Operacioni “Burimi i Paqes”

Qëllimi ynë është paqja
objektivi është terrorizmi

SHBA - Thesari i Shtetit: Vladimir Putin është i korruptuar

“Kryetari i shtetit rus, Vladimir Putin, është i korruptuar.” Ky është konkluzioni i një hetimi të ndërmarrë nga Thesari amerikan i Shtetit, bën të ditur rrjeti britanik i transmetimeve, “BBC”.

SHBA - Thesari i Shtetit: Vladimir Putin është i korruptuar

Qeveria amerikane ka vendosur deri më tani sanksione ndaj ndihmësve të Putinit, por kjo është hera e parë që Departamenti i Thesarit e akuzon drejtpërdrejt atë për korrupsion.

Zëdhënësi i presidentit rus ka reaguar menjëherë, duke thënë se “asgjë prej këtij dyshimi apo çështjeje nuk meriton vëmendje apo justifikim, pasi ky konkluzion është një trillim i pastër”.

Adam Szubin, i cili mbikëqyr sanksionet e vendosura nga Thesari amerikan të Shtetit, është shprehur për BBC-në se presidenti rus është i korruptuar dhe se qeveria amerikane e dinte këtë gjë prej “vitesh të tëra”.

“E kemi parë teksa pasuron miqtë e tij, aleatët më të afërt dhe teksa margjinalizon ata, që nuk i konsideron si miq, të përfitojnë apo të përdorin asetet shtetërore ruse. Qoftë pasuritë energjetike të Rusisë, apo edhe kontratat e majme shtetërore, ai ua drejton ato njerëzve më të besuar të tij, të cilët beson se do t'i shërbejnë, ndërsa përjashton ata që nuk i hyjnë në punë. Për mua, kjo është një panoramë e qartë korrupsioni”, tha Szubin.

Qeveria amerikane vendosi sanksione ndaj një numri të konsiderueshëm personash të afërt me Kremlinin në vitin 2014, si dhe arriti në përfundimin se Vladimir Putin kishte investime sekrete në sektorin energjetik. Gjithsesi, amerikanët nuk e akuzuan drejtpërdrejt atë për korrupsion në atë kohë.

Sanksionet, të cilat më tej u zgjeruan duke përfshirë më shumë individë dhe organizata, përkojnë me masat e ndërmarra nga Bashkimi Evropian kundër Rusisë. Shkak i tyre u bë aneksimi i Krimesë nga Rusia; motivuar, sipas Moskës, nga trazirat politike në Ukrainë.

Zyrtarë të qeverisë amerikane kanë qenë të përmbajtur kur janë pyetur në lidhje me pasurinë e Presidentit Putin, por Szubin, ndryshe nga ata, pranoi të merrte pjesë në emisionin investigativ të BBC-së mbi këtë çështje. Gjithsesi, ai nuk ka dashur të komentojë mbi raportin sekret të CIA-s në vitin 2007, sipas të cilit pasuria e Putinit shkon në rreth 40 miliardë dollarë. Por Szubin e tha qartë se presidenti rus ka grumbulluar një pasuri të konsiderueshme, që e mban të fshehur.

“Supozohet se ai merr një pagë shtetërore prej rreth 110 mijë dollarësh në vit dhe nuk e justifikon kurrsesi pasurinë e tij. Megjithatë thuhet se ai prej një kohe të gjatë është trajnuar dhe po praktikon metoda të fshehjes së pasurisë së tij reale”, sqaroi Szubin.

Reagimi i Presidencës së Rusisë për këto akuza nuk vonoi aspak.

“Përhapja e akuzave të tilla nga Thesari amerikan i Shtetit, pa ofruar prova konkrete, hedh një hije të errët mbi këtë institucion”, deklaroi për median zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov.



Lajme të ngjashme