Rusia: Dhunimi i hapësirës ajrore turke, "aksidental"

Rusia justifikon si “aksidental” dhunimin e dyfishtë të hapësirës ajrore turke brenda tri ditëve nga avionët e saj luftarakë, ndërkohë që vijon dërgimin e luftanijeve të reja në ujërat siriane.

Rusia: Dhunimi i hapësirës ajrore turke, "aksidental"

Kremlini po përpiqet të amortizojë reagimet e NATO-s dhe Turqisë në lidhje me dy shkeljet ruse të hapësirës ajrore turke, ditën e shtunë dhe të martën.

Ministria e Mbrojtjes së Rusisë deklaroi se dhunimi i hapësirës ajrore turke nuk ishte i qëllimshëm, por aksidental.

“Baza ajrore Hmeimim është shumë afër kufirit Siri-Turqi. Distanca është vetëm 30 km. Si pasojë e kushteve jo të favorshme atmosferike, kthimi në bazë është realizuar nga drejtimi i veriut. Kjo ka shkaktuar edhe shkeljen. Pas kësaj ngjarje nuk duhet të kërkohen teori konspirative”, theksoi zëdhënësi i Ministrisë ruse të Mbrojtjes, Gjeneralmajor Igor Konashenkov, gjatë një konference shtypi në lidhje incidentin.

Moska njoftoi gjithashtu se po inspekton edhe “një shkelje të dytë të hapësirës ajrore turke”, që është raportuar të martën nga Ankaraja.

Ndërsa autoritetet ushtarake amerikane bënë me dije se gjuajtësi tip SU-30, një nga dy avionët rusë që kanë dhunuar hapësirën ajrore turke duke depërtuar deri në 6 km thellësi të kufirit të Turqisë, është i pajisur me radarë shumë të sofistikuar; prandaj hyrja aksidentale e tij në hapësirën ajrore turke nuk është një shpjegim i besueshëm.

Sa i përket kyçjes së radarit të një avioni për gati 6 sekonda ndaj një gjuajtësi turk tip F-16, që patrullonte vijën kufitare, Rusia nuk bëri asnjë sqarim.

Ndërkohë, avionët luftarakë rusë mund të përplasen edhe me gjuajtësit amerikanë në hapësirën ajrore siriane.

Sipas një deklarate të autoriteteve amerikane, avionët rusë i janë afruar jashtë mase një mjeti ajror të telekomanduar të SHBA-ve (dron), duke bërë që një skuadër me gjuajtës tip F-16, që kontrolloheshin nga pilotë amerikanë, të ngrihet menjëherë në fluturim nga Turqia.

Në vijim, avionët amerikanë dhe ata rusë i janë afruar njëri-tjetrit disa herë në mënyrë të rrezikshme.

Ministria ruse e Mbrojtjes bëri të ditur se do të marrin në konsideratë propozimin për koordinimin e operacioneve ajrore me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të evituar kështu një situatë të padëshiruar në qiellin e Sirisë.

Sakaq, Rusia vazhdon të rrisë numrin e luftanijeve të saj në Mesdhe.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme