Putin i kërkon Londrës bashkëpunim kundër terrorizmit

Presidenti rus, Vladimir Putin i kërkoi sot kryeministrit britanik, David Cameron për të luftuar së bashku kundër terrorizmit dhe për të riforcuar marrëdhëniet.

Putin i kërkon Londrës bashkëpunim kundër terrorizmit

Presidenti rus, Vladimir Putin i kërkoi sot kryeministrit britanik, David Cameron për të luftuar së bashku kundër terrorizmit dhe për të riforcuar marrëdhëniet mes Moskës dhe Londrës që po kalojnë një periudhë të vështirë, gjatë një takimi në kuadër të samitit të G20-s në Turqi.

“Ngjarjet e fundit tragjike, veçanërisht në Francë, dëshmojnë se ne jemi të gjithë të detyruar (…) të bashkojmë forcat tona në luftën kundër kësaj të keqeje të madhe, terrorizmit”, deklaroi Putin, gjatë këtij takimi në qytetin turistik të Antalias.

“Përsa i përket marrëdhënieve dy palëshe, ato nuk po kalojnë periudhë të mirë në këto momente”, theksoi ai duke nënvizuar se në të kaluarën, dy vendet kishin arritur së bashku të krijonin një mekanizëm bashkëpunimi në fusha të ndryshme.

“Më duket e nevojshme të analizojmë çdo gjë pozitive që është bërë tashmë, të shikojmë drejt së ardhmes dhe të bëjmë projekte konkrete për riforcimin e marrëdhënieve tona”, shtoi presidenti rus.

Moska dhe Londra kanë mendime të kundërta për zgjidhjen e krizës në Siri. Rusia është një prej mbështetësve të fundit të regjimit të presidentit, Beshar Esad dhe këmbëngul në faktin se i përket popullit sirian të vendosë për largimin e tij, ndërkohë që Britania e Madhe ashtu si perëndimorë të tjerë kërkojnë largimin e tij.

Rusia ka ndërmarrë që prej një muaji një fushatë sulmesh ajrore në Siri kundër grupit të Shtetit Islamik me kërkesë të Damaskut.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme