Poloni – Konfirmime të reja për bashkëpunimin e Walesas me shërbimet sekrete

Rikthehen akuzat kundër ish-presidentit polak, Lech Walesa, për një bashkëpunim të dyshuar të tij me shërbimet sekrete të Polonisë komuniste të kohës.

Poloni – Konfirmime të reja për bashkëpunimin e Walesas me shërbimet sekrete

Instituti për Kujtesën Kombëtare në Poloni (IPN) bëri të hënën publike dokumente të shërbimeve sekrete polake (SB), që përforcojnë hipotezën e bashkëpunimit të ish-liderit të lëvizjes politike, "Solidarnost", mes viteve 1970-1976, me pseudonimin "Bolek".

Sipas agjencisë zyrtare polake të lajmeve, "PAP", dokumenti i parë, i cili që dje është i hapur për publikun në bibliotekën e IPN-së, mban datën 4 janar 1971, ndërkohë që dokumenti i fundit ka datën 18 shkurt 1976.

Bëhet fjalë për relacione jo të shkruara nga Walesa, por nga funksionarë të ndryshëm, pas bashkëbisedimeve me Bolekun.

Në arkivin e gjetur nga IPN-ja javën e kaluar në shtëpinë e ish-ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Czeslaw Kiszczak, janë edhe fatura parash, që Boleku kishte marrë për bashkëpunimin.

"Jo unë, por ju më keni tradhtuar", shkruan Walesa në blogun e tij duke mohuar gjetjet e IPN-së.

Edhe historiani, Karol Modzelewski, në një intervistë për të përditshmen "Gazeta Wyborcza", shpreh habinë për akuzat e reja ndaj ish-presidentit Walesa.

Sipas një dëshmie të një funksionari të shërbimeve sekrete, mes viteve 1970-1980 dokumentet kundër Walesas falsifikoheshin për të shkatërruar besueshmërinë mes sindikalistëve, si edhe për të penguar marrjen e Çmimit Nobel nga ish-presidenti, në vitin 1983.



Lajme të ngjashme