Koment – Problemi i Lindjes së Mesme

Sot, Lindja e Mesme është një ndër rajonet më problematike të botës; ndoshta më problematiku. Secili vend i rajonit është duke u përballur brenda vetes me probleme serioze të përmasave të ndryshme.

Koment – Problemi i Lindjes së Mesme

Cilët janë kufijtë e Lindjes së Mesme dhe shtetet, që e formojnë atë, është një çështje e diskutueshme ende sot e kësaj dite. Megjithatë, sipas një tendence të përgjithshme, Lindje e Mesme quhet rajoni nga kufijtë perëndimorë të Marokut e deri në ata lindorë të Iranit; pra, hapësira gjeografike që përfshin të gjithë Afrikën Veriore, Izraelin, Iranin, Turqinë, Gadishullin Arabik dhe të tëra monarkitë arabe. Ngandonjëherë në Lindjen e Mesme përfshihen edhe vende si Pakistani, Afganistani dhe Sudani. Realisht, pozicionimi i këtyre tri shteteve brenda hapësirës së Lindjes së Mesme nuk sjell ndonjë ndryshim cilësor në shqyrtimin e problemeve të këtij rajoni; përkundrazi, ka cilësinë e konsoliduesit të gjithë atyre çfarë fliten.

Sot, Lindja e Mesme është një ndër rajonet më problematike të botës; ndoshta më problematiku. Secili vend i rajonit është duke u përballur brenda vetes me probleme serioze të përmasave të ndryshme. Disa shtete të Lindjes së Mesme po përpiqen të luftojnë kundër dhunës separatiste. Në disa prej tyre, organizata ekstremiste të dhunshme transnacionale, si Al-Kaida dhe DAESH-i, kanë marrë nën kontroll territore të caktuara të këtyre vendeve dhe janë duke luftuar për të zgjeruar sundimin e tyre.

Jemeni, Libia dhe Siria janë përfshirë nga luftëra civile; por këto nuk janë të vetmet shtete të pasuksesshme në rajon. Shumë vende të tjera qëndrojnë në prag të këtij procesi të rrezikshëm. Lufta civile nuk i ka prekur ende ato, por mund të shpërthejë nga çasti në çast.

Si të mos mjaftonte lufta civile, që mbretëron në shtetet e lartpërmendura prej tashmë disa vitesh, ato janë kthyer njëherësh edhe në një fushë beteje për influencë dhe pushtet të vendeve të tjera të rajonit.

Aktualisht, sektarizmi është shndërruar në plagën më të madhe lënguese të rajonit. Në njërën anë ajo gërryen përbrenda një numër të madh vendesh të Lindjes së Mesme dhe në anën tjetër helmon marrëdhëniet ndërshtetërore në rajon.

Ky rajon përfshin në vetvete edhe shtete si Emiratet e Bashkuara Arabe e Katari, të cilat renditen mes atyre 10 më të pasurave në botë. Ndërsa në disa të tjera, pavarësisht nëse ka luftime dhe janë prekur apo ajo nga lufta civile, mbretëron një varfëri e skajshme. Mjerimi dhe rreziku i situatës bëhet shumë herë më i madh po të numërojmë në radhët e shteteve të Lindjes së Mesme edhe vendet si Afganistani, Pakistani e Sudani.

Lindja e Mesme është një rajon pre e ndërhyrjeve të jashtme të vazhdueshme që prej fillimit të viteve 1900. Bëhet fjalë për një rajon, mbi të cilin bëjnë llogari dhe kanë interesa të gjitha vendet. Për më tepër, vetë koncepti i Lindjes së Mesme ka dalë në pah si një tregues i ekspozimit të rajonin ndaj ndërhyrjeve të jashtme. Ky është një koncept i formuar si rezultat i përpjekjeve të shteteve të mëdha kolonizuese për të përkufizuar hapësirat e hegjemonisë apo e fuqisë absolute të tyre. Edhe harta e Lindjes së Mesme është një përfundim i drejtpërdrejtë i orvatjeve të vetë fuqive kolonialiste për të ndarë “racionet”. Në fillim të viteve 1920, shtetet rajonale jo nën administrim direkt kolonial apo jo të themeluara si rezultat i marrëdhënieve me fuqitë kolonialiste ishin vetëm dy: Turqia dhe Irani.

Sakaq, një nga veçoritë më esenciale të rajonit është mosinstalimi i plotë apo i pjesshëm i sundimit të ligjit, që përgjithësisht përmendet si mungesë e demokracisë. Përveç disa përjashtimeve, s’ka asnjë dyshim se lloji regjimit politik, që mbretëron rajonin në përgjithësi, është autoritarizmi. Kurse në disa prej shteteve të rajonit, edhe pse sundimi i ligjit është një parim i miratuar dhe i kushtetuar, dihet botërisht se has në probleme serioze gjatë zbatimit.

Mungesa e autoritetit dhe e sundimit të ligjit bën rrjedhimisht të domosdoshëm që në këto vende t’u jepet prioritet inteligjencës, ushtrisë, policisë dhe fushës së sigurisë në përgjithësi. Por ajo çka vërejmë është se ky sektor sigurie përpiqet mbi të gjitha që të mbrojë shtetin karshi vetë qytetarëve të tij.

Një regjim, që nuk ka besim te qytetarët dhe te populli i tij, nuk mund të pritet që të ndërtojë një rend bashkëpunimi rajonal, të bazuar mbi besimin e ndërsjellë, as me vendet e tjera të rajonit. As fakti që aktorët e brendshëm të Lindjes së Mesme janë vazhdimisht të përfshirë në rivalitet dhe në konflikt me njëri-tjetrin nuk përbën përjashtim, madje është një situatë standarde. Prandaj dhe rajoni është përherë i hapur ndaj ndërhyrjeve të superfuqive botërore.

Nga ana tjetër, shpenzimet për armatime në shkallë globale, që kishin shënuar rënie të dukshme nga viti 2011 deri në 2015-n, vitin e kaluar kanë hyrë sërish në trendin e rritjes dhe këtu një pjesë të rëndësishme ka vetë Lindja e Mesme. Arabia Saudite ka shpenzuar për armatime gjithsej 87 miliardë dollarë gjatë vitit 2015 duke zënë vendin e tretë në botë për këtë fushë. Gjatë të njëjtit viti, Katari dhe Kuvajti kanë firmosur marrëveshje me vlerë respektivisht 7 dhe 8 miliardë dollarë për të blerë avionë luftarakë. Nuk ka asnjë pikë dyshimi se edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, të cilat kishin shpenzuar për armatime 25 miliardë dollarë në vitin 2014, kanë harxhuar edhe më shumë gjatë vitit të kaluar. Iraku ka shpenzuar për armatime 18 miliardë dollarë në 2015-n, ndërkohë që dy vite më parë kjo shumë ishte 12 miliardë dollarë. Në vitin 2015, shpenzimet për armatime kanë regjistruar rënie në Evropën Perëndimore, në kontinentet amerikane dhe në Afrikë, por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Lindjen e Mesme, e cila është edhe shkaku i rritjes së shpenzimeve për armatime në shkallë botërore. Egjipti, Irani dhe Algjeria renditen gjithashtu në mesin e vendeve të Lindjes së Mesme, të cilat kanë buxhete marramendëse për armatime.

Në të vërtetë, Lindja e Mesme s’ka nevojë për më shumë armë, por për më shumë paqe. Dhe rruga drejt paqes kalon përmes besimit reciprok dhe bashkëpunimit. Sepse, thënë pa dorashka, pa shpëtuar nga paaftësia për të ndërtuar bashkëpunim as vetë rajoni nuk do të jetë në gjendje që t’u mbyllë dyert ndërhyrjeve të vazhdueshme nga jashtë. Nëse Lindja e Mesme nuk u shpëton ndërhyrjeve të jashtme, atëherë çdo ditë një tjetër shtet i rajonit do të dështojë dhe si pasojë do të zhuritet nga lufta civile, një e vërtetë e hidhur.

Strukturat, të cilat nuk u besojnë as shoqërisë së tyre dhe nuk kanë qenë në gjendje të realizojnë një shtet ligjor të qëndrueshëm mbi bazën e kontratës sociale, e kanë jashtëzakonisht të vështirë që të ushqejnë besim ndaj njëra-tjetrës. Teksa përpiqen që të mbajnë nën kontroll qytetarët e tyre, regjimet, të cilat tmerrohen nga shoqëritë që i kanë formuar, njëherësh krijojnë probleme të reja gjithashtu me vendet fqinje dhe këtë e bëjnë për të konsoliduar pushtetin e tyre. Sepse klima e tensionit të vazhdueshëm është një nga rrugët më të mira për këtë.

Përparësia kryesore e sotme në Lindjen e Mesme duhet të jetë mbi të gjitha ndërtimi i sundimit të ligjit në çdo shtet dhe në shkallë rajonale.

 

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara​​​​​​



Lajme të ngjashme