Koment – Problemi i Lindjes së Mesme në fjalimin e Obamas mbi gjendjen e SHBA-ve

Presidentët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës mbajnë tradicionalisht çdo vit në seancën e përbashkët të Kongresit një fjalim mbi “Gjendjen e Unionit”.

Koment – Problemi i Lindjes së Mesme në fjalimin e Obamas mbi gjendjen e SHBA-ve

Në këtë fjalim, krerët e Shtëpisë së Bardhë ndajnë me ligjvënësit dhe popullin mendimet e tyre rreth situatës së përgjithshme në vend, si dhe informojnë të zgjedhurit amerikanë në lidhje me agjendën e tyre legjislative (për të cilën nevojitet bashkëpunimi i Kongresit) dhe për prioritetet (politike) kombëtare. Fjalimin mbi “Gjendjen e Unionit" për vitin 2016 Presidenti Barack Obama e mbajti më datë 12 janar. Në këto fjalime, përgjithësisht flitet për çështjet, që kanë të bëjnë me politikën e brendshme. Mirëpo Obama i kushtoi politikës së jashtme të SHBA-ve gati gjysmën e fjalimit të tij të fundit mbi gjendjen e vendit. Ky fjalim ishte me rëndësi edhe për rajonin e Lindjes së Mesme, nga aspekti i çështjeve të cilave lideri amerikan u ka mëshuar ose jo.

E rëndësishme ishte që Obama të kritikonte – dhe ai kështu veproi ndonëse pa cituar një emër – deklaratat diskriminuese ndaj myslimanëve, të kandidatit paraprak republikan për zgjedhjet presidenciale amerikane, Donald Trump, një çështje kjo me peshë madhore për Lindjen e Mesme. Kritikat në fjalë ishin të rëndësishme gjithashtu nga aspekti i popullatës myslimane me banim në SHBA dhe i botës islame në përgjithësi. Kreu i Shtëpisë së Bardhë kundërshtoi prerazi politikat, që vënë në shënjestër njerëzit për shkak të besimeve dhe racës së tyre, duke theksuar se këto nuk e bëjnë Amerikën një vend më të sigurt. Po ashtu, ai vuri në pah se ky qëndrim zvogëlon SHBA-të në sytë e botës, vështirëson marrëdhëniet me aleatët dhe madje tradhton vlerat amerikane. Ky theksim ishte në përputhje dhe në vazhdimësi me deklaratën e vitit 2009 të Obamas në Kajro, ku ai nënvizonte se do të përpiqeshin për t'u hapur me botën myslimane dhe për të eliminuar keqkuptimet.

Në këtë kontekst, mjaft e rëndësishme ishte edhe një tjetër emfazë e Obamës teksa po fliste rreth kërcënimeve të DAESH-it dhe Al-Kaidas. Ai tha se të dyja këto organizata terroriste janë secila nga një kërcënim i drejtpërdrejtë për sigurinë e jetës së popullit amerikan, por minimizoi pretendimet se DAESH-i po hap rrugën, që çon drejt një lufte të tretë botërore. Sipas presidentit të SHBA-ve, kjo organizatë nuk përbën një rrezik jetik për vendin e tij. Ndërsa çështje me peshë shumë të veçantë në fjalimin e Obamas ishte ndalesa e tij sidomos mbi mashtrimin se organizata terroriste në fjalë është gjoja përfaqësuesja e një prej feve më të rëndësishme në botë. Sipas Presidentit Obama, përsëritja e vazhdueshme e kësaj gënjeshtre nga politikanët amerikanë, sikur ajo të ishte një e vërtetë e pakundërshtueshme, dëmton rëndë marrëdhëniet ndërmjet Uashingtonit dhe aleatëve të tij.

Një nga arsyet e ndjeshmërisë së lartë të shfaqur nga Obama në lidhje me këtë çështje është padyshim izolimi apo margjinalizimi i myslimanëve, një dukuri shoqërore kjo që po shfaqet çdo ditë e më tepër si pasojë e vazhdimësisë së këtij retorizmi të rëndë dhe që luan rol të rëndësishëm në rekrutimin e elementëve të rinj nga këto lloj organizatash. Në veçanti, dëmtimi i civilëve gjatë operacioneve ushtarake dhe gabimet ndaj myslimanëve të pafajshëm në implementimin e politikave të sigurisë në vendet perëndimore mund të neutralizojnë plotësisht retorizmin pozitiv.

Dhe në fakt, një tjetër shprehje e përdorur nga vetë Obama gjatë fjalimit mbi gjendjen e vendit kishte një nuancë të aftë të shuante pothuajse të gjitha shpresat, që ishin ngjallur nga deklaratat e tij pozitive. Presidenti amerikan, i cili theksoi se kërcënimet e sotme vijnë më pak nga perandoritë e djallit dhe më tepër nga shtetet e dështuara, procesin e përjetuar nga shtetet dështake e përmblodhi me këto fjalë: “Lindja e Mesme po kalon nëpër një transformim, që do të vazhdojë një brez të tërë, sepse rrënjët e konfliktit kanë një zanafillë njëmijëvjeçare."

Mjerisht, kjo shprehje është një lexim i gabuar i historisë dhe njëkohësisht një pasojë e injorimit të çështjeve, që përbëjnë thelbin e problemeve aktuale. Nuk e kemi aspak të vështirë të kuptojmë se “konflikti njëmijëvjeçar" nënkupton divergjencën sunito-shiite. Por, në të vërtetë, përpara vitit 1979 nuk kishte asnjë gjurmë të problemeve rajonale të Lindjes së Mesme, që sot shfaqen dhe duken si konflikt ndërsektar. Në periudhën përpara 1979-s, Arabia Saudite dhe Irani, dy nga tri shtetet që formonin bazamentin e politikës së SHBA-ve për Lindjen e Mesme, bashkëvepronin në integritet të plotë me Shtëpinë e Bardhë në emëruesin e përbashkët të antikomunizmit, që paraqitej si kusht nga Lufta e Ftohtë.

Pas Revolucionit Iranian të 1979-s, Uashingtoni dhe Riadi manovruan së bashku në politikën e bllokadës apo atë të embargove kundër Teheranit. Madje të dyja këto shtete përkrahën pa u kursyer aspak Irakun e Saddam Husseinit gjatë luftës 8-vjeçare të këtij vendi kundër Iranit (1980-1988). Një tjetër shembull i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Arabisë Saudite është regjistruar edhe në vitet '80, ku vërehej mbështetja e fuqishme e këtyre vendeve gjatë luftës kundër ish-Bashkimit Sovjetik në Afganistan. Frytet e disa llogarive të gabuara, që bëheshin përgjatë këtij bashkëpunimi, janë organizatat e dhunshme radikale, të cilat u shfaqën në shkallë rajonale e globale në vitet 1990. Sakaq, një terren mjaft të përshtatshëm për konfliktet, rrënjët e të cilave – sipas Obamas – kanë një zanafillë njëmijëvjeçare, ka përgatitur pikërisht ndërhyrja ushtarake e vitit 2003 në Irak, realizuar nën udhëheqjen e SHBA-ve.

Nga ana tjetër, rëndësi jashtëzakonisht të madhe ka edhe një tjetër çështje, mbi të cilën Barack Obama nuk është ndalur fare: Problemi i Palestinës, plagë kjo e hapur një shekull më parë, është realisht një problem me origjinë evropiane; i shndërruar sot pothuajse në gangrenë për shkak të moskokëçarjes së botës perëndimore. Plot 7 vite më parë, Obama e shikonte Problemin e Palestinës si një konflikt, që duhej zgjidhur me doemos. Ai kishte marrë përsipër ndërmjetësimin mes dy palëve, por procesi rezultoi pa zgjidhje, edhe pse negociatat filluan dy herë. Çështja palestineze është nëna e shumicës dërrmuese të problemeve në Lindjen e Mesme të kësaj periudhe moderne. Një lider, i cili ka marrë përsipër zgjidhjen e këtij problemi dhe ka dështuar në arritjen e përfundimit të dëshiruar, nuk duhet të injorojë “rëndësinë qendrore" të këtij problemi teksa flet për burimin e konflikteve në rajonin e Lindjes së Mesme.

Shqipëroi: Hilmi Velagoshti - Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara



Lajme të ngjashme