Putin: DAESH-i financohet nga 40 shtete, përfshi disa të G20-s

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, deklaroi gjatë konferencës për shtyp në mbyllje të Samitit të G20-s se organizata terroriste DAESH mbështetet financiarisht nga vende të jashtme.

Putin: DAESH-i financohet nga 40 shtete, përfshi disa të G20-s

“DAESH mbështetet nga 40 shtete. Mes tyre ka edhe anëtare të G20-s”, u shpreh lideri rus në Antalia të Turqisë.

Pasi sqaroi se u ka dorëzuar liderëve të vendeve të G20-s edhe informacione të hollësishme në lidhje me kanalet financuese të organizatës terroriste, Vladimir Putin theksoi se duhet të pengohen rrugët përmes të cilave grupet terroriste përfitojnë të ardhura nga nafta dhe nënproduktet e saj.

“Homologëve të mi u tregova disa fotografi të realizuara nga hapësira dhe avionët, ku duket qartë sesa e gjerë është hapësira e përhapjes së tregtisë ilegale të naftës”, shtoi ai.

Udhëheqësi rus ka përsëritur edhe njëherë gatishmërinë e Moskës për të mbështetur nga ajri opozitën e armatosur në Siri, në përpjekjet e saj për të luftuar DAESH-in.

Më tej presidenti rus ka nënvizuar se nuk është çasti i duhur për të përcaktuar se cili vend është më shumë apo më pak efektiv në betejën kundër DAESH-it, pasi tashmë është më shumë se kurrë i nevojshëm një unitet ndërkombëtar kundër këtij grupi terrorist.

“Gjatë këtij procesi, ne kemi me të vërtetë nevojë për ndihmë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian, Arabia Saudite, Turqia dhe Irani”, tha Putin.

Shefi i Kremlinit është ndalur gjithashtu mbi zhvillimet në Ukrainë, duke njoftuar se kanë vendosur për ristrukturimin e borxhit 3 miliardë dollarësh, që Kievi duhet t’i shlyejë Moskës.

Në fund, Presidenti Putin ka folur edhe për projektet energjetike, mbi të cilat Rusia bashkëpunon me Turqinë. “Nuk ka asnjë problem në këto projekte të përbashkëta midis dy vendeve tona”, theksoi ai.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme