah Ushtrisë së Lirë Siriane (FSA) në Raka, ndërsa pas marrjes së qytetit nga DAESH-i janë pasivizuar duke u tërhequr në zonat pranë kufijve të Turqisë.



Lajme të ngjashme