Komenti i "Le Figaro" mbi emigrantët

Të njëjtët që e kritikonin kancelaren gjermane Angela Merkel si ”Bismarku i ri me fund” dhe si ”të pandjeshme ndaj vuajtjeve të popullit grek”, sot i thurin lavde.

Komenti i "Le Figaro" mbi emigrantët

Ajo është bërë figura drejtuese e një Evrope të mëshirshme që nuk i tradhton vlerat e saj.
Sigurisht që nuk mund të akuzohet menjëherë kancelarja për paqëndrueshmëri. Nuk mund ta akuzojmë se reagon menjëherë sipas emocioneve. Aylani i vogël ishte ende në jetë, fotoja e tij ende nuk kishte bërë xhiron e botës kur ajo deklaroi me kthjelltësi se “çështja e imigrantëve do të na kushtojë më shumë sesa Greqia dhe stabiliteti i euros”.

Qeveria e saj deklaroi se duhet të priten 800 mijë imigrantë dhe se çmimi në një periudhë afatshkurtër do të jetë disa miliardë euro.

Popullsia po ndërgjegjësohet.

Sipas një sondazhi të ZDF-së, të zhvilluar në korrik, tregohet se 54 për qind e gjermanëve ishin pro pritjes së refugjatëve. Një muaj më vonë kjo shifër arriti në 60 për qind. Metodik, vendi po bën atë që di të bëjë më mirë: të organizojë.

Në pak javë, kampe për strehimin e refugjatëve u shfaqën dhe përveç menaxhimit të kësaj urgjence, kurse në gjuhën gjermane kishin filluar t’u ofroheshin imigrantëve.

Në kontinentin tonë, Gjermania duket si e izoluar. Pavarësisht rreptësisë ekonomike dhe të gati punësimit të plotë që janë zgjidhje serioze për të vënë në lëvizje popullsinë, tradita kulturore dhe situata demografiko-ekonomike shpjegon këtë situatë të veçantë. Fillimisht ka një arsye etike. Mosmbështetja do të ishte një ofendim për Angela Merkel dhe krejt popullin gjerman. Që prej Luftës së Dytë Botërore dhe traumat morale që ajo solli, shteti i së drejtës dhe vlerat morale “demokratike-kristiane” janë në zemër të jetës politike gjermane.

Verfassungspatriotismus

“Grundgesetz”, ligji kushtetues i Republikës Federale Gjermane fillon me fjalë shumë të forta: “I ndërgjegjshëm për përgjegjësinë e tij para Zotit dhe para njerëzve, populli gjerman, i frymëzuar nga vullneti për t’i shërbyer paqes në botë si anëtar i barabartë në të drejtë në një Evropë të bashkuar…”. Kjo shfaqet në një patriotizëm të veçantë, “Verfassungspatriotismus”, patriotizmi kushtetues i bërë popullor nga Habermas, i cili largoi çdo refereim ndaj partive të përgjakshme, të asimiluara nga kulti i gjakut dhe i tokës me kujtime të trishta. Për më tepër, kujtimi i politikës së lindjes së Raihut III, kujtimi i 5,5 milionë “Aussiedler” (refugjatë gjermanë) që u dëbuan nga tokat e tyre në Evropën Lindore pas vitit 1945, laiciteti dashamirës dhe pesha e fajit historik i bën gjermanët të papërfillshëm ndaj çdolloj politike që ka të bëjë me identitetin. Që atëhere pritja e imigrantëve konsiderohet si një imperativ moral, në kuptimin e imperativit kategorik të Kantit.

Mund të kundërshtojmë se kjo ndjenjë morale nuk pengoi Gjermaninë që të mos vërejë dhimbjen e grekëve, ku shumë u detyruan të imigrojnë për të gjetur kushte më të mira jetese. Por kushtet ngjasojnë vetëm në pamje të parë. Shumë të dhënë pas shtetit të së drejtës, gjermanët i japin shumë rëndësi përgjegjësive dhe respektimit të rregullave. Në mendimin e tyre, grekët janë fillimisht mashtrues që gënjyen mbi deficitin dhe borxhin e tyre.
Në këtë aspekt sanksionet janë të justifikuara. Ndonëse Gjermania hap dyert e saj për sirianët, viktima të barbarisë së Shtetit Islamik, Angela Merkel kërkon me forcë krijimin e një liste të vendeve të sigurta, kryesisht në Ballkan, dhe krijimi i një procedure për shpërngulje të përshpejtuar për “imigrantët ekonomik” të cilët, sipas asaj, “nuk kanë asnjë të drejtë që të qëndrojnë në kontinentin evropian”. Viktimat po! Përfituesit jo.

Thënë kjo, imperativat morale nuk janë të vetmet që duhen marrë parasysh. Sigurisht që edhe interesat e ekonomisë gjermane zenë një vend të rëndësishëm. Gjermania nuk ka zgjidhje. Imigrantët shihen si ata që do të kompesojnë krahun e punës në një shoqëri me lindshmëri në rënie. Me 1,4 fëmijë për grua në vitin 2014 dhe një rritje natyrale negative që prej vitit 1972, për të garantuar begatinë dhe të paguajë pensionistët, Gjermania është e detyruar të kërkojë imigrantë. Është çmimi për t’u paguar për maltusianizmin e “mrekullisë ekonomike gjermane” dhe renies së frikshme të demografisë së saj.

Zyrat gjermane të biznesit shpresojnë unanimisht të presin imigrantë. Në vitin 2030 vlerësohet se Republikës Federale Gjermane do t’i mungojnë rreth gjashtë milionë punonjës në sektorë si hoteleria, logjistika, shëndetësia dhe në kujdesin e të moshuarve. Fluksi i një krahu pune të bollshëm dhe të lirë është për ekonominë një surprizë hyjnore.

Ulrich Grillo, presidenti i BDI-së, sindikata e industrisë, ka deklaruar së fundmi se “si vend i pasur dhe gjithashtu me dashurinë kristiane ndaj tjetrit, vendi ynë duhet t’i mundësojë vetes të presë më shumë refugjatë”.
Në këto kushte, dhjetëra miliardë euro në vit që do të shpenzohen për pritjen e refugjatëve, sipas vlerësimeve të fundit, janë diçka e papërfilshme, pasi që prej vitit 2015 buxheti federal është në ekuilibër.

A është krejtësisht pa rrezik kjo aleancë e çuditshme e Biblës dhe çekut bankar?

Për një kohë afatshkurtër! Përplasjet në Heidenau në landin e Saxe përfshijnë vetëm një minoritet të vogël të rekrutuar mes humbësve të ribashkimit; lëvizja antiislamike PEGIDA ka “hapur krahun”; partia antievropiane AFD është shpërbërë në fraksione rivale. Përballë, SDU-ja dhe SPD-ja përbëjnë një bllok të përbashkët, Kishat mobilizohen dhe media e gjerë si “Bild Zeitung” bën thirrje për “mobilizim njerëzor”. Për sa i përket futjes në tregun e punës, mund t’i besohet mjeshtërisë së formimit profesional dhe të mësimdhënies, që imigrantët e sotëm të jenë punonjësit e së nesërmes. Një program si “The Job of my Life” (puna e jetës sime) që filloi në vitin 2013 në përfitim të kërkuesve për punë në BE – me kurse gjuhe dhe mësimin e një zanati – më pas do të zgjerohet tek imigrantët me dokumenta të rregullta.

Në një kohë afatgjatë, është më pak e dukshme. Gjermania përballet gjithashtu me “pasigurinë kulturore”.
Një vepër e tillë si “Gjermania do të zhduket” e Thilo Sarrazin, që kritikonte multikulturalizmin, ka qenë një prej sukseseve më të mëdha të vitit 2010 me më shumë se 600 mijë kopje të shitura. CSU-ja bavareze (Unioni i Kristiansocialistëve të Bavarisë) pak a shumë publikisht, ka të njejtat rezerva. Ndërsa 40 për qind e popullsisë është ende kundër pritjes së imigrantëve. Pretendohet të mos shihen këto të dhëna. Por ç’mund të ndodhë me vështirësitë ekonomike, sikur 800 mijë imigrantët të bëhen miliona, që ndonjë ngjarje tragjike të trondisë opinionin publik, askush nuk mund të parashikojë se çfarë mund të ndodhë. Është një rrezik nga i cili Gjermania, deri tani, është kursyer. Por do të jetë krejt projekti evropian që mund të kërcënohet.

Imigrantët nuk shihen vetëm nën aspektin e fatkeqësisë nga e cila duhen shpëtuar dhe nga paratë që duhen shpenzuar, Angela Merkel dhe bizneset, kanë marrë përsipër rrezikun e madh të mubulojnë tronditjen që mund të përbëjë ky fluks masiv i popullsive kulturalisht shumë të ndryshme. Sigurisht rreziku është përllogaritur. Kancelarja është e bindur se 800 mijë imigrant në një popullsi prej 80 milionë banorë mund të kontrollohen. Por 800 mijë nuk janë tre apo katër milionë që mund të vijnë nëse ufta në Siri apo në Libi vazhdon. Është burimi që duhet të mbyllet fortë.

Mbi këtë çështje, heshtja e Gjermanisë është shurdhuese. Ajo nuk mund të përmendë pafundësisht statusin e saj si fuqi e penguar nga historia për të qëndruar e tërhequr. Ajo nuk mund të mbështetet përjetësisht tek fqinjët e saj. Duke bërë hapin e guximshëm që të presë imigrantët dhe të tërheqë Evropën pas vetes, Gjermania fiton një dimension tjetër. Detyra të reja i shfaqen. Ajo duhet të marrë pjesën e saj, të gjithë pjesën e saj, për zgjidhjet diplomatike apo ushtarake që kërkon situata në Lindjen e Mesme. Ajo duhet të pushojë së qenuri një gjigant ekonomik dhe një xhuxh diplomatik. Nëse ajo nuk reagon, gjeneroziteti i sotëm nuk do të ketë qenë veç se një gjestikulacion i kotë, plot rreziqe për krejt kontinentin.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme