Davutoglu: Flamuri i Palestinës në OKB, krenari e njerëzimit

“Ky që po valëvitet sot, nuk është vetëm flamuri i Palestinës, por flamuri i krenarisë së njerëzimit”, deklaroi të mërkurën Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, në një transmetim ekskluziv të TRT-së.

Davutoglu: Flamuri i Palestinës në OKB, krenari e njerëzimit

Flamuri i Palestinës u valëvit për herë të parë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ku i pranishëm ishte edhe Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas.

“Palestina meriton të njihet si një shtet me të drejta të barabarta”, u shpreh Presidenti Abbas para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Ndër të tjera, lideri palestinez tha se Izraeli nuk i përmbahet as Marrëveshjes së Oslos (1993) dhe as marrëveshjeve të tjera.

“Ne nuk mund të vijojmë t’u përmbahemi këtyre marrëveshjeve për sa kohë që Izraeli, i cili duhet të marrë përsipër të gjitha përgjegjësitë e fuqisë pushtuese, nuk liron të burgosurit palestinezë dhe nuk ndal veprimtarinë ilegale të kolonizimit”, theksoi ai para Asamblesë së Përgjithshme.

Ndërkohë, ngritjes së flamurit palestinez i ka paraprirë një ceremoni, në të cilën kanë marrë një pjesë numër i madh i liderësh, mes të cilëve edhe Kryeministri Davutoglu.

Gjatë fjalimit të rastit në ceremoni, sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, u prononcua me fjalët: “Ngritja e këtij flamuri do të ngjallë tek populli palestinez shpresën për të zënë vendin e merituar në arenën ndërkombëtare. Ne duhet të vijojmë punën për të mundësuar që shteti palestinez dhe ai izraelit të jetojnë pranë njeri-tjetrit në paqe dhe siguri.”

Menjëherë pas ceremonisë, Kryeministri turk, Ahmet Davutoglu, mori pjesë në një transmetim ekskluziv të TRT-së.

“Ky që po valëvitet sot, nuk është vetëm flamuri i Palestinës, por edhe i krenarisë së njerëzimit; është flamuri i turqve, të cilët e kanë ruajtur Xhaminë al-Aksa për shekuj me radhë si vend të prehjes shpirtërore. Ky është flamuri i të gjithëve”, deklaroi të mërkurën shefi i Ankarasë zyrtare.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme