Mbytjet e anijeve në Egje - "Amnesty International": BE në apati

Filiali grek i "Amnesty International" dënoi të hënën apatinë dhe mungesën e vullnetit politik të BE-së dhe Greqisë, pasi 86 emigrantë kanë humbur jetën apo rezultojnë të zhdukur në brigjet e ishujve grekë në Detin Egje këto gjashtë ditët e fundit.

Mbytjet e anijeve në Egje - "Amnesty International": BE në apati

"Në total, më shumë se 454 emigrantë dhe refugjatë kanë humbur jetën apo rezultojnë të zhdukur gjatë 10 muajve të parë të 2015-s në Detin Egje, mes Turqisë dhe Greqisë, një prej pikave kryesore të hyrjes së emigrantëve në Evropë", sipas "Amnesty International".

Kjo OJQ theksoi se masat e forta të sigurisë përgjatë kufijve tokësorë në rajonet e Evros (verilindje) mes Greqisë dhe Turqisë, ku një mur prej 12,5 kilometrash është ngritur dy vjet më parë, kanë detyruar refugjatët dhe emigrantët që të zgjedhin itinerarin më të rrezikshëm për të shkuar në Evropë, nëpërmjet kufirit detar greko-turk në Egje.

Një manifestim prej më shumë se 500 aktivistësh u zhvillua të shtunën në Evros për të kërkuar prishjen e murit dhe për të garantuar një kalim tokësor për refugjatët.

Zëvendësministri grek për Emigracionin, Ioannis Muzalas, theksoi të hënën për të përditshmen greke "Efimerida ton Syntakton" se shkatërrimi i murit nuk do të kishte rezultate pozitive në këtë kuadër, as për refugjatët, as për Greqinë.

Drejtori i filialit grek të "Amnesty International", Jorgos Kosmopulos, ngre pyetjen: "Sa refugjatë duhet të mbyten dhe sa fëmijë duhet të vdesin për të përmbushur parimet evropiane?"

Kjo OJQ dhe Këshilli i Evropës kritikuan përveç të tjerave kushtet shumë të këqija të pritjes së refugjatëve në ishujt grekë dhe në Greqinë Kontinentale.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme