Qipro – Rrëmbimi i avionit të “Egypt Air”, motivi mund të jetë “dashuria”

Pirati ajror, që rrëmbeu avionin e pasagjerësh të Linjave Ajrore Egjiptiane (Egypt Air) me itinerar Aleksandri-Kajro, nuk ka qëllime terroriste, deklaroi lideri grekoqipriot, Nikos Anastasiadis.

Qipro – Rrëmbimi i avionit të “Egypt Air”, motivi mund të jetë “dashuria”

Ai konfirmoi se akti i rrëmbimit të avionit në fjalë, që është detyruar të bëjë ulje në Aeroportin e Larnakës, nuk ka lidhje me terrorin.

“Rrëmbyesi i avionit të 'Egypt Air' nuk është i natyrës terroriste. Motivacionet e piratit të ajrit, që kërkoi të takojë ish-bashkëshorten qipriote, nuk janë të lidhura me terrorizmin”, theksoi Anastasiadis gjatë një konference për shtyp.

Sipas disa pretendimeve, rrëmbyesi i avionit ka kërkuar që ish-bashkëshortes së tij t'i dorëzohet një letër prej 4 faqesh, të cilën ai e ka shkruar më parë; ndërsa ka thënë se do të preferonte që të shkonte në një vend të tretë, që mund të jetë Qiproja e Jugut ose Stambolli.

Televizioni grekoqipriot, “CYBC”, bëri të ditur më parë se pirati ajror ka lejuar që shumica e pasagjerëve, gratë dhe fëmijët të zbresin nga avioni, ndërsa ka mbajtur peng vetëm 3 pasagjerë dhe 4 anëtarë të ekuipazhit.

Dyshohet se keqbërësi mund të jetë i armatosur, si dhe për praninë e një bombe në avion.

Media egjiptiane njoftoi më herët se emri i piratit ajror është Ibrahim Samaha, por kjo u përgënjeshtrua më pas nga i njëjti burim, që citoi zyrtarë egjiptianë të sigurisë të kenë saktësuar se Samaha ishte vetëm njëri prej pasagjerëve, ndërsa emri i rrëmbyesit është Seif ed-Din.

Pirati ajror e ka bindur pilotin e avionit që të bëjë ulje në Aeroportin e Larnakës duke e kërcënuar atë me një brez me lëndë plasëse.

Aeroporti u izolua menjëherë dhe u morën masa sigurie të shkallës së gjerë.

Policia e pjesës greke të ishullit është në gjendje kontakti me keqbërësin, i cili, sipas pretendimeve, kërkon të shkojë në një vend të tretë.

Sipas zyrtarëve aeroportualë të Larnakës, bëhet fjalë për një avion pasagjerësh, tip Airbus A320, me numrin SU-GCB në bishtin e tij.



Lajme të ngjashme