Valls: Fotoja e fëmijës sirian tregon urgjencën për të reaguar

Fotoja, që ka tronditur botën, e një fëmije sirian trevjeçar, trupi i të cilit u gjet pajetë në brigjet e një plazhi në Turqi, pas mbytjes së një anijeje emigrantësh, tregon urgjencën për të reaguar, theksoi sot Kryeministri francez, Manuel Valls.

Valls: Fotoja e fëmijës sirian tregon urgjencën për të reaguar

“Ai kishte një emër, Aylan Kurdi. Urgjencë për të reaguar. Urgjencë për një mobilizim evropian”, shkroi kryeministri francez në një mesazh në rrjetin social Tweeter, duke publikuar një prej fotove, që tregojnë një polic turk, duke mbajtur në krahë trupin e fëmijës.

Tashmë shpërndarë në rrjetet sociale, fotoja e trupit të fëmijës të pajetë me pantallona të shkurtra, i shtrirë në breg të detit me fytyrë në tokë, shfaqet sot në shumë prej të përditshmeve evropiane.

“Është e tmerrshme”, reagoi ministrja franceze e Arsimit, Najat Vallaud-Belkacem, duke folur për televizionin iTele.

“Disa pyesin nëse është i drejtë publikimi i këtyre lloj fotosh (…) mendoj se duhet bërë, sigurisht”, theksoi ministrja franceze.

“Sepse ne duhet të hapim sytë, ne duhet të jemi të qartë për realitetin e këtyre emigrimeve, të kësaj dhimbjeje, të kësaj situate të tmerrshme, që detyron emigrantët të marrin rrugët me fëmijët e tyre, duke rrezikuar jetën”, shtoi ajo.

“Që prej fillimit të vitit më shumë se 2.500 emigrantë kanë humbur jetën në Mesdhe”, nënvizoi ministrja Vallaut-Belkacem.


Fjalët Kyçe:

Lajme të ngjashme