Vatikan - Një bankier italian hetohet për pastrim parash

Prokuroria e Vatikanit kërkoi bashkëpunimin e gjykatës italiane dhe zvicerane në kuadër të një procesi hetimor ndaj një bankieri italian, Gianpietro Nattino, i dyshuar për pastrim parash, njoftoi të mërkurën Selia e Shenjtë.

Vatikan - Një bankier italian hetohet për pastrim parash

“Në vijim të një raporti të Autoritetit të Informacionit Financiar (AIF), ka nisur në muajin shkurt të vitit 2015 një proces hetimor, që i referohet operacioneve të blerjes dhe të shitjes së titujve dhe transaksioneve të kryera nga Gianpietro Nattino”, njoftoi zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, Federico Lombardi.

“Prokurori ka kërkuar bashkëpunimin e autoriteteve gjyqësore italiane dhe zvicerane, nëpërmjet komisioneve të posaçme të komunikuara në rrugë diplomatike më 7 gusht në vitin 2015″, shtoi ai në një komunikatë.

Presidenti i Bankës “Finnat Euramerica Spa”, Nattino, është i dyshuar të ketë përdorur administrimin e pasurisë së Selisë së Shenjtë (APSA), organizëm kryesor financiar i Vatikanit, për operacionet e pastrimit të parave nga viti 2000 deri në vitin 2001, ku disa operacione janë kryer në Zvicër dhe në Itali.

Të hënën, dy anëtarë të Komisionit për Organizimin e Strukturave Ekonomike dhe Administrative të Selisë së Shenjtë (COSEA) u arrestuan si të dyshuar për publikimin e disa dokumenteve të fshehta në media. Francesca Chaouqui, eksperte italiane në fushën e komunikacionit dhe medias sociale, u lirua menjëherë pasi u mor në pyetje nga hetuesia e Vatikanit për bashkëpunim me autoritetet; ndërsa Lucio Angel Vallejo Balda, prelat spanjoll anëtar i "Opus Dei", do të gjykohen nën masën e arrestit.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme