Ban Ki-Moon quan hap të rëndësishëm vendimin e Kushtetueses për Asociacionin

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon nënvizon në një raport se “procedurat e rëna dakord në drejtim të krijimit të Asociacionit në Kosovë nuk po përmbushin afatet e caktuara kohore”.

Ban Ki-Moon quan hap të rëndësishëm vendimin e Kushtetueses për Asociacionin

“Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese dhe angazhimi i qeverisë për të vazhduar procesin e krijimit të Asociacionit (të komunave) në përputhje me vendimin e Gjykatës, shënon një hap të rëndësishëm,” thuhet në raportin më të ri mbi zhvillimet tremujore në Kosovë të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon.

Ai megjithatë nënvizon se “procedurat e rëna dakord në drejtim të krijimit të Asociacionit nuk po përmbushin afatet e caktuara kohore”.

Raporti tashmë u është dërguar anëtarëve të Këshillit të Sigurimit dhe për të do të debatohet më 24 shkurt nën presidencën e radhës të Venezuelës, raporton transmetuesi publik.

“Vazhdimi i përdorimit të dhunës dhe retorika nxitëse nga partitë opozitare, të cilat rezultuan me ndërprerje të punimeve të Kuvendit dhe përshkallëzuan tensionet në rrugët e Kosovës, përbën një shqetësim serioz. Veprimet e tilla janë të papranueshme; ato nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe vetëm mund të ndikojnë negativisht në Kosovë”, thotë më tej Sekretari i Përgjithshëm.

Ai u bën thirrje “atyre që janë përgjegjës që të adresojnë ankesat politike përmes kanaleve të ligjshme”. Sekretari Ban Ki-moon vlerëson edhe “profesionalizmin dhe përmbajtjen e demonstruar nga Policia e Kosovës në menaxhimin e disa protestave të dhunshme të cilat kanë ndodhur gjatë kësaj periudhe”.

“Përgëzoj përpjekjet e vazhdueshme të Presidentes Jahjaga për të ndihmuar në zgjidhjen e situatës përmes dialogut transparent dhe gjithëpërfshirës”, thekson ndër të tjera në raportin për Kosovën Sekretari Ban Ki-moon. Raporti përfshin periudhën e zhvillimeve nga 16 tetori i vitit të kaluar deri më 15 janar të këtij viti.



Lajme të ngjashme