Koment – Ç’ndodh kur një senator i SHBA-ve apelon që Izraeli të gjykohet për mizori?!

Senatori i Vermontit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Patrick Leahy, kërkon që Izraeli dhe Egjipti të hetohen për vrasje brutale të kryera me ndihmën ushtarake amerikane.

Koment – Ç’ndodh kur një senator i SHBA-ve apelon që Izraeli të gjykohet për mizori?!

Patrick Leahy, senator demokrat nga shteti verilindor i Vermontit, ka sosur durimin e Kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe është përballur me një qortim nga brenda partisë së tij, pasi kishte kërkuar një hetim për "shkelje të rënda të të drejtave të njeriut" nga Izraeli dhe Egjipti, përfituesit kryesorë të ndihmës ushtarake amerikane.

Lëshuar vetëm pak ditë pasi një ushtar izraelit u regjistrua duke vrarë në mënyrë jashtëgjyqësore (pa vendim gjyqësor) një burrë palestinez të plagosur në qytetin e Hebronit (Al-Halil), në Bregun Perëndimor të pushtuar, kërkesa e senatorit Leahy për një hetim është shenja e fundit që tregon se mbështetja ushtarake amerikane për qeverinë e djathtë izraelite po bëhet një burim tensioni politik.

Më 17 shkurt, Patrick Leahy dhe dhjetë anëtarë demokratë të Kongresit i dërguan një letër sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry. "Ka pasur një numër shqetësues të raporteve mbi shkelje të mundshme të rënda të të drejtave të njeriut nga forcat e sigurisë në Izrael dhe në Egjipt – incidente ku mund të jenë të përfshirë përfitues apo përfitues potencialë të ndihmës ushtarake amerikane", theksohet në këtë dokument, i cili u bë publik në fund të marsit. "Ne ju nxisim që të përcaktoni nëse këto raporte janë të besueshme dhe ju kërkojmë që të na informoni mbi gjetjet tuaja", shtohet ndër të tjera në brendësi të tij.

Letra nxjerr konkluzionin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të jenë në kundërshtim me ligjin Leahy (quajtur sipas emrit të senatorit nga Vermonti), një kuadër ligjor që synon parandalimin e ndihmës ushtarake amerikane për "çdo njësi të forcave të sigurisë të një vendi të huaj, nëse sekretari i Shtetit zotëron informacion të besueshëm se njësia në fjalë ka bërë shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut".

"Amnesty International dhe organizatat e tjera për të drejtat e njeriut kanë raportuar se ekzekutimet nga ushtria dhe policia izraelite e Fadi Alloun, Saad Al-atrash, Hadeel Hashlamoun dhe Mutaz Ewisa, mund të jenë vrasje jashtëgjyqësore", sqarohet në letër dhe shtohet se "ka gjithashtu raporte të përdorimit të torturës në rastet e Wasim Marouf dhe Ahmed Manasra".

Në një shkrim për portalin informativ, “Mondoweiss", gazetari Philip Weiss vuri në dukje se "shumë prej nënshkruesve të letrës, përfshi këtu Hank Johnson, Andre Carson, Eddie Bernice Johnson, Eleanor Holmes Norton dhe Raul Grijalva, janë njerëz me ngjyrë; kjo është relevante dhe e rëndësishme, sepse, siç ka thënë mbrëmjen e të hënës në Kolumbia drejtoresha e Qendrës për Politikat e Lindjes së Mesme në Institutin “Brookings", Tamara Cofman Wittes, mbështetja për Izraelin në SHBA po politizohet dalëngadalë, pasi baza e Partisë Demokratike po bëhet gjithnjë më shumë e zezë dhe latine, grupe që kanë simpati për kauzën palestineze".

Letra e senatorit Leahy është dukshëm për vendosjen e shkeljeve të Izraelit në krah të mizorive egjiptiane – përfshirë masakrën e vitit 2013 në Sheshin “Rabia" – një lëvizje e rrallë në një klimë politike amerikane, ku Izraeli konsiderohet shpesh i paqortueshëm. Shtetet e Bashkuara i japin çdo vit Izraelit 3,1 miliardë dollarë ndihma ushtarake dhe rreth 1,5 miliardë dollarë të tjera Egjiptit, që financoi juntën ushtarake brutalisht represive të vendit, sipas udhëzimeve të akordeve të njohura si “Marrëveshja e Camp David". Së bashku, këto dy vende përfituan më shumë se 75% të ndihmës ushtarake globale të SHBA-së në vitin 2014.

Dënimi i përbashkët u prit me kritikë të mprehtë nga Ben Cardin, anëtar demokrat i rangut të lartë në Komitetin për Marrëdhënie me Jashtë të Senatit dhe një nga përfituesit kryesorë të kontributeve nga lobi proizraelit. "Këtu nuk ka krahasim", ka thënë Cardin për “The Forward", një gazetë që publikohet në Nju-Jork për audiencën çifute, sipas një artikulli të botuar të dielën. "Në Izrael funksionon sundimi i ligjit. Ata kanë një sistem që do të kërkojë llogari nga ata përgjegjës... Nuk ka ekuivalencë këtu", ka nënvizuar Ben Cardin.

Netanyahu sulmoi të mërkurën e kaluar me këto fjalë: "Forcat Izraelite të Mbrojtjes (IDF) dhe policia jonë nuk angazhohen në ekzekutime. Ushtarët dhe oficerët e policisë së Izraelit mbrojnë me standardet më të larta morale veten dhe civilët e pafajshëm kundër terroristëve gjakpirës, të cilët vijnë për të vrarë ata."

Dahlia Scheindlin nga blogu analist i majtë, “+972 Magazine", përgjigjen e Netanyahut e ka cilësuar një "varg i çuditshëm gënjeshtrash". Një raport i lëshuar nga “Amnesty International" në shkurt të vitit 2014 zbuloi se Izraeli kishte vrarë dhe plagosur palestinezë pa u ndëshkuar, përfshirë edhe fëmijët. Këto gjetje u pasuan shumë shpejt nga sulmet ushtarake 51-ditore të Izraelit në Rripin e Gazës, ku u vranë të paktën 2.145 palestinezë, shumica dërrmuese e të cilëve ishin civilë dhe të paktën 578 prej tyre fëmijë.

Siç bën të ditur zyra palestineze e OJQ-së së quajtur Mbrojtje Ndërkombëtare për Fëmijët (DCI), të paktën 28 fëmijë palestinezë janë "qëlluar për vdekje nga forcat izraelite në vitin 2015", pjesërisht për shkak të zbatimit të një politike qëllo-për-vdekje (shoot-to-kill) të Izraelit, në përgjigje të tensioneve dhe rezistencës në rritje.

Ndërkaq, senatori Leahy ka reaguar përsëri kundër pretendimeve të Netanyahut duke argumentuar të mërkurën se "ligji Leahy, i cili ekziston prej gati 20 vjetësh, aplikohet uniformisht në mbarë botën pa përjashtuar asnjë vend dhe kjo vlen për personelin e njësitë specifike ushtarake, jo për forcat e sigurisë në përgjithësi, kur bëhet fjalë për përfshirje të ndihmës amerikane". Ai vazhdoi me këto fjalë: "Kjo është e drejtë vetëm për taksapaguesit amerikanë dhe është domosdoshmëri në respektimin e sundimit të ligjit, që vendi ynë mbron."

Më pas, një tjetër hap që përshkallëzon konfliktin global ka ardhur nga kryeqeveritari izraelit, i cili thuhet se të premten e kaluar i ka telefonuar sekretarit amerikan të Shtetit, John Kerry, duke i kërkuar këtij të fundit që të deklarojë se Izraeli nuk është fajtor për vrasjet jashtëgjyqësore.

Ky lëmsh vjen duke u koklavitur gjithnjë e më tepër, pasi Netanyahu kërkon një rritje të ndihmës ushtarake amerikane prej 4,5 miliardë dollarësh në vit.

Por Raed Jarrar, menaxher i marrëdhënieve të qeverisë me Komitetin e Shërbimit për Miqtë Amerikanë (AFSC), u shpreh për infoportalin "AlterNet" se "administrata Netanyahu është kaq ekstreme në politikat dhe praktikat e saj, saqë veprimet e tyre po bëjnë të pamundur ruajtjen e politikave amerikane të një çeku të bardhë".

Sipas Suzanne Adely, bashkëkryetare e komitetit ndërkombëtar të Dhomës Kombëtare të Avokatisë në SHBA (NLG), "ofensiva izraelite e 2014-s në Gazë dhe masakra e vitit 2013 në 'Rabia' përfaqësojnë dy pika kthese, të cilat kanë bërë që më shumë zëra në mesin e mediave kryesore, zyrtarëve qeveritarë dhe qytetarëve të zakonshëm amerikanë, të thonë: Mjaft!"


Autore: Sarah Lazare - AlterNet

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme