Hungaria drejt gjendjes së jashtëzakonshme nga fluksi i refugjat

Qeveria hungareze mund të marrë në konsideratë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme për të përballuar fluksin e emigrantëve, që vijnë nga jugu, tha të enjten shefi i kabinetit të Kryeministrit Viktor Orban.

Hungaria drejt gjendjes së jashtëzakonshme nga fluksi i refugjat

“Masa e propozuar nga ministri i Punëve të Brendshme do të bisedohet në një mbledhje të qeverisë, që do të mbahet të martën”, tha Janos Lazar.

Orban, një konservator që ka mbajtur një qëndrim armiqsor kundrejt imigrantëve, ka thënë se Hungaria nuk dëshiron të pranojë emigrantë myslimanë dhe urdhëroi ndërtimin e një gardhi me gjemba të gjatë 175 kilometra në kufij me Serbinë.

Kjo barrierë përfundoi në fund të gushtit por deri tani ka dështuar që të ngadalësojë këtë fluks njerëzish që synojnë të arrijnë në Gjermani dhe në vendet e tjera të pasura të Evropës Perëndimore.

Sipas një ligji të ri që hyri në fuqi të martën, dëmtimi i barrierës do të dënohet me pesë vite burg, dhe kalimi i kufirit do të konsiderohet si veprim kriminal.

Masat e tjera që parashikon qeveria të ndërmarrë përfshijnë një rritje të barrierës, që aktualisht përbëhet nga një gardh me tela me gjemba, dhe përforcimin e trupave policore me patrulla ushtarake që prej datës 15 shtator.

Ushtrai hungareze zhvilloi të enjten stërvitje në zonën kufitare duke u përgatitur për misionin që do të kryejë javën e ardhshme, ndonëse Ministria e Mbrojtjes nuk e lidhi drejtpërdrejtë ushtrimin në kufij me krizën aktuale të emigrantëve.

Ardhja e emigrantëve në Hungari është rritur në dy javët e fundit, ndërsa policia regjistroi një rekord të ri ditor me 3.321 persona që hynë ilegalisht të mërkurën nga Serbia.

Në kufirin perëndimor të Hungarisë, kompania austriake hekurudhore OeBB ndërpreu të gjitha linjat ndërkufitare me tren me Hungarinë, duke u shprehur se “masa e madhe e refugjatëve dhe e emigrantëve që udhëtojnë për në perëndim ka krijuar një ‘mbingarkim masiv’ në Austri”.

Hungaria, një pikë kryesore hyrëse për në BE, ka regjistruar më shumë se 145 mijë refugjatë që kalojnë kufijtë e saj që prej fillimit të këtij viti, sipas presidentit të Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker.

Gjatë fjalimit të tij në Parlamentin Evropian të mbajtur të mërkurën, Juncker tha se “shumica e refugjatëve që vijnë në Evropë i largohen luftës në Siri, terrorit të DAESH-it, përkrahësve të kësaj organizate terroriste në Libi dhe diktaturës në Eritre.

Ardhja e emigrantëve është rritur gjithashtu edhe në Austri, ndalimi i radhës pas Hungarisë për ata që udhëtojnë përgjat të ashtuquajturës rrugë ballkanike emigrimi. Emigrantët gjatë këtij rrugëtimi kalojnë nëpër Turqi, dalin në ishujt grekë dhe më pas lëvizin nëpërmjet Maqedonisë, Serbisë dhe Hungarisë.

Kompania austriake OeBB i kërkoi vullnetarëve dhe kompanive të autobusave që të ndalojnë së sjelluri njerëz në stacionin hekurudhor të vendit, që tashmë është i mbushur plot me ata që kanë ardhur nga Hungaria dhe po kërkojnë të udhëtojnë për në Gjermani.

Kompania parashikon të dërgojë trena të posaçëm nga kufiri austro-hungarez për në Vjenë dhe shtoi se do të vazhdojë të ofrojë vende për të fjetur në stacionin hekurudhor "Westbahnhof" në kryeqytet.

Autoritetet numëruan të enjten 3.700 refugjatë në qytetin austriak kufitar Nickelsdorf, dhe dy mijë në Vjenë.

“Ne vazhdojmë të kemi enformacione të pakta nga Hungaria për sa i përket operacioneve dhe planeve të autoriteteve të tyre”, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë austriake të Punëve të Brendshme, Karl Heinz Grundboeck, për agjencinë austriake të lajmeve "APA".

Më në jug të rrugës ballkanike, mijëra kanë mbetur të bllokuar në ishujt e Egjeut, duke detyruar Greqinë që të shtojë një traget të tretë këtë javë në flotën e anijeve që transportojnë njerëzit për në Pire, pranë Athinës.

Trageti shtesë mund të transportojë rreth 7.000 njerëz në ditë nga ishujt grekë drejt kontinentit.

Një grup prej 3.000 emigrantësh ishte mbledhur të enjten në kufij me Maqedoninë, 550 kilometra në veri të Athinës, ku policia në të dyja anët e kufirit lejon vetëm grupe të vogla të kalojnë dhe të marrin trenin për në veri.

 

Nga Kathrin Lauer, Takis Tsafos, Albert Otti dhe Boris Babic


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme