Koment - A janë sulmet terroriste në Bruksel hakmarrje e atentatorit të Parisit?

Kryeqyteti Bruksel i Belgjikës dhe i Bashkimit Evropian u trondit të martën nga sulme të njëpasnjëshme terroriste.

Koment - A janë sulmet terroriste në Bruksel hakmarrje e atentatorit të Parisit?

Bilanci i deritanishëm flet për 34 të vdekur dhe mbi 100 të plagosur nga tri atentate me bombë në aeroportin ndërkombëtar të Brukselit dhe në stacionin e metrosë, që ndodhet shumë pranë institucioneve kryesore të BE-së.

I gjithë vendi është nën gjendje alarmi. Udhëtimet me avionë dhe trena u ndalën, shkollat u mbyllën, linjat telefonike u prenë dhe qytetarët u paralajmëruan për të mos dalë jashtë shtëpive.

Por a janë vallë sulmet terroriste në Bruksel hakmarrje e atentatorit të Parisit?

Shpërthimet e bombave në kryeqytetin belg pas kapjes të premten e kaluar në Bruksel të Salah Abdeslamit, i dyshuari kryesor i sulmeve të nëntorit 2015 në Paris, ngriti dyshimet për një hakmarrje të mundshme.

Për momentin, tezat më të besueshme në lidhje me ngjarjen e rëndë janë dy: E para ngre dyshimin se sulmet mund të jenë kryer nga celula, me të cilën është i lidhur edhe Abdeslami; ndërsa e dyta pretendon se ka shumë gjasa që të jetë aktivizuar një celulë tjetër, e cila duket se është përgatitur prej një kohe të gjatë për këto sulme.

Gjithsesi, teza e një hakmarrjeje për kapjen e Salah Abdeslamit fiton terren në të dyja rastet.



Lajme të ngjashme