SHBA - Sulmi në Kaliforni, humbin jetën 14 persona

Zyra Federale e Hetimeve (FBI) dhe autoritetet në Kaliforni kanë hedhur më shumë dritë mbi sulmin me armë në qendrën mjekësore për persona me aftësi të kufizuara në San Bernardino, ku 14 persona kanë humbur jetën dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur.

398388
SHBA - Sulmi në Kaliforni, humbin jetën 14 persona

Agjentë të FBI-së kanë konfirmuar se, pas shkëmbimit të zjarrit me personat brenda një makine të zezë ditën e mërkurë, kanë mbetur të vrarë dy të dyshuar si autorë të ngjarjes, një mashkull dhe një femër.

Sipas tyre, të dy ishin të armatosur dhe kishin veshje të errëta, ndërsa të parët kanë shtënë në drejtim të oficerëve të policisë, duke mos iu përgjigjur urdhrit për dorëzim.

Po ashtu, është arrestuar edhe një person i tretë, i cili është përpjekur të largohet nga zona, ku policia dhe të dyshuarit shkëmbyen zjarr. Ai ende nuk është identifikuar dhe nuk është e qartë nëse është direkt i përfshirë në sulm.

Policia po vazhdon të kontrollojë objektin e “Inland Regional Center”, vend ku vdiqën 14 vetë, për shkak se dyshohet se është gjetur një mjet eksploziv në hapësirat e brendshme.

FBI-ja ka thënë se është ende herët për të thënë nëse ky akt është një sulm terrorist.

“Ende nuk mund të flasim me siguri nëse ky ishte një akt terrorist, por ekziston mundësia se ka qenë i tillë. Por, për ta konfirmuar, duhet të presim që të përfundojmë të gjitha hetimet e nevojshme”, deklaroi Zyra Federale e Hetimeve.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme