Refugjatja irakiane i bën thirrje botës të ndalojë terrorizmin

22-vjeçarja nga Iraku, Nadia Murad, e rrëmbyer në vitin 2014 nga DAESH dhe që tani jeton në Gjermani i ka bërë apel edhe një herë botës nga kampi i refugjatëve në Idonemi për parandalimin e terrorizmit dhe të ndihmojë refugjatët.

Refugjatja irakiane i bën thirrje botës të ndalojë terrorizmin

Vajza 22-vjeçare nga Iraku, Nadia Murad, e cila u rrëmbye nga organizata terroriste DAESH dhe pas një kohe arriti të arratisej, të dielën vizitoi kampin e refugjatëve në Idomeni, ku ndodhen të bllokuar rreth 12 mijë refugjatë.

Nadia Murad pas shëtitjes që bëri në kampin e ngritur në Idomeni apeloi që të ofrohet ndihmë për refugjatët, të cilët përpiqen të ikin nga terrorizmi dhe nuk kanë vend tjetër ku të shkojnë. Ajo theksoi se në Idomeni refugjatët jetojnë në kushte të mjerueshme, ndërkohë kërkoi nga Greqia që të gjejë vende për akomodimin e refugjatëve nëpër kampe të tjera.

“Komuniteti ndërkombëtar duhet t'i kushtojë vëmendje kësaj gjendjeje, të shikojë se çfarë po ndodh dhe të gjejë një zgjidhje. Tani për tani janë të bllokuar me mijëra, mirëpo nëse nuk parandalojnë terrorizmin, ky numër do të rritet në miliona refugjatë. Bota duhet të bëj dy gjëra: të parandalojë terrorizmin, si dhe të ndihmojë refugjatët që ikin nga terrorizmi dhe nuk kanë asnjë vend tjetër për të shkuar", tha Murad.

Nadia Murad Basee Taha është njëra nga 5 mijë gratë e marra rob në kohën kur organizata terroriste DAESH depërtoi në territoret e Irakut verior. Ajo u rrëmbye në gusht të vitit 2014 në fshatin e saj në një provincë të Irakut dhe më pas u dërgua me autobus në Mosul. Pas tre muajsh ajo arriti të arratisej dhe t'i shpëtonte torturave të DAESH-it, ndërsa tani jeton në Gjermani.

22-vjeçarja nga Iraku tmerrin e përjetuar gjatë tre muajve si skllave e DAESH-it e ka rrëfyer në OKB dhe iu lut Këshillit të Sigurimit për të shfarosur këtë organizatë terroriste. Më pak se 24 orë pas paraqitjes së Nadia Murad-it në OKB, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry deklaroi se DAESH është duke kryer gjenocid ndaj popullsisë irakiane dhe siriane.



Lajme të ngjashme