Alijev-Lavrov: Të punojmë më fuqishëm për zgjidhjen politike Armeni-Azerbajxhan

Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, i cili shkoi të mërkurën në Baku për të marrë pjesë në mbledhjen treshe me pjesëmarrjen e homologëve të tij nga Irani dhe Azerbajxhani, u prit në takim nga Presidenti Ilham Aliyev.

Alijev-Lavrov: Të punojmë më fuqishëm për zgjidhjen politike Armeni-Azerbajxhan

Gjatë takimit me kryediplomatin rus, Presidenti Aliyev u shpreh i kënaqur nga organizimi në Baku i këtij takimi të parë ministror tresh dhe vuri në pah se ndërmjet tri vendeve ka filluar një proces bashkëpunimi rajonal mjaft serioz.

Aliyev tha se Azerbajxhani është shteti i vetëm që ka kufij edhe me Rusinë edhe me Iranin, ndërsa nënvizoi se bashkëpunimi trelateral në fjalë duhet të thellohet në shumë fusha.

Kreu i shtetit u ndal gjithashtu mbi luftimet në vijën e frontit Armeni-Azerbajxhan dhe mbi marrëveshjen e armëpushimit, që u arrit pas luftimeve disaditore.

“Armëpushimi po respektohej, por, fatkeqësisht, Armenia e shkeli atë mbrëmjen e sotme. Ne jemi fokusuar në vazhdimin e procesit të negociatave. Azerbajxhani do t'i qëndrojë besnik procesit të negociatave", deklaroi Presidenti Ilham Aliyev.

Ndërsa Sergey Lavrov, pasi theksoi se të tria vendet kanë interesa të përbashkëta gjeopolitike dhe gjeostrategjike nga aspekti i korridoreve të transportit, i zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike dhe i aktiviteteve të ndërsjella në fushën e energjisë; sqaroi se sot, së bashku me homologët e tij nga Irani dhe Azerbajxhani, do të formojnë një kornizë politike, e cila do të garantojë realizimin e projekteve të komunikacionit dhe të energjisë.

Shefi i diplomacisë ruse gjithashtu vuri theksin mbi domosdoshmërinë e reduktimit të tensionit në vijën e frontit Armeni-Azerbajxhan.

“Uroj dhe shpresoj që ngjarjet e fundit të na nxisin për të punuar më fuqishëm dhe më aktivisht për zgjidhjen politike. Ne kemi disa propozime dhe mbështesim tërësisht nismat e bashkëkryetarëve të Grupit Minsk të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE). Jemi të bindur se për formimin e klimës së duhur, që do të mundësonte rifillimin e menjëhershëm të procesit politik, nevojitet jo vetëm ndihma e OSBE-së, por edhe ajo e Kryqit të Kuq Ndërkombëtar", përfundoi ministri Lavrov.



Lajme të ngjashme